Humbja e hijes

9 Dhjetor, 2021 - 3:00 pm

Ibrahim Berisha

Me dhuratë simbolike në dorë u paraqita në derë me dëshirën e paluhatshme për të mësuar fatin tim. Ndrydha kapakun e syrit të majtë, për të ndjerë më shumë dhimbjen e kokës. Doja të dija nëse më shkaktonte trishtim vetëm daltonizmi i pjesërishëm. Nuk kisha si ta dalloj kur lexova në revistwn Shneta. Radhiteshin treqind lloje dhimbjesh.

Nuk e dalloj, psherëtiva, i pafuqishëm.

Mana pa arritur të më ngushëlloj kur i tregova fjalët e mjekut popullor, Eram.

E vetmja mundësi për të njohur formën, janë ngjyrat, e bardha dhe e zeza, më  tha. Errësira mund të përdoret si një kontrapunkt i vendeve të ndriçuara për të krijuar linjat kryesore dhe boshllëqet, këtë që vazhdoi ta thotë ajo.

Kur u stepa dhe po e shikoja hutuar, ajo vazhdoi: Edhe bisha edhe njeriu ndryshojnë ngjyrën kur rrokullisen kah teposhëza. Rrokullisja ndonjëherë është fshehtësi e emocionit të panjohur, po të pritshëm.

Isha i sëmurë, por jo sa të më trajtonin krejt të pavlefshëm, madje, siç më thoshte, Mana; “pak a shumë edhe të padobishëm”. Lënia ndër të padobishmit, pa e përcaktuar llojin e dhimbjes, sado që nuk kisha përshtypjen se më trondiste, isha shumë i sigurt, nuk më gëzonte aspak.

Alternimin e dritës dhe errësirës, nuk e kuptoja, sado Mana mundohej të ma sqaronte me udhëzime të kujdesshme.

Frikën nuk e dëshiroj, por ajo është. Nuk më shqitet, i thashë asaj.

Preokupohesha nga ajo që lexoja në doracakët për Disomniaan, për shqetësimet dhe pagjumësinë. Pikërisht më dilte para shtrirja lakuriqe, kur trupi im jepte shenja lodhjeje dhe për katër javë e tri ditë, vështirë i mbyllja sytë. Nuk dalloja ëndrrën nga gjumi, por as nuk mund të thosha se isha plotësisht i çliruar nga nxitja e luftës, aq më pak nga përballja e ngjyrave. Prandaj, e kisha në kokë mendimin e pakëndshëm për të ardhmen time, më rëndonte sa pesha e errësirës së akullt. Për shembull, po ta takoja sërish Manën në rrethana të papritura, dhe po të binte puna të dalloja ngjyrën e këmishës, flokët, lëkurën e saj, a do të mund të saktësoja, cila ishte më e pastër dhe joshëse? E zeza apo e bardha?

Jo, e këtë e ke të pamundur, i thosha vetes pa u hamendur: Do të pajtohesh një ditë me pafuqinë! Drita jote nuk do të ndahet më nga errësira, sikur u ndanë Dielli dhe Hëna në ditën e katërt të krijimit.

Dita a pafuqisë më zu befas. Saktësisht kur u bënë katër javë dhe katër ditë, gjumi nisi të më zinte, aq papritur, sa nuk e kuptoj as sot e kësaj dite si i përballoja zgjimet e ngadalshme e të vona në gjysmë të ditës. Kur ikte gjysma e ditës, merrja vesh se ishte gjumë, mbasi për një apo një orë e gjysmë, unë shihja veten nëpër situata të pamundshme pasëndërrimi. Gjysmëndërroja, por nuk e përkufizoja qartë vijën morfiane dhe ndarëse, midis ëndrrës dhe zhgjëndrrës. As ditën dhe  natën.

Pafuqia më përcillte si hija dikur. Në ëndrra shihja shumë ngjyra, por nuk dëgjoja tinguj. Realiteti më mbyste. Edhe mund të isha në gjumë të thellë, por më bëhej se isha zgjuar duke bërë gjëra që nuk i kisha shpresuar ndonjëherë. Duke kërkuar arsye të çlirohesha nga ato tundime, më dërgonin pakuptimësitë aq larg dhe më kthenin aq të poshtëruar. Kisha gulçime, dhe ato më kapnin për fyti, sa kur hapja sytë për të kuptuar ku gjendem, shihja se duart e mia shtrëngojnë me forcë luani arrzën e fytit. E ngulfatja vetveten.

Nga vizitat te mjeku popullor, Erami, sa dola nga dera, shënova vetëm dy këshilla. Njërën nisa ta zbatoja, por jo edhe aq përpiktë. Shënoja vendet, ditët, ngjarjet dhe personazhet e gjumit. Të gjithë ishin të lumtur, por e kërkonin arsyen e lumturisë. Lumturia e tyre buron nga palumturia e madhe, përfundova pas dy javë shënimi. Me kaq përfundoi këshilla e parë.

E dyta, por që nuk mbërrita ta zbatoja, megjithëse e kisha në mendje, ishte shënimi i formave të hijes. Nuk dalloja asgjë. Bota e hijeve për mua ishte botë e asgjësë. Nuk do ta shihja asnjëherë më hijen time, por e dija, ajo ishte veshja, bllokimi i dritës nga trupi im. Dritë e errësuar, thënë saktë.

Dua të sqaroj gjendjen time: Ky është fati im sot. Të kem hije, sikur të gjithë njerëzit, por për shkak të pafuqisë për të ndarë dritën dhe errësirën, unë nuk shoh asnjëherë hijen time. Domethënë kam hije, por nuk e shoh. A pajtohem me fatin? Nuk ka rëndësi nëse nuk pajtohem, prandaj me duhet të ruaj qetësinë deri në fund./ KultPlus.com

Të ngjajshme