24 Mars, 2020 - 7:00 pm
Shkruan: Ibrahim Berisha
Tregim:
Mjeshtrit dhe plaka
Dymbëdhjetë ditë të qershorit mbasi ushtarët e Mjakëll Xheksonit hynë në Prishtinë, tetë kilometra më larg në perëndim, dhjetë metra buzë rrugës magjistrale dymbëdhjetëmetërshe të gjerë, u hapen gropat për ndërtesën e re. Ishte ara e Hasim Morqit, e shitur, nuk di kush sa e si. Pazari qe bërë tre vjet më parë, kur Morqi i fundit, plaku Ekul, la këtë vend.
Fshatarët e Melqit i thonin: Bunar. Aty u hapen gropa nga mjeshtrit, që mbasandej në ditën e tretë u zgjaten në formë kanalesh e rrjeta merimange. Përrreth, gjithë shtëpitë ishin të djegura. Trishtonin pa njeri dhe era e ngatërrueshme e drunjve të lagur nga shirat e qershorit, mbushte fushën që kishte nisur të bëhej e paprekshme me bar e therra drishti.
Ditën e katërt, kur tre punëtorë po endnin dërrasat anash kanaleve, një plakë e mbushur frymë e athësi thinjilli, u afrua, me zor uroi: “Puna e mbarë u kjoftë!
“Paq jetë të gjatë, moj plakë”, i tha kryesori i punëve, Argoni, djalosh që nuk e shikoi fare kujdesshëm të kërrusurit e gruas, e cila po ikte pa kthyer kokën anash, por duke e mbajtur fytyrën si të ngjitur me frymën e tokës.
“Dini gjë ju, apo nuk dini asgjë”, tha e nuk ktheu kokën mbas. “Apo, nuk dini asgjë”, tha përsëri pa kthyer kokën.
Të nesërmen, po në atë kohë, plaka erdhi dhe solli një shishe ujë, e pyeti: ”Pse e bani me kaq nguti?”.
“Jemi vetëm punëtorë, nuk dimë gjë”, tha Argoni, djaloshi që dje nuk e kishte shikuar mirë plakën. Tashti e pa dhe ndërsa ajo po ikte, e pyeti: ”Do të vish edhe nesër”.
“Nuk di”, përgjigji plaka. “Jam e vetme, dhe po të kem kohë, do t’u sjell prapë ujë”.
“Dini gjë ju”, tha duke ikur, kur dukej se nuk mund të kthente kokën më mbas, krejt njësoj sikur dje. Kur ajo humbi fare mbas ca shelgjeve, Argoni la mënjanë gozhdat që i rëndiste përgjatë dërrasave, të lidhura anash me bosh.
“Ju shqetëson ardhja e kësaj plake në këtë pikë dite? Janë dy ditë që vjen. E keni pikasur çfarë thotë. Dini gjë ju, dhe ikën. Nesër unë do të ikë porsa ta shoh, atje mbas rrugës, në fund të fushës”.
“Mos u bëj bestyt”, e qortoi Mekami. “Ajo na sheh, ende nuk ka njeri që merret me ndërtimin e shtëpive të djegura, e lëre më të ndërtojë një të re në fushën pa kufi. I duket plakës gjë e jashtëzkonshme. Unë them, rrimë. Nuk largohemi. Është e lënë dhe e shkretë. Flet kot”.
“Nuk di çfarë të them”, tha pa hedhur fare mënjanë sharrën. “Nuk di, por mirë thotë Argoni. Thua mirë edhe ti, Melir”, tha Demiri.
Kolona e KFORI-it, ushtarë të ngritur sipër kanatave të benzave, një kilometër larg, dukej se humbi në vapën që kish nisur të mbushte dyshemenë e dheut me të nxehtë dielli, i cili, djeg së pari koren e masandej edhe bimët. Është klimë kontinetale-mesdhetare në Fushë të Kosovës, por vera të thanë, me të nxehtë që nuk fillon kurrë në periudhë maj as në qershor dhe nuk përfundon kurrë në shtator as në tetor.
“Nuk di çfarë të them, pa mundur të përcaktojmë veprimin e saj të ardhshëm. T’i qahemi pronarit”, tha Meliri. Ndërroi mendje përnjëherë: ”Po, prapë them të presim”.
Kur ditën e tretë mjeshtrit u zunë me këndin e parë të themelit, nëse do të shkonte hark apo kënd, plaka mbërrini me shishen tjetër të ujit. Ishte shishë coca cole, plastikë, por e pastër. “Më doli edhe sot kohë dhe erdha, t’u sjell ujë”, ritmoi ajo si ditët tjera..
“Pse mundohesh kaq shumë, plakë e mirë”, i tha Argoni. “Ne duhet të vijmë dhe jo të udhëtosh ti kaq gjatë. Ajo shtëpia jote nuk duket fare nga këtu. Do të vijmë të shohim nëse ke ndonjë nevojë për meremtim. Mos u ngarko e mundo se ne pronari na sjell mjaft ujë dhe ushqime. Nuk na nevojitet asgjë”.
“Nuk kam fare shtëpi”, tha plaka. “Shtëpinë time nuk e sheh njeri, as që mund ta shoh. Doja t’ju bëj këtë të mirë. Nuk u sjell më as ujë. Paqi punë të mbarë. Por, dini gjë ju apo nuk dini asgjë”, tha dhe si’ç bënte edhe herë të tjera, la shishen fare në afërsi të themelit dhe më të kërrusur të pikëllueshme iku po në rrugën që erdhi.
Mund të thosh edhe diçka në mërmëritje, po nuk merrej. i trishtuar nga përditshmëria e fjalët e njejta të plakës, Meliri derdhi shishen me ujë se nuk kish guximin ta provonte. Tri ditë radhazi plaka sillte ujë, ndërsa Meliri e zbrazëte më larg themelit.
Kur po e prisnin ditën e katërt, anash themeleve të tërhequra me dërrasa, era që fryu fare pak, solli një gushë të fortë ere druri të djegur. Askush nuk lëvizte në rrugën, prej nga vinte kish tri ditë plaka. Një orë pritjeje, por ajo nuk erdhi.
“Është ngatërruar”, tha Argoni. “Do të vijë përsëri, këtë e ndjejë. Ajo mund të jetë e lënduar nga mospërfillja jonë, por do të vijë”.
“Dini ju gjë apo nuk dini asgjë, thosh ajo fjalët e fundit”, tha Meliri. “Dimë ne gjë apo nuk dimë asgjë?”.
“Lëmë punët sot”, tha i trishtuar Argoni. “Të ikim se ajo nuk do të vijë dhe një plakë aq e kërrusur dhe aq e vogël, nuk është e zakonshme”. Ndërsa ata po tubonin veglat, krejt në fund të rrugës, u duk hija e vogël e plakës që vinte.
“Ikim”, tha Meliri, “se po vjen dhe nuk mund ta durojë të thotë përsëri: “Dini ju gjë apo nuk dini asgjë”.