13 Shkurt, 2019 - 11:45 am
Në mesin e shumë miqve, studiuesve e njerëz të institucioneve, u nderua doajeni, gjuhëtari, albanologu dhe profesori i gjuhës shqipe, vepra e të cilit flet më shumë se fjalët, por megjithatë të gjithë kishin diçka të madhe për të thënë për këtë figurë të shquar për popullin shqiptarë, i cili në këtë 100 vjetor kishte ardhur i nderuar dhe ishte ulur për të dëgjuar gjithë ato fjalë që u thanë për të.
Por, me këtë rast një fjalë mirënjohje e kishte shkruar edhe Ajeti e të cilën e lexoi me këtë rast Arbër Vllahiu.
Ajeti e kishte filluar fjalën e tij me dashurinë për gjuhën shqipe.
“Nuk e kam zgjedhur unë që ta kem një shekull mbi supet e
mija dhe as që e kam menduar që natyra e Zoti do të më japin këtë jetëgjatësi
dhe njëkohësisht forcën që të shohë e përjetoj gjithë zhvillimin tonë si
shoqëri e si shtet dhe ndjejë që përgjegjësinë për ecjen tonë si shtet e kemi
pasur ne. Unë kam ardhur nga një fshat i vogël, i gatshëm dhe i etur për të
ndryshuar rrjedhat e shoqërisë. Por unë kam ardhur me idenë për të gjetur
copëzat e shpërndara të gjuhës shqipe, për t’i bërë bashkë ato me një mëndje
dhe një shpirt”, kishte shkruar ndër të tjera ai.
Profesori Ajeti tutje kishte folur për gjuhën e cila sipas tij është një thesar
dhe ajo duhet të jetë pandashmërisht pjesë e evoluimit.
“Unë do të ju flasë për gjuhën edhe në këtë 100 vjetorë
timin dhe mbase fjalimet e mia për të edhe në këtë ditë ku së bashku po
shënojmë këtë jetëgjatësi timen do të jenë të pafundme, sa i pafund është
thesari i saj, sa e pafund ka qenë ideja për ta bërë një të përbashkët e të
plotë. Gjuha duhet të jetë pandashmërisht pjesë e evoluimit, e përmbushjes së
nevojave të një populli që flet me dialekte por që rrënjën e ka të përbashkët
dhe prandaj përpjekjet tonë në shekullin e kaluar për ta bërë bashkë tani duhet
të jenë përpjeke për ta përmbushur pa e tundur themelin e saj. Përparimi ynë si
shtet bazohet në dije, shkencë e arsim. Jetëgjatësia më ka ofruar këtë
privilegj, të qenit dëshmitarë i rrjedhave të historisë”, ka thënë për fund
profesori i nderuar Idriz Ajeti.
Akademik, Idriz Ajeti ishte edhe anëtarë nderi i Akademisë
së Shkencave të Shqipërisë, andaj në raste të tilla, përvjetorë të mëdha ka
edhe vlerësime të tjera dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë, kishte
organizuar për herë të parë dhënien e çmimeve shkencore kombëtare për
kontribute në fushat e shkencave albanologjike, dhe juria e këtij çmimi, ka
nderuar akademik Idriz Ajeti me Çmimin e Karrierës, i cili jepej për herë të
parë nga kjo Akademi. Këtë çmim dhe diplomën përkatëse, Muzafer Korkuti ia dha
profesorit Ajeti, duke u përcjellë me duartrokitje të shumta.
Kjo konferencë do të mbahet mend si një ngjarje ku profesori Idriz Ajeti u nderua për së gjalli me dy çmime dhe dëgjoi kumtesat e shumë miqve e kolegëve për jetën dhe veprën e tij të shquar. /KultPlus.com