21 Mars, 2018 - 9:08 pm
Është e vështirë jeta pranë një shkrimtari të madh, çfarë është Kadare?
Ju më pyesni në është e vështirë. Natyrisht që s`është e lehtë. Sepse, angazhimi total pas punës i një shkrimtari kërkon një përkushtim total nga gjithë pjesa tjetër ku ai jeton. Në rastin konkret, ky shkrimtar që është Ismaili, nuk jeton vetëm dhe i shkëputur nga tërë problemet e përditshme dhe aq të mërzitshme, do të thosha, që na rrethojnë. Që ai të punojë i qetë, me këto ‘të mërzitshme’, por të pashmangshme të jetës sonë, duhet që dikush tjetër të merret me to. Dhe ky dikush, në rastin konkret, jam unë. Po të ishte se do të kisha një profesion tjetër, ta zëmë inxhiniere apo juriste, apo mësuese, mendoj se gjithçka do të ishte fare ndryshe. Por, unë aspiroj të njëjtin zanat si ai, pra atë të të shkruarit. Nga njëra anë, kjo ngarkesë ka brenda vetes brengën që, duke marrë përsipër gjithçka të përditshme, për mua s`mbetet ose mbetet fare pak kohë e lirë. Nga ana tjetër, kjo ka të mirën e madhe që unë e dua dhe e kam kaq për zemër punën që bën ai, sa me gëzim dhe pa m`u rënduar fare marr përsipër ngarkesa të tilla, që, në kushte të tjera do ti refuzoja vendosmërisht. Dhe përsëri këtu ka një zgjedhje. Duke e adhuruar në mënyrë të vazhdueshme artin e tij, unë jam në gjendje të bëj edhe dallimin e madh: cila nga këto punë midis ne të dyve është më e rëndësishme? Dhe përgjigjja e kësaj, mendoj, s`është ndonjë gjë vështirë për tu gjetur.
Burimi: Sanije Gashi – Ecje nëpër kujtesë