2 Tetor, 2019 - 4:06 pm
“Fjala është argjend e heshtja është flori.” Të dish të flasësh, sot, është e rëndësishme, por përveç kësaj lind edhe nevoja të dish të heshtësh. Njeriu sot po jeton në një botë shumë të shpejtë e të rrethuar me zhurma të ndryshme, e, me sa duket, është harruar bukuria dhe vlera e heshtjes.
Njeriu, i cili është duke u rritur e duke jetuar në këtë zhurmë, çdo ditë e më shumë ka frikë e nuk ka guxim të qëndrojë përballë heshtjes, qetësisë, takimit me vetveten. E sheh atë si humbje kohe, boshllëk, si diçka të mërzitshme, si diçka që nuk i takon atij.
Dhe del me arsyetimin që heshtja është pjesë e religjioneve ose besimeve fetare dhe se u përket e kërkohet të praktikohet vetëm nga personat që e vlerësojnë dhe i përkushtohen një besimi fetar!!!
Kështu, pak kohë ose më mirë të thuhet aspak nuk ia mundëson vetes praktikimin e heshtjes, takimin me vetveten, por tenton të qëndrojë sa më larg saj! Ai bën shumë plane për shumë gjëra, mundohet të gjejë kohë për shumëçka e për shumëkënd, kurse për të takuar vetveten që e ka më së afërmi, as që është e vendosur në listën e programit e nuk e vret fare mendjen për këtë!!!
Kjo duket qartë sot, tani e në të përditshmen, sepse njeriu i sotëm, ose siç dëgjohet tashmë mjaft shpesh, njeriu modern preferon të qëndrojë në zhurma nga më të ndryshmet e këtë e bën vetëm që të mos takohet me vetveten, të mos qëndrojë me vetveten sepse ka frikë prej saj.
Zgjedh të qëndrojë në çfarëdo zhurme, të dëgjojë çdo lloj bisede edhe nga ato më të pa vlerat, e të kotat, i lejon vetes që të bëhet bashkëpunues i thashethemeve, vetëm e vetëm që të mos qëndrojë në heshtje.
Zgjedh të qëndrojë vazhdimisht me celular në duar, por nëse ndodh t’i ketë duart e zëna, e zëvendëson me kufje në veshë. Edhe nëse flet me tjetrin, celularin nuk e lëshon nga dora. Nuk ka kohë ta shikojë e ta dëgjojë personin që ka përballë. E kjo, jo vetëm se është mungesë e praktikimit të heshtjes, por është edhe mungesë edukate.
Nëse shikon TV vazhdon të mbajë celularin në duar. Gjatë ushqimit vazhdimisht me celular. Nëse i duhet të presë apo të udhëtojë, si mik e bashkudhëtar ka vazhdimisht celularin. E që këtu kuptohet se për njeriun e sotëm një objekt është bërë më i rëndësishëm e më i vlefshëm se vetvetja, se tjetri, se libri.
E duke e gënjyer veten e tjetrin shpesh arsyetohet se, gjatë mbajtjes së celularit, ai lexon apo shikon gjëra të rëndësishme e me vlerë. E harron se, vetë fakti, të dish të qëndrosh në heshtje është një vlerë.
Edhe pse përdorimi i teknologjisë ka si qëllim lehtësimin e jetës së njeriut, duke e bërë atë më të lumtur, të mos e lodhë shumë… por si duket ajo po vepron në të kundërtën, ai nuk resht duke u ankuar: jam i lodhur, nervoz, pa vullnet, i pakënaqur, ndjen mungesën e respektit…! Pse vallë gjithë kjo mungesë qetësie e varfëri shpirtërore?!
E kjo nuk është aspak për t’u çuditur e për t’u befasuar, sepse UNË ,TI, NE nuk kemi kohë për vetvete, nuk kemi nerva për vetvete, nuk kemi respekt për vetvete. Sepse objekti është bërë më i rëndësishëm se vetvetja, se tjetri, zhurma më e vlefshme se heshtja, gënjeshtra me e rëndësishme se e vërteta, mbyllja në një dhomë më e rëndësishme se daljet në natyrë…!
Atëherë ka ardhur momenti që të jesh më i vëmendshëm ndaj heshtjes, të gjesh kohë, t’i ndash 15-20 minuta për vetvete t’i kushtohet rëndësi e të vlerësohet heshtja, t’i thuash stop celularit, TV, kompjuterit, daljeve të panevojshme e të qëndrosh në heshtje me veten tënde. T’i dëgjosh të rrahurat e zemrës, të dëgjosh frymëmarrjen tënde… të dish të dëgjosh cicërimat e zogjve, të shijosh bukurinë e natyrës…
Që të praktikosh këto, kërkohet t’i mbyllësh të gjitha zërat që të vijnë nga jashtë e vetëm në këtë mënyrë mund të komunikohet me vetveten, të marrësh mesazhe nga brendësia e të gjesh qetësinë e brendshme që është më se e nevojshme për shëndet të mirë fizik, psikik e shpirtëror.
Çdo gjë kërkohet të ketë kohën e vet, rëndësinë e vet dhe përkushtimin. T’i kushtohet kohë secilit njeri, secilit angazhim e secilës punë. E kjo arrihet vetëm kur mësohemi t’i kushtojmë rëndësi gjendjes sonë shpirtërore, kur gjejmë kohë për të takuar e respektuar vetveten. E gjithë kjo vjen vetëm nga praktikimi i heshtjes në jetën tonë të përditshme, duke ia falur apo dhuruar vetes disa minuta.
Të edukohemi në atë mënyrë që t’i përkushtohemi tërësisht tjetrit, angazhimit, punës në tërësi dhe jo duke bërë dy gjëra njëkohësisht. Nëse flet me një person, kushtoju tërësisht atij, lëre anash celularin. Nëse bën një punë, përkushtoju asaj pune. Nëse shikon TV, përqendrohu, sepse vetëm kështu arrin t’i njohësh situatat e t’i kuptosh. Të gjitha këto arrihen vetëm nëse praktikohet heshtja, hyrja brenda vetes.
Nuk po flitet për një heshtje që mund të lindë nga zemërimi, inati, xhelozia, mërzia vetmia apo nga situata të ndryshme, por po flitet për një heshtje që është një vlerë e një thesar që na ndihmon të hyjmë në brendësinë tonë për të gjetur qetësinë e brendshme, për të njohur e takuar Zotin, për të reflektuar e për të njohur vlerat që janë brenda njeriut si: mirënjohjen, respektin, dashurinë, faljen, mirëkuptimin, thjeshtësinë, e çdo bukuri që është në të.
Thomas Carlyel thotë: Heshtja është elementi në të cilën formohen, bëhen gjërat e mëdha.
Praktika e heshtjes së brendshme është një mundësi intimiteti me veten, për të rritur vetënjohje dhe për të kuptuar se çfarë mendoj, ndjej dhe dëshiroj e për të parë jo çfarë bëj, por si i bëj gjërat. Heshtja është ajo që e ndihmon njeriun që të qëndrojë me vetveten dhe që të ketë një mirëqenie.
Pra, ka të bëjë me botën e brendshme. Ajo është një instrument i shkëlqyeshëm që mundëson komunikimin me vetveten. Është një vlerë që kërkohet të kultivohet e të edukohet tek çdo person, sepse e ndihmon njeriun ta kuptojë e ta njohë më mirë se kush është, si ndjehet dhe çfarë dëshiron.
Është shumë e rëndësishme që njeriu ta ndjejë nevojën për këtë heshtje, që ta dëgjojë frymëmarrjen, ritmin e zemrës, sepse vetëm kështu arrin të hyjë në thellësinë e tij ku askush tjetër nuk mund të depërtojë.
Pascal thotë: Të gjitha problemet e njerëzimit burojnë nga paaftësia për t’u ulur i vetëm, qetësisht, në një dhomë.
Heshtja nuk është e rezervuar vetëm për disa persona, por, në jetën e përditshme, kërkohet të praktikohet nga të gjithë. Sepse është një shenjë e forcës, një shenjë respekti ndaj vetvetes.
Kërkohet që njeriu të fillojë të bëjë shoqëri e miqësi me heshtjen. Sidomos sot, që është i bombarduar nga zhurma e nga një jetë shumë stresuese. Heshtja është mundësi e hyrjes brenda vetes jo në mënyrë sipërfaqësore, por në thellësi, për t’i parë dëshirat e nevojat.
Confucio: Heshtja është i vetmi mik që nuk të tradhton kurrë.
Kuptohet se nuk është një gjë e lehtë, nuk është një gjë e thjeshtë të qëndrosh në heshtje e nuk është një gjë që bëhet shpejt. Ndoshta në të folur është e thjeshtë, por nëse fillohet të praktikohet shfaqen shumë vështirësi e paqëndrueshmëri. Njeriu nuk është me butona, por i kërkohet vetëdije, kohë, vullnet e qëndrueshmëri për të arritur atë çfarë ndjen dhe dëshiron.
Në të shumtën e rasteve ndodh që njeriu e ndjen nevojën e praktikimit të heshtjes ose provon ta praktikojë, por problemi qëndron në faktin se sa i qëndrueshëm mund të jetë ai në këtë gjë?!
Raffaele Morelli thotë: Kemi nevojë për heshtjen e brendshme si për bukën e përditshme që e hamë e ndoshta edhe më shumë. Sepse heshtja është ajo që ndihmon për të arritur paqen shpirtërore.
Ballafaqohu me vetveten! Mos ik nga vetvetja e mos ki frikë! Nuk është kurrë nesër, gjithmonë është sot, tani e këtu. Lejoje heshtjen të të flasë! Mësohu të ndalësh e të heshtësh sepse është kuruese.
Që të kuptohet rëndësia dhe vlera heshtjes na ndihmon tregimi i mëposhtëm:
Era dhe dielli
Një ditë era dhe dielli grindeshin rreth pyetjes se kush ishte më i fortë era apo dielli. “Do të të bind se jam njëqind herë me e fortë se ti,”- i kishte thënë era diellit. “E shikon atë plakun në fushë?Vë bast se do t’ia heq pallton para teje.” Dielli në këto fjalë u fsheh pas reve, e era filloi të fryjë me sa forcë që kishte. Sa më shumë që frynte era aq më shumë plaku e shtrëngonte pallton.
Më në fund era u qetësua e dielli doli nga retë, dhe me rreze të nxehta dhe në heshtje filloi ta ngrohte plakun. Pas pak kohe, u bë aq nxehtë saqë plaku e hoqi pallton. Dielli pastaj i tha erës se heshtja dhe dashamirësia janë shumë më të forta se zhurma e dhuna. (Marrë nga libri “Psikologjia e suksesit 1” Dale Carnegia) Nga M. Franciska (Suzana) Lekaj / KultPlus.com