27 Korrik, 2019 - 11:30 am
Herën e parë më arrestuan për propagandë, herën e dytë për krijimin e një organizate.
Unë i pranoj këto akuza. Herën e tretë ata më dënuan pa qenë fajtor për asgjë. Ata sollën para gjykatësve njerëz që nuk i kisha parë kurrëdhe nuk i njihja aspak. Gjykimi ishte i turpshëm. Një komedi e vërtetë. Isha viktimë. Por pa viktima nuk arrihet askund. E pranova këtë rol. Nga ana tjetër, unë jam i lumtuur që pushtuesi serb ka zgjedhur ta thyej, sepse unë e di që jam i pathyeshëm. Ata krijuan një dëshmor prej meje.
Adem Demaçi, i njohur edhe si Mandela nga Kosova, ka qenë veprimtar i çështjes kombëtare dhe shkrimtar shqiptar nga Kosova. Më 2010 mori titullin Hero i Kosovës.
Burgosjes së Tij të parë, më 19 nëntor 1958, do t’i paraprijë shpërngulja me dhunë e shqiptarëve në Turqi (“Kthimi”, “Mestani”), aksioni i armëve dhe Procesi i Prizrenit. Do ta goditë sidomos burgosja e gazetarit të devotshëm Sedat Dida, e cila do të ngjallë frikë e panik në mesin e punëtorëve dhe gazetarëve të “Rilindjes”. Në procesin gjyqësor të marsit të vitit 1959 të Gjyqit të Qarkut të Prishtinës, Demaçi do të dalë hapur me kërkesën që pa bashkimin e Kosovës me Shqipëri, nuk do të ketë paqe në Ballkan. Për këto qëndrime të tij u dënua me 5 (pesë) vjet burg të rëndë. Gjyqi Suprem i Serbisë ia vërtetoi dënimin në 3 (tre vjet), të cilat i vuajti në kazamatin e Sremska Mitrovicës.
Pas lirimit nga burgu, nuk e linin të zinte punë, me qëllim që t’u kallnin edhe më shumë datën të tjerëve për pasojat që mund të kishin. Për më tepër, me ardhjen e Hrushçovit në Shkup, pas tërmetit, më 1963, e izoluan dhe e mbajtën në burg gjatë gjithë qëndrimit të tij në ish-Jugosllavi.
Për herë të tretë ra në burg më 6 tetor 1975 në procesin e montuar politik dhe u dënua përsëri me 15 (pesëmbëdhjetë) vjet burg të rëndë, vite këto të cilat do t’i vuajë në burgun famëkeq të Stara Gradishkës. Më 21 prill 1990, me urdhërin e Kryesisë shtetërore të ish-Jugosllavisë, lirohet pesë muaj e gjysmë para se ta kryente dënimin e plotë./KultPlus.com