4 Maj, 2021 - 11:15 pm
Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka lidhur sot më 4 prill 2021 kontratën për realizimin e nismës shkencore për hartimin dhe botimin e veprës madhore “Historia e shqiptarëve”, ku drejtues të tekstit janë akademik Pëllumb Xhufi dhe Neritan Ceka.
Kontrata u nënshkrua nga përfaqësuesi i Akademisë së Shkencave, drejtori i Qendrës së Botimeve Albanologjike dhe Encikopedike, prof. Irakli Koçollari.
Pas nënshkrimit të kontratës grupi i punës bëri një takim me mediet, ku akad. Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave, përshëndeti grupin e punës dhe tha se kjo vepër hartohet në kuadrin e nismës për tri veprat madhore albanologjike: “Enciklopedia shqiptare”, “Fjalori i madh i shqipes” dhe “Historia e shqiptarëve”.
“Për veprën “Historia e shqiptarëve” do të mobilizohen institutet, qendrat kërkimore shkencore dhe përfaqësues të botës akademike”, – theksoi Gjinushi.
Drejtues i tekstit akad. Pëllumb Xhufi u shpreh se “rishkruhet një vepër me vlerë kombëtare dhe “Historia e shqiptarëve” do të jetë e dimesioneve të tilla ku përshihen edhe shqiptarët jashtë kufijve, dhe jo vetëm që zgjerohet harta demografike, por vepra do të jetë me një natyrë specifike shkencore. Për të do të të punojë pjesa më elitare e studiuesve të antikitetit e deri në ditët e sotme”.
“Historia e shqiptarëve” do të realizohet duke shfrytëzuar një numër të madh autorësh dhe burimesh të rralla dhe vëllimet arkivore, ku do të ketë vlerësime, analiza, konfortime burimesh dhe autorësh për çështje me interes të veçantë apo të debatueshme historiko- shkencore.
Drejtues i tekstit prof. Neritan Ceka, arkeolog, e quajti risi përfshirjen e historisë së antikitetit, me të cilën fillon “Historia e shqiptarëve” e kryesisht të periudhës ilire si një zanafillë ku ka nisur edhe të formësohet identiteti ynë kombëtar.
Në tekstin “Historia e shqiptarëve” do të përfshihen veç historisë së mesjetës edhe prurjet në lëmin e arkeologjisë, studimet dhe vepra të autorëve të shquar të antiketit si Hasan Ceka, Skënder Anamali, e të të tjerë.
Prof. Sabit Syla, drejtor i Institutit të Historisë në Prishtinë foli për rëndësinë e bashkëpunimit me Akademinë e Shkencave për “Historinë e shqiptarëve”, ku për herë të parë bashkohet puna kërkimore dhe studimore e shqiptarëve të të gjitha trevave. Ai tha se kërkimet dhe studimet shkencore në treva të Kosovës, tashmë do të përfshihen në një histori të përbashkët
Janë 20 autorë pjesëmarrës në hartimin e veprës: akad. Pëllumb Xhufi, prof. Skënder Muçaj, prof. Neritan Ceka, prof. Gjon Berisha (Kosovë), prof. Sabit Syla (Kosovë), akad. Myzafer Korkuti, prof. Saimir Shpuza, prof. Luan Përzhita, prof. Ferit Duka, prof. Adem Bunguri; prof. Apollon Baçe, prof. Paskal Milo, akad. Beqir Meta, prof. Sonila Boçi, prof. Ledia Dushku e të tjerë autorë kontribues që do të punojnë për hartimin e një vepre me 1500-2000 faqe, me tre vëllime dhe me një shtrirje kohore të lëndës që nga antkiteti deri në kohët moderne. Projekti do të finalizohet në vitin 2023./atsh/ KultPlus.com