8 Tetor, 2020 - 5:59 pm
Promovimi i librit “Dardania – antika, mesjeta” në Bibliotekën e Qytetit “Azem Shkreli” në Pejë, u prit me interesim të dukshëm, përcjellë KultPlus.
Autori, edhe me këtë rast, shfrytëzoi rastin të theksojë se libri i tij më i ri, që është elaborim nga përmbajtja e “Kosovës” në tetë vëllime, i kushtohet çështjeve fundamentale nga antikiteti dhe mesjeta, që paraqesin hallkën kryesore të identitetit historik ilir-arbëror-shqiptar, me të cilat duhet të preokupohet historiografia shqiptare me theks të veçantë te rivlerësimi i tyre, në mënyrë që të nxirret në pah e vërteta e mohuar qoftë nga konceptet ideologjike ose ato të limiteve nga historiografia serbe, e cila sot e gjithëditën vazhdon të shtrembërojë historinë shqiptare në përputhje me pretendimet e saj hegjemoniste nga Kriza Lindore e këndej, pasojat e së cilës tashmë po i ndjen edhe shteti i Kosovës, meqë me Pakon e Ahtisarit , është hequr dorë nga krishterimi ortodoks, si pasuri e saj kulturore dhe shpirtërore, gjë që Beogradit i janë dhuruar “tapitë historike”, të cilat ajo, kohëve të fundit, me anën e botimeve të veçanta, siç është ai për “Manastiret serbe në Kosovë e Metohi”, po i propagon nëpër botë, në gjuhë të ndryshme, si “pasuri shpirtërore serbe”!
Sipas autorit, këtu duhet parë edhe arsyet pse në një projekt alternativ të historisë së Ballkanit, ku në emër të “pajtimit të popujve” minimizohen ose anashkalohen fare gjenocidet serbe ndaj shqiptarëve nga vitet 1878, 1912 si dhe ai i fundit, i vitit 1999, që u parandalua falë ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, pinë ujë gënjeshtrat serbe, ndërkohë që historianët e Kosovës shfaqen inferiorë dhe thuajse të strukur kundruall këtyre fakteve.
Por, sipas autorit, ky skandal dhe reagimet e drejta që u shfaqen në opinion dhe media, paraqet një rast të mirë që institucionet tona shkencore, që nga ASHAK, Instituti i Historisë, Katedra e Historisë pranë Universitetit “Hasan Prishtina” të formojnë një trupë shkencore, e cila do të ofrojë një pamje tjetër, jo atë malinitetin sllav, i cili ka gjetur përkrahje të heshtur nga bartësi i këtij projekti, të ofrojnë argumente dhe dokumente, të cilat janë më shumicë, të cilat do ta japin një pamje reale të politikave gjenocidale sllave. E pakta që mund të behët nga këto institucione është që të dalin me kërkesën për tërheqjen e këtij botimi nga qarkullimi sepse, lëre më që nuk ka ndonjë vlerë shkencore, por përkrah stereotipet sllave në veprimin politik dhe në shkencë.
Bartësit të projektit t’i bëhet me dije se këtë metodologji të punës kuazishkencore e kemi të njohur shumë dekada më parë përmes “bërthamave të përbashkëta” të njohura si mekanizëm diskriminues për shqiptarët. Po qe se nuk hasin në mirëkuptim atëherë të ndërpresin çdo bashkëpunim më këtë qendër, e cila mbase ka pasur qëllime të mira, por që duke u bërë skllave e stereotipeve historiografike sllave vetëm sa e ka rritë konfuzitetin.
Në fund të promvimit, autori i dhuroi një kontigjent librash biotekës, për “këndin e autorit”. / KultPlus.com