19 Shtator, 2017 - 11:03 am
Libri i cili sjellë kontekstin kulturor, politik e shoqëror të kohës kur grupi ‘Gjurmët’ ka vepruar, “Gjurmët Long Play”, me autor liderin e grupit Migjen Kelmendi, promovohet këtë të enjte, përcjellë KultPlus.
Libri në anglisht e në gegnisht ka qenë pjesë e një kutie multimediale me CD, hartë të qytetit, poster e artefakte tjera që ishte botuar në vitin 2001.
Të enjten promovohet ribotimi i po këtij libri, që u mundësua me ndihmën gjeneroze të Fondacionit “Un e du Kosovën”, si botim i Java Multimedia Production dhe vjen me një standard të lartë hard-cover, me shumë foto kolor e bardh-e-zi, shtypur në Vjenë.
“Si asht jetue, si asht dashunue, si asht knue e si jane veshe e cullakue, si asht shkrue e fole ne kohen kur grupi Gjurmet i ka krijue kanget e veta ne ish Jugosllavi. Ku mbeti lumi i Prishtines, ku mbeten serbet dhe serbët me te cilet shqiptaret kishin jetue bashke, qysh u ‘ngrine’ e u ‘koçiten’ kur vdiq Josip Broz Tito, qysh u pa shembja e Jugosllavise se Titos ne skenen e rock’n’rollit, ku humben traktorat “Ferguson”, çka u ba me kredite 1 me 3, e shumeçka qe e ka determinue kohen kur Migjeni, Bekimi, Tomorri, Petriti e Armando ‘cepatshin’”, shkruan në event.
Parathëniet për ribotimin e librit “Gjurmët Long Play” i kanë shkruar Chris Keulemans (shkrimtar dhe ish drejtor i Qendrës Kulturore në Amsterdam “De Balie”), Shkëlzen Maliqi (filozof) dhe Ragip Luta (ish gazetar i seksionit shqip BBC.)
Më 21 shtator në Dit’ e Nat’, në orën 19:00 do të shpaloset gjithçka. / KultPlus.com