23 Mars, 2018 - 6:07 pm
Melihate Deva – Nura, një mitrovicase e bukur, e hijshme dhe e mençur, do të bënte revolucionin e saj në mësuesi.
E lindur në vitin 1924, ajo u shkollua fillimisht në Mitrovicë, ndërsa më pas vijoi kursin pedagogjik të Normales “Sami Frashëri në Prishtinë”.
Ajo do të mbetet ikonë e shkollës dhe e arsimit shqip në Kosovë e më gjerë. Vlerësimi dhe falënderimi për punën dhe sakrificën e saj është bërë në mënyrë institucionale.
Sonte po e kujtojmë këtë grua të fortë e cila ndërroi jetë jo shumë kohë më parë. Kjo fotografi e sjellë Melihaten bashkë me udhëtarin e saj të jetës, Nevruz Nurën.
Pas Luftës së Dytë Botërore ajo emërohet mësuese në Gjakovë, por më pas burgoset nga organet e OZN-së për veprimtarinë e saj si mësuese në Mitrovicë dhe për organizimin e jetës kulturore e artistike në këtë qytet e rrethinë. U lirua nga burgu me urdhër që të vazhdonte të punonte në shkollat shqipe nën “pushtetin e ri popullor”, por së shpejti u pushua nga puna pasi tash u arrestua dhe u dënua për “faje politike.
Në vitin shkollor 1941/44 në Mitrovicë dhe në disa fshatra përreth kanë punuar shtatë shkolla fillore: një shkollë pesëklasëshe, një katërklasëshe, tri triklasëshe, dy dyklasëshe dhe një foshnjore. Numri i përgjithshëm i nxënësve që vijonin mësimet ishte 838 (668 meshkuj dhe 170 femra). Mësimet i mbante kuadri mësimor prej pesëmbëdhjetë mësuesve (12 mësues dhe 3 mësuese): Bedri Gjinaj, drejtor i shkollës fillore “Skënderbeg” në Mitrovicë dhe përgjegjës kryesor për shkollat shqipe në Prefekturën e Mitrovicës, Gjon Kabashi, Jorgji Shuteriqi, Ali Gaxha, Lina Shkreli, Melihate Deva, Zehra Zhubi, Qemajl Mujku, Taip Perjuci, Hajredin Saraçini, Qamil Demjaha, Feriz Peci, Nezir Halimi – Miftari, Sejdi Sulejmani, Haki Ahmeti, Qazim Zhubi, Hajrullah Hajrë) Haxhija, Musa Kalaja, Reshit Damati.
Me dekretin nr. 811 të dt. 11 prill 1994, Presidenti i Shqipërisë – Sali Berisha, e dekoroi Melihate Devën për meritat në hapjen e shkollave shqipe në Shqipërinë Veriore jashtë kufijve politikë të vitit 1913 të shtetit shqiptar (në vitet 1941-1944).
Ndërsa, më 7 mars 2013, nga presidentja e Republikës së Kosovës – Atifete Jahjaga, Melihate Deva-Nura u nderua me Medaljen Presidenciale të Meritës për kontributin e dhënë në emancipimin e gruas shqiptare përmes arsimimit dhe edukimit të saj.
Mësuesja Melihate u nda nga jeta në vitin 2017, por ka lënë gjurmët e saj në arsimin shqip dhe në gjeneratat që do ti japin një frymë tjetër Kosovës dhe edukimit të saj. / KultPlus.com