Hebrenjtë në Shqipëri, të pathënat e historisë në një libër

5 Maj, 2019 - 10:30 pm

Libri shoqërohet me parathënie nga shkrimtari Ismail Kadare “Qëndrimi ndaj hebrenjve ka qenë dhe vazhdon të jetë një çështje globale, planetare. Kjo, për arsyen e qartë se ndërgjegjja e njerëzimit mbarë është vënë në provë. Historia shqiptare ka një pikë takimi tepër të ndjeshme me këtë dramë botërore.

Qëndrimi ndaj hebrenjve, më saktë, mbrojtja e tyre, nga një popull me histori të zymtë, si i yni, që e nderon, në kuptimin më të madh të kësaj fjale. Është kjo një nga arsyet që libri i shkrimtares dhe studiueses Monika Stafa «Hebrenjtë në Shqipëri» zgjon një interes të veçantë”.

Kështu shprehet shkrimtari i njohur Ismail Kadare në parathënien e librit “Hebrenjtë në Shqipëri”, të gazetares Monika Stafa, botimet “Onufri”. Sipas tij, “Në Shqipëri hebrenjtë, siç dihet tashmë historikisht nuk janë mbrojtur nga një pjesë e popullit dhe janë diskriminuar nga pjesa tjetër, nuk ka qenë problem i njerëzve të kulturuar që mund ta kenë bërë këtë gjë për arsye emancipimi dhe pjesa e paditur e popullit ka bërë disa herë të kundërtën siç qëllon shpesh”.

“Nuk kanë qenë ndikuar nga rrymat politike, nuk ka asnjë dallim në qëndrimin ndaj hebrenjve mes katolikëve shqiptare mes ortodoksëve shqiptarë dhe myslimaneve shqiptarë. Kjo tingëllon pak e habitshme, madje idilike por është e vërteta. Kur erdhi ora e provës së madhe, të tre këto ndarje fetare kanë qenë në një qëndrim kryekrejet të barabartë ndaj hebrenjve. Nuk kanë lozur rol regjimet politike.

Shqipëria si në periudhën otomane, ashtu më pas kur fitoi pavarësinë dhe u bë një republikë, e më vonë një mbretëri ballkanase, ndonëse arkaike, qëndrimet ndaj hebrenjve nuk i ka ndryshuar, d.m.th., zyrtarë dhe popull, administratë dhe shoqëri, komunistë dhe antikomunistë, nacionalistë dhe internacionalistë”, shkruan Kadare. Libri është fryt i një punë disa vjeçare kërkimore dhe shkencore i studiueses Stafa.

“Hebrenjtë në Shqipëri janë një komuniteti jo pak i rëndësishëm në mjedisin shqiptar, një mjedis harmonik në lidhje sa i përket minoriteteve. Teza vjen si një studim i mirëfilltë shkencor, larg miteve të ngritura deri më tani për arsyet e shpëtimit dhe mbrojtjes së hebrenjve prej rrezikut shfarosës gjatë udhëve të historisë, me theks të veçantë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Libri synon të hedhë dritë mbi ekzistencën e këtij komuniteti dhe arsyet e bashkëjetesës së harmonishme me shqiptarët. Qytetarë nga e gjithë Europa me shtetësi të ndryshme, por që i përkisnin kombësisë hebraike gjetën shpëtim e mbrojtje në Shqipëri, duke e parë atë si një rast “sui generis” në mes gjithë atij kontinenti që kërcënohej prej terrorit nazist.

Vlerësimi i sfidave me të cilat Shqipëria u përball në një prej periudhave më të vështira që hebrenjtë e huaj dhe ata vendas po kalonin në Europë (1933-1944), përbëjnë bazën analitike dhe kërkimore të këtij studimi. Fokusimi në marrëdhëniet e tyre me autoritetet vendore/ lokale dhe popullin shqiptar zë peshën më të madhe në studim, për vetë rolin që këto të fundit luajtën në shpëtimin e tyre ndaj rrezikut shfarosës nazist”, thotë Stafa. Sipas saj, në fokus të tij, ky libër ka pasur 5 çështje për t’u trajtuar, në pesë kapituj të ndryshëm.

Pjesë e punimit janë edhe parathënia, hyrja, konkluzionet dhe bibliografia. “Studimi është ndërtuar kronologjikisht mbi dy fazat më të rëndësishme historike dhe me ndikim të dukshëm në historinë e këtij komuniteti: faza e parë ka të bëjë me periudhën e Mbretërisë Shqiptare, për të vijuar me atë të Luftës së Dytë Botërore. Në tërësinë e tij libri synon t’u japë përgjigje disa pyetjeve.

Përse hebrenjtë iu drejtuan Shqipërisë, sapo u shpall doktrina famëkeqe “Final Solution”? Çfarë mundësish ofroi Mbreti shqiptar Ahmet Zogu dhe autoritetet qeverisëse të vendit ndaj tyre? Si vijoi ardhja e hebrenjve gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste dhe përse ajo ndoqi një politikë survejimi dhe jo ndëshkimi ndaj tyre?

Cili ishte qëndrimi i qeverive kolaboracioniste ndaj hebrenjve të rrezikuar që erdhën prej Jugosllavisë, Bullgarisë, Rumanisë e Maqedonisë? Si ishte sjellja e shqiptarëve ndaj hebrenjve, kur vendi u pushtua nga Gjermania? Cilat janë veçoritë dalluese të Shqipërisë në raport me vendet e tjera, që i dorëzuan autoriteteve pushtuese gjermane listat me hebrenj?

Përse me hebrenjtë e Shqipërisë në kushtet e një terrori të pashembullt në vendet europiane u ruajt një sjellje shembullore dhe rasti Shqipëri u shënjua si një ndër rastet më të paprecedent në historinë e popullit që kërcënohej për zhdukje masive? Çfarë ndodhi me ta gjatë luftës dhe pas saj? Hebrenjtë në Shqipëri në vitet 1933-1946, është një çështje sa e studiuar, po aq edhe e pathelluar.

Shënime të përzgjedhura mbi këtë komunitet gjenden në librin “Shqiptarët dhe hebrenjtë në shekuj”, një libër me kërkime të mëhershme mbi këtë komunitet, të studiuesit Apostol Kotani. Kërkimet e tij kanë filluar aty rreth viteve 1968 për shkak të një kërkese që atij iu bë nga autoritetet e kohës. Në fakt, kërkimet e tij mbetën në letër.

Ato asnjëherë nuk u botuan derisa ai iu rikthye atyre sërish pas rënies së Murit të Berlinit në vitin 1991. Ky fakt nuk ishte i panjohur, por hapja e arkivave e pasuroi më shumë kërkimin mbi hebrenjtë në Shqipëri. Shumëllojshmëria e të dhënave të tyre ndihmoi shumë në profilizimin e studimeve rreth këtij komuniteti dhe kontributin që ai kish dhënë në shumë procese historike të shqiptarëve.

“Asgjë prej atyre që shkruhej në librat e historisë apo që thuhej publikisht gjatë viteve të komunizmit, nuk mund të krahasohej me atë që shkruhej në ato dokumente. Përpara syve tanë po shpalosej një faqe tjetër e historisë, krejtësisht e panjohur prej nesh, jo vetëm për fatin e hebrenjve apo të popujve të tjerë, por dhe të vetë shqiptarëve”, thotë Stafa./gazeta-shqip.com/ KultPlus.com

Të ngjajshme