Hermann Hesse kategorizon tre lloje të lexuesve

8 Janar, 2018 - 3:08 pm

Duke qenë se lexuesit janë të ndryshëm dhe përmbajtja e librit varion varësisht nga gjendja emocionale e njeriut që e lexon atë, edhe shkrimtari i madh Hermann Hesse në një ese të vitit 1920, e cila titullohet “On Reading Books”, ka përshkruar tri lloje të lexuesve, shkruan KultPlus.

Derisa mund të merrni një qëndrim krejtësisht të ndryshëm ndaj çdo gjëje në botë, qëndrim të ndryshme mund të merrni edhe ndaj një libri. KultPlus, ju përcjellë ndarjen në tri kategori të lexuesve sipas shkrimtarit Hesse.

Lexuesi që e përjeton librin thjesht si përmbajtje

Ky lloj lexuesi e konsumon librin ashtu siç konsumon ushqimin: ai ha dhe pi deri në ngopje. E njëjta gjë me librin. Ky lloj lexuesi, qoftë një fëmijë që lexon përralla me indianë, adoleshente që lexon novela romantike apo studentë filozofie, thjesht merr informacion. Ky lloj lexuesi është i lidhur me librin si kafsha me të zotin: libri drejton, lexuesi ndjek. Thelbi i librit pranohet objektivisht, me realizëm. Megjithatë, edhe në këtë grup ka lexues të rafinuar, sidomos sa i përket letërsisë artistike.

Imagjinuesi

Ai që zgjedh të ndjekë instinktin në vend të edukimit bëhet edhe një herë fëmijë dhe rrjedhimisht gjithçka që e rrethon merr formë tjetër: buka bëhet mal, i përshkuar tejpërtej nga tunele të thellë; shtrati bëhet… shpellë, kopsht, fushëbetejë… gjithçka që e lejon imagjinata. Ky është thelbi i tipit 2 të lexuesit. Ai është në gjendje të ndërtojnë historinë e tij ose të shtjellojë më tej atë që lexon. Për këtë lexues, as forma dhe as përmbajtja nuk janë aq të rëndësishme. Ai e di, ashtu si çdo fëmijë, se çdo objekt mund të ketë 10, 100… kuptime për mendjen. Në ndryshim nga lexuesi i parë, ky i dyti e ndjek librin jo si kafsha të zotin, por si gjuetari prenë.

Ëndërrimtari

Tipi i tretë dhe i fundit i lexuesit është, me gjasë, e kundërta e atij që rëndom e quajmë lexues i mirë. Ai është tërësisht i pavarur dhe i lirë në mënyrën se si e përjeton procesin e leximit. Sipas këtij lloj lexuesi, qëllimi i leximit nuk është as edukimi, as argëtimi. Ai e përdor librin si çdo objekt tjetër, për të thelbi në fakt është stimuli që mund t’i japë (ose jo) çdo histori. Ai nuk ka nevojë për një filozof nga i cili të mësojë apo që ta kritikojë; ai nuk ka nevojë për një poet që t’i interpretojë jetën; kaq gjë e bën vetë. Nëse këtë lexues e tërheq një fjali e bukur në një libër, një sentencë, këshillë, gjëja e parë që bën është ta zbërthejë atë totalisht. Ky lexues e di fare mirë se për çdo të vërtetë qëndron plotësisht edhe e kundërta e saj. Ky lloj lexuesi është i aftë të lexojë ç’të dojë por më e rëndësishmja, si të dojë. / KultPlus.com

Të ngjajshme