Historia e një shqiptari në CIA vjen përmes librit të parë të Bashmir Xhemaj

3 Prill, 2019 - 9:22 pm

Në praninë e shumë adhuruesve të librit, sot në librarinë “Dukagjin” u promovua libri “Një shqiptar në CIA – dy jetët e Destan Berishës” i shkruar nga Bashmir Xhemaj. Autori në këtë libër zbardhë jetën e një njeriu të zakonshëm por që jetoi historinë më të jashtëzakonshme të shqiptarëve në shekullin XX, shkruan KultPlus.


Kritiku i artit dhe publicisti Shkëlzen Maliqi, i cili ishte edhe redaktor i këtij libri, tha se për ta ka qenë surprizë ky libër sepse ai s’ka pasur nevojë fare që të redaktohet.
“Për ne ka qenë surprizë se ky libër ka qenë i gatshëm dhe s’ka pasur nevojë që të redaktohet dhe se ky libër mund të jetë një kthesë për historinë tonë dhe që flet për një shqiptar i cili ishte agjent i CIA-s në kohën e komunizmit në Shqipëri” tha Maliqi.


E gazetari dhe profesori i Historisë në Universitetin e Prishtinës, Durim Abdullahu, tha se ekziston një shprehje e famshme e cila thotë “më së miri është të shkruani një libër të atillë që dëshironi ta lexoni vetë” dhe se njëjtë ka vepruar Bashmiri që ka zgjedhur një personazh përmes së cilit rrëfen një varg të gjatë historish.


Po ashtu edhe studiuesi dhe historiani Bejtullah Destani tha që është i gëzuar që Bashmiri ka dhënë një libër të mrekullueshëm i cili mund të jetë një doktoraturë në Universitetet e Kosovës e jashtë saj.


E për fund parë të pranishmëve foli edhe vet autori i librit, Bashmir Xhemaj, i cili tregoi arsyet se përse kishte filluar të shkruante këtë libër, e ndër arsyet kryesore ishin që ai dëshironte të përçonte mesazhin tek të tjerët që të shkruajnë për historinë shqiptare dhe se ky personazh ishte një familjar i largët i tij ndërsa tha se me promovimin e këtij libri ai e ka përmbushur amanetin e babait të tij.


“Ky libër sjell diçka të re për historiografinë shqiptare, duke hulumtuar në arkivat shqiptare, italiane e greke, atëherë ky libër sjell argumente e dëshmi të tjera se nuk është vetëm Filbi, shkaktar i dështimit të operacionit, ka një sërë arsyesh të tjera. Amerikanët nuk kishin pranuar të hynin vetëm në Shqipëri madje edhe aeroplanët që i nisen mbi Shqipëri i përzgjodhën pilotët polak në mënyr që ata te pilotojnë. Shqiptarët nuk ishin të përgatitur për këto kushte dhe madje mbi të gjitha u nënvlersua regjimi i Enver Hoxhës në Shqipëri, ai pas luftës së dytë botërore kishte arritur të nderonte një sistem shumë të fortë dhe sigurimi i shtetit i kapte të gjalle pa rënë në tokë shumë agjentë shqiptarë me parashuta”, tha Xhemaj.

Ngjarjet në këtë libër zhvillohen nga krypersonazhi Destan Berisha, i cili pa ndonjë ditë shkollë luftoi përreth Prizrenit kundër italianëve dhe gjermanëve në kulmin e Luftës së Dytë Botërore. Me ardhjen e komunistëve në pushtet, ai largohet nga Kosova duke u strehuar në Greqi ku bën një jetë të rëndë në kampet e refugjatëve.


Në vitin 1948, ai merr kontakt me amerikanët të cilët kishin filluar përgatitjet së bashku me britanikët për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës në Shqipëri përmes dërgimit nga deti dhe me ajri të agjenteve shqiptarë. Gjatë katër viteve sa zgjati operacioni i CIA-s në Shqipëri, Destan Berisha hyri e doli disa herë por la mbrapa të vrarë shumë shokë të tij, kështu jeta e tij merr drejtim të panjohur dhe Destani për një moment shkëput bashkëpunimin me CIA-n.

Në këtë biografi, jeta e Destanit nuk përfundon me kaq. Aty ka edhe histori dashurie me një vajzë më të vogël në moshë se ai, epilogu i të cilës përfundon me dhimbje. E ardhmja nuk rezervon diçka të mirë për Destanin, i cili dekada më vonë, në një udhëtim të çuditshëm, arrestohet dhe burgoset në Jugosllavi duke u akuzuar si spiun i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky rast, nga zbulueset e dokumenteve të CIA-s, rezulton një prej “ngjarjeve më të mëdha sekrete mes Jugosllavisë dhe Amerikës”.
Bashmir Xhemaj është një figurë aktive në jetën publike në Kosovë. Gazetar për shumë vjet në televizion, ku ka mbuluar kryesisht politikën. Xhemaj ka studiuar komunikimin politik në Universitetin e Sheffield-it, dega në Selanik. Që nga viti 2014 punon si këshilltar për Qeverinë e Kosovës, fillimisht në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ky është libri i parë i tij./ G.Mujaj/ KultPlus.com

Të ngjajshme