24 Nëntor, 2021 - 12:59 pm
Në programin e edicionit të katërt të Festivalit të Prozës Artistike “FICTION FEST” do të jetë shkrimtari dhe prozatori i njohur shqiptar, Ibrahim Kadriu.
Ai u lind në Zhegër në janar të vitit 1945. U shkollua në Zhegër (filloren) në Gjilan (Normalen) dhe në Prishtinë e kreu Fakultetin Filozofik, Albanologjinë. Që nga ditët e fillores ka shprehur interesim për letërsinë, ndërkaq më 1962 i ka të botuara krijimet e para në revistën “Jeta e Re”, për të vazhduar më tutje me botime edhe në revista e gazeta tjera, ndërkaq më 1969 botoi librin e parë me poezi me titull “Netët e Karadakut”, për të vazhduar viteve tjera me botimet e librave (poezi e prozë), të shumtat për fëmijë. Më 1968 u punësua në të përditshmen e dikurshme “Rilindja”, fillimisht gazetar e reporter i lirë e më tutje redaktor i kulturës. Në këtë detyrë u gjet edhe kur forcat policore serbe e ndërprenë gazetën “Rilindja” dhe revistat e gazetat tjera që dilnin në gjuhën shqipe. Pas luftës në detyrën e redaktorit u caktua te gazeta “Zëri”, ku ishte i angazhuar edhe në fejtonistikë. Që nga 1968, kur botoi librin e parë e deri më sot, ka publikuar mbi tetëdhjetë vepra, poezi, prozë, humor, udhëpërshkrime, dokumentarë. Prej tyre 34 romane. Mbi veprimtarinë letrare të Ibrahim Kadriut janë publikuar shtatë libra, kurse veprat e tij deri tash (përmbledhje poetike dhe romane) janë botuar në nëntë gjuhë: greqisht, turqisht, italisht, suedisht, serbisht, frëngjisht etj. Për arritje në fushën e letërsisë është nderuar me shumë çmime, në mesin e të cilave edhe me Çmimin Kombëtar “Azem Shkreli” për veprimtari jetësore.
Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi” organizon Festivalin e Prozës Artistike “FICTION FEST”, edicioni i katërt, duke e shndërruar në një organizim të përvitshëm me synimin e të bërit të tij tradicional dhe shënjues vleror në hartën e aktiviteteve letrare shqiptare.
Këtë vit do t’i dëgjojmë dhe do të takohemi me shkrimtarë të vlershëm të letërsisë së sotme shqipe, si Ibrahim Kadriu, Shefkije Islamaj, Majlinda Bregasi, Gani Mehmetaj, Ana Kove, Binak Kelmendi, Ballsor Hoxha, Andreas Dushi, Azem Deliu dhe Enkelejd Lamaj.
Edicioni i katërt do të mbahet me datat 25 dhe 26 nëntor, 2021, dhe do t’i ketë dy mbrëmje leximi. Në mbrëmjen e parë (25/11, e enjte) do të lexojnë dhe do të na nderojnë këta shkrimtarë: Shefkije Islamaj, Majlinda Bregasi, Gani Mehmetaj, Ballsor Hoxha dhe Azem Deliu. Ndërsa, në mbrëmjen e dytë (26/11, e premte) do të lexojnë dhe do të na nderojnë këta shkrimtarë: Ibrahim Kadriu, Ana Kove, Binak Kelmendi, Andreas Dushi dhe Enkelejd Lamaj.
Të dy mbrëmjet fillojnë në ora 19:00 dhe mbahen në restorant “Amaro”, që ndodhet në rr. Eqrem Çabej, përballë Fakultetit të Filologjisë-UP, Prishtinë.
Edicioni i katërt i Festivalit të Prozës Artistike “FICTION FEST” u mbështet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe Drejtoria për Kulturë në Komunën e Prishtinës. / KultPlus.com