12 Qershor, 2020 - 1:37 pm
Nga Ilir Canhasi
-Përshtypje nga leximi i librit “Kosova” 1912-1945 të autorit Jusuf Buxhovi, botoi “Jalifat Publishing” dhe “Faik Konica”, Prishtinë 2015
Sa herë që e lexojë historinë e popullit shqiptarë aq herë më rrëqethet trupi nga vuajtjet, vrasjet, burgosjet, shpërnguljet, humbjet e territoreve dhe pasurive private e shtetërore.
Por, pastaj ndalem dhe mendoj, por nuk ishin vetëm të huajt që na binin ditë të zeza, ishim edhe ne bashkëfajtorë.
Pse, pse ky popull kaq i vogël e lindi kaq shumë tradhtar???
Ndoshta në një periodë kaq të shkurtër kohore me një zhvillim të marramendshëm të shpejtë të ngjarjeve ishte e pamundur që çdo figurë politike të mos gabonte, por gabimet e tyre dallonin në ato të mëdha që ishin te kobshme për të ardhmen e vendit dhe gabime të vogla e të mundshme për riparim.
Historia na tregon disa herë që qeveritë shqiptare u ngritën me ndihmën e Serbisë.
Ishte qeveria e Esat Pashës, qeveria e Ahmet Zogut dhe në fund kishim Enver Hoxhën që morri në dorë udhëheqjen Shqipërisë me ndihmën e Serbisë.
Ishte Ahmet Zogu që me ndihmën e Serbisë i shpallë luftë të pa mëshirë ndaj figurave të mëdha në popull siç ishin Bajram Curri, Azem Bejta, Hasan Prishtina e shumë të tjerë.
Dhe në fund kishim Enver Hoxhën që me ndihmën e komunistëve serbë morri pushtetin në Shqipëri.
Në libër autori përshkruan edhe luftërat vëllavrasëse gjatë 1912-1945:
Kishim tri luftëra vëllavrasëse:
Lufta e parë 1914-1915 grushtshteti islamik proturk në krye me Haxhi Qamilin “ duam babën”.
Lufta e dyte 1924 grushtshteti kundër qeverisë së Ahmet Zogut dhe Lufta e tretë 1944 kur Enver Hoxha me njësitet shqiptare dhe serbe sulmojnë forcat reaksionare siç ishin Ballistët, Zogistët, SS-Skenderbeg.
Për lexuesin shqiptarë është e qartë kur lexon për programet antishqiptare të akademikëve serbë si ” Naçertanja” e Ilia Garashaninit dhe “Shpërngulja e Shqiptarëve” (Iselevanje Arnauta) e Vasa Çubrilloviqit, por është e pa kuptueshme qëndrimet e komunistëve shqiptarë nga Shqipëria.
Hyrja e brigadave të Shqipërisë në Kosovë ishte mashtrimi më i madh në historinë e Kosovës.
Nga frika që kishin për tu përballur me forcat balliste, zogiste dhe të SS-ve shqiptare, Tito dhe komunistët serbo/jugosllav dhanë urdhër dy brigadave shqiptare të Shqipërisë të nisen për në Kosovë për të mashtruar popullin se ne jemi këtu që t’ju mbrojmë nga gjermanët fashistë.
Me fotografi të Titos dhe Enverit dhe me dy flamurët atë shqiptar dhe jugosllav, pasi luftuan disa ditë me vëllezërit e tyre shqiptarë dhe forca të pakta gjermane morrën qytetin e Gjakovës, duke valëvitur flamurin shqiptar dhe pa KURRFARË PARALAJMËRIMESH SE PAS TYRE DO TË VININ ARADHAT PARTIZANE SERBO/JUGOSLLAVE.
Këtë poshtërim na solli Enver Hoxha, Ramiz Alia, Reiz Malile e të tjerë.
Dy gjenocide serbe dhe një gjenocid të përbashkët nga serbo-shqiptarët komunist.
Kishim dy gjenocide të bëra më herët nga serbët mbi popullsinë shqiptare, atë të vitit 1877-8 dhe të vitit 1912, por që gjenocidi i tretë ndaj popullit shqiptarë të ndihmohet edhe nga vetë komunistët shqiptarë të nisur së pari nga Enver Hoxha me bashkëpunëtorët e tij e pastaj të ndiqet edhe nga komunistët shqiptarë të Kosovës siç ishte Fadil Hoxha me bashkëpunëtorët e tij kurrë se kisha besuar që kjo mund të ndodhte.
Gjenocidi i tretë mbi popullin shqiptarë të Kosovës filloi kur Tito pranoi ofertën e Çubrilloviqit për vrasjen e 200.000 gjermanëve dhe 50.000 shqiptarëve.
Urdhri për mobilizimin e mijëra shqiptarëve për ti dërguar në front erdhi nga shtabi suprem i armatës Jugosllave dhe e zbatuan shtabet e divizioneve V e VI të UNÇ të Shqipërisë.
15.000 mijë shqiptarë vdesin në frontin e Sremit.
Komandant Shaban Haxhia nga Tropoja tregon:
“Mbasi kishim hyrë brenda kufijve të Serbisë, na ngujuan në trena të mbyllur dhe 48 orë na mbajtën në çelës. Nuk dinim se ku ishim e shka po bahet me ne…Na dukej vetja rob lufte…pa ushqim.
Po na vinte një vdekje e ngadalshme. Ma në fund, na përplasen në Banatë në duart e oficerëve serbë. Qëllimin e kuptuam, kur na përpiu një tifo dhe na hallakatën nëpër repartet serbe në luftime. Shtabin tonë shqiptarë na e hoqën dhe e kthyn për në Kosovë…”
Komandanti e përfundon me fjalët tronditëse:
“U kthyem pa ushtri në Kosovë. Pyetjet se ku i lamë djemtë tanë, ishin tepër rënduese për ne….”
Ndërsa në vrasjen e Shaban Polluzhës me 8000 luftëtarë të tij në Drenicë, Ramiz Alia duke lëvduar punën e partizanëve jugosllav raporton:
“ Kjo lëvizje ka qenë dhe ka përfshi në gjirin e saj një pjesë të mirë burrash 7000-8000 të armatosur. Lëvizja e këtyre reaksionarëve u shua disi nga veprimi i disa brigadave të Kosmetit dhe disa brigadave jugosllave të ardhura për këtë punë. Tashti gjenden akoma grupe të vogla bandash nga 20-30 vetë…”
Në një raport të Reiz Maliles, zëvendës komisar politik i Divizionit V dërguar komandantit suprem Enver Hoxhës shkruan:
“ Partizanët shqiptarë janë duke ndjekur dhe asgjësuar bandat reaksionare kosovare, nē njē sulm ku morri pjesë edhe Divizioni VI asgjēsuam 68 reaksionarë kosovarë”.
Brigadat shqiptare përveç vrasjeve bënin spastrimin e terrenit nga përkrahësit dhe tē familjeve të tyre, burgosjes së tyre, të gjithë dezertorët e kapur janë dorëzuar te shtabi operativ i Kosmetit, ku ata pushkatoheshin ose dërgoheshin si njësi plotësuese partizane në frontin e Sremit, ku gjenin VDEKJEN E PASHMANGSHME SI PARAROJË PËR PASTRIMIN E TERRENIT NGA MINAT.
Nga të dhënat jugosllave del se nga Divizionet shqiptare partizanëve jugosllavë u janë dorëzuar mbi dy mijë shqiptarë që ishin dorëzuar te ta, ku këta së bashku me 13.000 ushtarë të tjerë shqiptarë të mobilizuar me dhunë i dërgojnë në grupe të vogla në frontin e Triestës, ku shumica e tyre u vranë gjatë rrugës Prizren-Kukës-Shkodër-Mali i Zi.
Dhe masakra më e madhe ndodhi në Tivar ku u vranë qëllimisht mbi 4000 mijë shqiptarë dhe 400 shqiptarë në një depo të Shibenikut kur atë do ta marrë flaka.
Pas këtyre vrasjeve, burgosjeve, shpërnguljeve të shqiptarëve nga komunistët serbë dhe shqiptarë nga frika udhëheqësit shqiptarë të Kosovës njëherit nënshkrues të marrëveshjes së Bujanit ( Mehmet Hoxha kryetar, Fadil Hoxha mësues, Ali Shukriu, Hajdar Dushi etj) ndryshuan qëndrimet e tyre 100% kur votuan pro rezolutës për bashkim të popullit shqiptarë me serbinë mbajtur në kuvendin e Prizrenit me 1945.
Mehmet Hoxha:
“Që Kosova dhe rrafshi i Dukagjinit t’i bashkohen Serbisë Federale, nuk e frikëson popullin shqiptarë, por e forcon dhe i jep siguri se do të ketë të njëjtat të drejta me popujt e tjerë”.
Xhavid Nimani:
“Është dëshirë e masave tē gjëra të Kosovës e të rrafshit të Dukagjinit që të bashkohen me Serbinë Federale”.
Memorandumi i Çubrilloviqit
Në radhë të parë është e nevojshme që për shpërnguljen e Shqiptarëve, të bëjmë për vete klerin dhe njerëzit me ndikim, me para ose me shtrëngim…
Dr. Vasa Çubrilloviq 1937
Statistikat tona të viteve 1921-1931, tregojnë se politikën tonë të kolonizimit e mundi pjellorja e grave shqiptare.
Pra, shtrohet pyetja: cili ishte gabimi më fatal për kombin shqiptarë?
Gabimi më i madh historik i popullit shqiptarë sipas meje ishte prishja e marrëveshjes së Mukjes me 1943 nga Enver Hoxha.
Më 1943 filloi tmerri i shqiptarëve në Ballkan e që përfundoi me rënien e komunizmit në Shqipëri dhe sulmin e Nato-s ndaj forca e serbe.
A ka tentime që edhe sot Shqipëria me liderët e saj të përzihen në punët e brendshme të Kosovës?
Po! / KultPlus.com