18 Mars, 2018 - 1:00 pm
“Hylli i Dritës”, revistë kulturore – letrare, u themelua nga Át Gjergj Fishta, në vitin 1913, pikërisht në kohën e pavarësisë kombëtare, kur shtetit të ri, duhej t’ i jepej shpirt dhe orientim, përcjell KultPlus.
“Dijetarët dhe patriotët e bashkuar rreth idesë së kësaj reviste, punonin me shumë dashuri e përkushtim për një përlindje shpirtërore e kulturore. Punonin që shtetit t’i jepej shpirt dhe orientim të qartë perëndimor. Prej asaj kohe, revista luajti rol të jashtëzakonshëm në formimin kulturor të Shqipërisë, duke u bërë një lloj institucioni, që arriti t’ i bashkoi mendjet më të ndritura të kohës, rreth idesë së emancipimit kulturor dhe lartësimit kombëtar”, shkruan Ndue Ukaj në një postim të tij në Facebook, pasi ka marrë në dorë numrin e fundit të kësaj reviste.
Át Zef Pllumi, i cili e ringjalli “Hyllin e Dritës” pas disa dekadave, e quajti atë “busulla në të cilën shënohet vetëm një drejtim: Europë.”
Kjo revistë, lindi “nëper ag të qytetnisë së Shqypnisë”, dhe u bë shenja më domethënëse e qytetnisë dhe kulturës kombëtare.
“Revista vazhdon edhe sot të botohet nga Provinca Françeskane e Shqipërisë. Ky është numri i fundit”, përfundon Ukaj./ KultPlus.com