9 Gusht, 2023 - 1:49 pm
I dashur J. K.,
Të falenderoj për mesazhin që më dërgove me rastin e Vitit të Ri. Ai është i trishtueshëm e dëshpërues dhe e kuptoj atë mjaft mirë. Megjithatë, ka aty një frazë ku ti thua se të është ngulitur në mendje ideja se një kuptim dhe një mision kanë qenë caktuar për ty dhe për jetës tënde dhe se ti vuan nga moszbulimi i këtij kuptimi dhe nga mospërmbushja e këtij misioni.
Pavarësisht, kjo më duket inkurajuese, sepse është e vërtetë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, dhe të lutem që t’i kujtosh e t’i meditosh herë pas here shënimet që do të shkruaj në lidhje me këtë subjekt. Këto reflektime nuk janë të miat, ato janë po aq të vjetra sa bota dhe bëjnë pjesë në atë që njerzit kanë shprehur si më pozitive për veten dhe misionin e tyre.
Atë që ti bën në jetë, dua të them, jo vetëm si artist, por gjithashtu dhe si njeri, burrë e baba, mik, komshi, etj., pra, e gjitha kjo vlerësohet në funksion të “kuptimit” të përjetshëm të botës dhe sipas kritereve të drejtësisë së përjetëshme, jo duke iu referuar disa matjeve të vendosura njëherë e përgjithmonë, por duke i aplikuar veprimeve të tua, aftësinë tënde, të veçantë e personale. Kur Zoti do të gjykojë, ai nuk do të pyesi : “A ke qenë një Hodler, një Picasso, një Pestalozzi, një Gotthelf ? Përkundrazi ai do të pyes : “A ke qenë dhe a je në të vërtetë J. K.-ja për të cilin ti ke trashëguar disa predispozita ? I pyetur në këtë mënyrë, askush nuk do mundet që t’i flasë për egzistencën dhe gabimet e veta pa ndjerë tmerr e turp ; pak a shumë ai mund të përgjigjet : “Jo, s’kam qenë ky njeri, por të paktën jam përpjekur që të bëhem i tillë brenda mundësive të mia.” Po t’i thotë ato me sinqeritet, ai do të jetë i justifikuar e do të dalë i fituar nga prova.
Nëqoftëse ti shqetësohesh nga imazhe të tilla si “Zoti” apo “gjykatësi i përjetshëm”, lëri ato qetësisht menjanë, sepse ato s’kanë shumë rëndësi. E vetmja gjë që ia vlen është fakti që secili prej nesh është depozitues i një trashëgimie dhe mbajtësi i një misioni ; secili nga ne ka trashëguar nga nëna dhe babai, nga stërgjyshërit e tij të shumtë, nga populli i tij, nga gjuha e tij, disa veçanti të mira apo të këqia, të këndshme apo të pakëndshme, disa talente dhe disa difekte, dhe të gjitha këto të mbledhura sëbashku na bëjnë të jemi këto që jemi, ky realitet i përveçëm që quhet J.K., në rastin tënd. Kështu pra, këtë realitet të përveçëm, secili nga ne duhet ta vërë në pah, ta jetojë deri në fund, ta çojë deri në pjekuri, dhe më sëfundi, ta perfeksionojë sa të jetë e mundur. Në lidhje më këtë mund të citojmë shembuj mjaft mbresëlënës e që i gjejmë me bollëk në historinë universale dhe historinë e artit. Ashtu siç shohim që në shumë përralla ka shpesh një perzonazh që është idioti i familjes, i paafti, dhe ndodh që atij t’i jepet roli kryesor. Është pikërisht besnikëria në vetë natyrën e tij që i bën individët e tjerë, më të zgjuar se ai, e të favorizuar nga suksesi, të duken mediokër.
Kështu, në fillim të shekullit të kaluar jetonte në Frankfort familja Brentano, e pasur me individualitete mjaft të zotë. Nga njëzet fëmijët që kishte në atë kohë, dy prej tyre sot janë të shquar : poetët Klement dhe Betina Brentano. E pra, këto vëllezër e motra të shumtë qenë të gjithë të zgjuar, interesantë më tepër se mesatarja, mendje të ndritura, talente të klasit të parë. Vetëm i madhi i fëmijëve ishte dhe ashtu mbeti, i leshtë dhe gjithë jetën e tij e kalojë në shtëpinë e prindërve, një shpirt i qetë i vatrës familjare për të cilin nuk kishte ndonjë rrugëzgjidhje ; katolik, ai respektonte të gjitha detyrat e besimtarit ; si djalë dhe si vëlla tregohej i matur e babaxhan, dhe në mes të bandës së lumtur e mëndjemprehtë të vëllezërve e motrave, ku shpesh shpërthente ekstravaganca, ai bëhet gjithnjë e më shumë qendra e heshtur dhe e qetë e familjes, një lloj guri i çmuar familiar që rrezatonte paqe e mirësi. Vëllezërit dhe motrat e tij flasin për këtë leshko, për këtë qenie foshjore, me një respekt, një dhëmshuri të tillë, si për asnjë tjetër. Pra, dhe atij gjithashtu, këtij budallai, këtij idioti, i kishte qenë caktuar një kuptim dhe një mision dhe ai i kishte përmbushur ato më mirë se të gjithë vëllezërit e motrat e tij të ndritur.
Shkurt, kur dikush ndjen nevojën për të justifikuar jetën e tij, nuk është niveli i përgjithshëm i aksionit të tij, parë nga pikëpamja objektive, që ka rëndësi, por më shumë fakti që vetë natyra e tij, ajo që i ka qenë dhënë, të shprehet sa më sinqerisht që të jetë e mundur në egzistencën dhe në aktivitetin e tij. Tentativa të panumërta na kthejnë vazhdimisht nga kjo rrugë ; më e forta prej tyre është ajo që në brendësi të vetes sonë na bën të besojmë se mund të ishim dikush krejt tjetër nga ai që jemi në realitet dhe kështu fillojmë të imitojmë modele dhe të ndjekim ideale që jo vetëm nuk duhen, por as që mundemi t’i arrijmë. Kjo tentativë është veçanërisht e fortë tek personat e pajisur me aftësi superiore, tek ata, ajo paraqet shumë më tepër rrezik se një egoizëm i thjeshtë me rreziqet e tij vulgare, sepse ajo shfaqet me pamjet e një fisnikërie shpirtërore e morale.
Në një moment të jetës, çdo djalë i ri ka ëndërruar të drejtojë një karrocë me kuaj apo një lokomotivë, të bëhet gjuetar apo gjeneral, dhe më vonë, të bëhet një Gëte apo Don Zhuan ; kjo është një tentative e natyrshme, e pashmangshme në zhvillimin normal të individit dhe një mënyrë për t’u vetë-edukuar : imagjinata, si të thuajsh, duke kërkuar në të errët, merr kontakt me mundësitë e së ardhmes. Por jeta nuk i plotëson këto dëshira dhe idealet e fëmijërisë e të rinisë vdesin vetvetiu. Megjithatë, ne vazhdojmë përherë me dëshirën për të bërë gjëra për të cilat nuk jemi bërë dhe përpiqemi t’i imponojmë natyrës sonë kërkesa që e dhunojnë atë. Të gjithë ne reagojmë në këtë mënyrë. Por në të njejtën kohë, në momentet e një vetëdije të mbrendshme e ndjejmë gjithnjë e më shumë se nuk ka rrugë që do të na çojnë jasht vetes sonë, drejt diçkaje tjetër, se duhet ta përshkojmë jetën me aftësitë e dobësitë që janë tonat e thjesht personale dhe ndodh që disa herë të bëjmë përparime, të realizojmë diçka që deri mëparë nuk ishim të zotët ta bënim, dhe për një çast, pa hezituar, e aprovojmë dhe kënaqemi me veten. Sigurisht që kjo kënaqësi nuk ka asgjë të qëndrueshme ; megjithatë, pas kësaj, pjesa më intime e vetes sonë s’tenton gjë tjetër veçse të ndjehet e rritur dhe e pjekur në mënyrë të natyrshme. Vetëm në këtë mënyrë mund të jemi në harmoni me botën dhe nëqoftëse arrijmë që ta njohim këtë gjendje, eksperienca që mund të bëjmë do të jetë akoma më e thellë.
Kur them se misioni që i besohet çdo individi është i ndryshëm për secilin prej tyre, nuk kam aspak parasysh atë që diletantët e artit, të vjetër e të rinj, quajnë mbrojtja dhe afirmimi i individualitetit e origjinalitetit të tyre. Kuptohet vetvetiu se kur një artist e bën artin profesion dhe qëllim të jetës së tij, i duhet të fillojë nga mësimi i gjithshkaje që i shërben mjeshtrisë ; ai s’duhet të mendojë se do t’i duhet që ta shmangë këtë nxënie me qëllim që të ruaj origjinalitetin dhe personalitetin e tij të vyer. Shembujt të tillë nuk mungojnë. Përpjekja personale për të asimiluar atë që kemi mësuar është një detyrë fillestare, si në fushën e artit, ashtu dhe në atë të jetës së përditëshme. Duhet që fëmija të mësojë të hajë, të jetë i pastër, i duhet mësuar shkrimi e këndimi. Studimi i gjithshkaje që duket se ia vlen të mësohet nuk bëhet pengesë në zhvillimin e individualitetit, përkundrazi e favorizon dhe e pasuron atë. Më vjen turp që të shkruaj të zezë mbi të bardhë gjëra të tilla kaq të qarta, por kemi mbrritur në atë pikë ku askush nuk duket se ka instiktin e të reaguarit sipas rregullave natyrale dhe e zëvëndëson këtë instikt me një kult primitif të së jashtëzakonshmes dhe absurdes. Në art, nuk jam aspak armik i së resë, përkundrazi, dhe ti e di mirë, por në fushën e moralit, domethënë kur është fjala për sjelljen e njeriut në lidhje me detyrën që i bie të kryej, modat dhe shpikjet e reja më duken të dyshimta dhe jam krejt mosbesues kur dëgjoj njerëz të arsyeshëm të flasin për morale të reja, etika të reja, sikur të flisnin për moda apo stile në art.
Në botën aktuale i kërkojnë njeriut akoma tjetër gjë, dhe kjo kërkesë është e përhapur nga partitë politike, nga vende apo profesorë të moralit universal. I kërkojnë njeriut që ai të heqë dorë njëherë e përgjithmonë nga vetevetja dhe nga ideja që nëpërmjet tij, diçka personale dhe e veçantë mund të ketë kuptim ; e bëjnë të kuptojë se ai duhet që t’i adaptohet një lloj humanizmi normal apo ideal që do të jetë ai i së ardhmes, që duhet të transformohet në një nga ingranazhet e makinerisë, në një nga gurët e ndërtesës, mes miliona gurëve të tjerëve, po aq të ngjashëm. Nuk do të doja që të shprehesha mbi vlerën morale të kësaj kërkese : ajo ka anën heroike e madhështore të saj. Por nuk besoj në atë. Vënia në rresht e individëve, me gjithë dëshirën e mirë, është në kundërshtim me natyrën dhe nuk të çon në paqe e në gjakftohtësi, por në fanatizëm dhe në luftë. Në fund të fundit, flitet për një kërkesë prej murgu dhe ajo është legjitime kur bëhet fjalë për murgjit, për njerëz që kanë hyrë të lirë nën urdhrat fetare. Megjithatë, nuk besoj që kjo kërkesë, që është e lidhur me modën, do mund të paraqesë një rrezik serioz për ty.
Shoh që letra është kthyer pothuajse në një disertacion. Do të bëj disa kopje dhe kur të më jepet rasti do t’ia lexoj gjithashtu dhe personave të tjerë. Mendoj se nuk do të kesh ndonjë kundërshtim.
Përktheu YD / KultPlus.com