2 Mars, 2023 - 11:46 am
Mark Manson
Charles Bukowski ishte një i alkoolizuar, një kumarxhi i rregullt, një që bridhte pas grave, dhe në ditët e tij më të mira, ishte poet.’ Pra, personi më pak adapt për të dhënë këshilla jete. Kaloi shumë vite të vështira- askush nuk e përfillte veprën e tij. Çdo revistë, gazetë, botues i hidhte poshtë punët e tij duke i quajtur ‘të tmerrshme, të neveritshme, perverse’. Kundërshtimet e vazhdueshme e shtynë Bukowskin më thellë në depresionin e vet të alkoolizuar. Ditët i shtynte në një punë të rëndomtë në postë, ato pak të holla që merrte i shpenzonte natën nëpër klube.
Tridhjetë vjet i kaluan mes këtij trekëndëshi të helmuar – alkool, kumar, prostituta. 50 vjeç, pas një jete të tërë dështimesh, mori një ftesë bashkëpunimi nga editori i një shtëpie botuese të vogël. Ky nuk kish mundësi t’i ofronte shumë para, por duke kuptuar se për të ish shansi i parë dhe mbase i fundit, Bukowski i shkruan ‘Kam përpara këto dy zgjedhje- të vazhdoj në postë dhe të çmendem…ose të iki prej saj, të bëj shkrimtarin dhe të vdes urie. Kam vendosur të vdes urie.”
Nënshkroi kontratën dhe Bukowski shkroi romanin e tij të parë për tre javë. Titullohej thjesht ‘Zyra Postare’… Bukowski do t’ia dilte mbanë si shkrimtar dhe poet. Botoi 6 romane dhe qindra poema, duke shitur më shumë se 2 milionë kopje librash. Popullariteti i tij i kaloi pritshmëritë e të gjithëve, sidomos të vetë atij.
Historitë si e Bukowskit janë buka dhe gjalpi i fabulës kulturore të modernitetit. Bukowski simbolizon ëndrrën amerikane: njeriun që lufton për atë që do, që kurrë nuk heq dorë, dhe që, më së fundi, arrin te ëndrra e tij… Atëherë pse është aq i çuditshëm epitafi mbi varrin e Bukowskit që thotë: ‘As mos u përpiqni’.
(Mos çani kokë) “Sepse me gjithë shitjet e librave dhe famën, Bukowski ishte një dështak dhe e dinte këtë. Suksesi nuk erdhi nga ndonjë vendosmëri e madhe për të qenë fitimtar, por nga fakti që ai e dinte kush ish, e pranonte këtë fakt, dhe shkroi shumë ndershmërisht për të. Ai asnjëherë nuk u përpoq të ish diçka tjetër nga çfarë ish. … Aftësia e tij qëndron thjesht tek të qenët komplet i ndershëm me veten – sidomos me pjesët e saj më të këqija- dhe tek të shkruarit hapur mbi dështimet e tij, pa hezitim, pa dyshim”.
“Historia e vërtetë e suksesit të Bukowskit është: rehatia e tij me dështimet e tij. As që e çante kokën për suksesin. Edhe kur u bë i famshëm, vazhdonte të shkonte i pirë në sallat e leximit dhe të abuzonte verbalisht me spektatorët. Vazhdonte përpjekjet për të fjetur me çdo grua të mundshme. Fama dhe suksesi nuk e bënë më të mirë. Ai nuk u bë i famshëm dhe i suksesshëm sepse fillimisht u bë më i mirë. / KultPlus.com