Humbja e Zojës dhe Norës

2 Gusht, 2021 - 12:30 pm

Ibrahim Berisha

U plandosa sapo kalova preka kufirin. Nuk e përballoja dobësinë e gëzimit kur me gruan dhe vajzën largoheshim nga vija, e cila në fushëtirë ndante një ferr nga parajsa e vërtetë. Një hap mbrapa ishte shtrati i shtrirë i pritjes dhe frikës i mbyllur në kafaz. Ndërsa tani që isha plandosur në barin e lagshtë, se pas dy ditë e net qëndrimi në zonën afër, ndjeva trupin e ngrirë, po mbase të dashur që nuk u dorëzua në baltën e prillit, i mbytur nga shiu që vijonte të shtypte deri në tokë me retë e zbritura sipër thikave të holla, mbajtur nga ushtarët tashti, vetëm njëzet hapa tutje.

Thashë, shpëtova, o botë, edhe një herë unë linda, o zot. Kështu vazhdova të thërras  me fytyrën në fëlliqësirën e baltës aq sa gruaja me lot faqeve, më mbante krahësh e përkulur mbi, thoshë: Çohu se shpëtuam, ecim, shkojmë, më kupton. Ikën të gjithë.

Po unë kisha harruar urrejtjen për pafuqishmërinë time përpara gjithë atyre mjekrave e maskave, të cilët më lehtë mund të të grinin se të thithnin një tufë ajër dhe tashti nuk më jepej të ngrihesha për të ecur zvarrë deri në njërën nga veturat përtej laurës, radhitur duke pritur shpresëhumburit me duart në fytyrë.

O zot, sot po të mbështetemi në çastet e pafuqisë, ngashëroja, dhe atëherë, edhe hapa sytë e nuk pashë gruan dhe vajzën dymbëdhjetë vjeçe Norën. Shikova gjithë çka mund të shihej përreth, por përsëri nuk pashë njeri.

Tash nuk shoh fare, i verbër të jem tërë jetën! Oh, kjo është më shumë se e tmerrshme, thashë e provova tundjen e kokës.

Thirra gruan: Zojë!, aq fort  sa u pendova se mund ta lëndoja në këtë ditë dëshprimi të papërfunduem jo vetëm ate, por edhe të tjerë, të cilët mbanin dhimbjen e humbjen e pakthyeshme, zvarritur nëpër tokë.

Unë vërtetë do të mund të isha i verbër  në këtë botë që dukej tamam e pështyrë, sipër me retë që zbrisnin edhe thellë thikave të ushtarëve, të cilët pak më parë  i shihja vetëm, vetëm njëzet metra tutje.

Ky është fund i së kaluarës sime me dritë, me shikim, mendova. Po filloj tashti gjithmonë të vazhdojë jetën me errësirën.

Zojë, thirra duke pritur patjetër përgjigjen.

Prisja të veçantën e përgjigjes së saj, ndërsa ajo më mohonte. Në një tollovi aq sa njerëzit japin shpirt në shpinën e njëri tjetrit. Ajo me vajzën mund të ishte ngatërruar me ndonjë tjetër që kishte ikur, i qe qasur mbas për të shpëtuar dhe tashti ndërmjet lirisë dhe meskufirit, do të zgjidhte të parën.

Përreth lagëshitra të rrudhte edhe më shumë shikimin. Isha i vetëm në meskufi. Zhurma e madhe u zëvendësua nga qetësia e madhe.

Çfarë zhvendosje e papritur, thashë.

U zvarrita pa forcë nuk di sa nëpër baltë që dukej më shumë e ngrirë dhe pas kalimit të një të humburi orientimi të gjatë, hapa sytë që më gjasonin si hije të natës. Unë u zgjova nga gjumi, paskam fjetur, mendova. Sytë e ftohtë i hapa me dhembje mbi mjekrrën e lagur.

Rojtari si një kalë të vdekur pas therrje thellë në bark, më shikonte, pa ditur çfarë të bënte me mua. Mbi kokë pezull mbante shkop druri. Sa e zakonshme të më godasë me shkop, mendova duke shikuar nga pushka që i zvarrjen në krah. 

Nuk ka njeri në meskufi, pyeta pastaj në një mënyrë të pasigurtë.

Je ti i vetëm, përgjigji rojtari.

Në cilën ditë jam? Më duket kam ardhur nga aq ditë të largëta.

Të kam shikuar gjatë, tha ai. Nuk ta nxora gjumin se koka më tregonte, po flije jo si një fëmijë, por si një plak para vdekjes. Kur ikën gjithë ata njerëz, ty të doli gjumi. Tani je i vetëm.

Zoja, po vajza, ku, thirra gjysmë i fjetur po hapësira përrreth bëhej ende më e mjegulluar.

Ndoshta nga mëshira, rojtari la shkopin, më mori me duart me dorëza dhe drejtoi trupin tim të ngrirë. Këmbët si dy dru’ më shumë, u ndalen në fund, vertikale të thyera.

 Të gjithë ikën, vetëm ty të zumë, tha. Të them unë, tashti nuk  mund të ikësh, as nuk mund  të kthesh në shtëpi. Je i dënuare gjithë jetën të rrish në këtë meskufi. Kur të mërzitesh e të humbasish durimin, të mos kesh dilemë më për këtë, më thirr.

Kanë humbu Zoja dhe Nora ime, i thashë.

Unë kam urdhër të të vras dhe ti do të zhdukesh njëherë e përgjithmonë e mirë nga kjo botë  kurthi pafundësisht. Sa më shpejt të kryejmë punën, të dy do ta kemi më mirë. Ti mbetesh në shtëpinë tënde të përhershme, ndërsa unë shkoj në shtëpinë time të përkohshme, përfundoi rojtari./ KultPlus.com

Të ngjajshme