Idriz Ajeti: Jetëgjatësia më ka ofruar këtë privilegj, të qenit dëshmitar i rrjedhave të historisë

13 Shkurt, 2020 - 7:45 pm

Intelektuali Idriz Ajeti u nda nga jeta sot një vit. Karriera e tij ishte e gjatë, ai dha kontribut të madh në fushën e albanologjisë, shkruan KultPlus.

Ajeti e kishte filluar fjalën e tij me dashurinë për gjuhën shqipe. Më poshtë po sjellim fjalimin e tij gjatë nderimit që iu bë për 100-vjetor, ku edhe iu nda mirënjohje.

“Nuk e kam zgjedhur unë që ta kem një shekull mbi supet e mija dhe as që e kam menduar që natyra e Zoti do të më japin këtë jetëgjatësi dhe njëkohësisht forcën që të shohë e përjetoj gjithë zhvillimin tonë si shoqëri e si shtet dhe ndjejë që përgjegjësinë për ecjen tonë si shtet e kemi pasur ne. Unë kam ardhur nga një fshat i vogël, i gatshëm dhe i etur për të ndryshuar rrjedhat e shoqërisë. Por unë kam ardhur me idenë për të gjetur copëzat e shpërndara të gjuhës shqipe, për t’i bërë bashkë ato me një mëndje dhe një shpirt”, kishte shkruar ndër të tjera ai.

“Unë do të ju flasë për gjuhën edhe në këtë 100 vjetorë timin dhe mbase fjalimet e mia për të edhe në këtë ditë ku së bashku po shënojmë këtë jetëgjatësi timen do të jenë të pafundme, sa i pafund është thesari i saj, sa e pafund ka qenë ideja për ta bërë një të përbashkët e të plotë. Gjuha duhet të jetë pandashmërisht pjesë e evoluimit, e përmbushjes së nevojave të një populli që flet me dialekte por që rrënjën e ka të përbashkët dhe prandaj përpjekjet tonë në shekullin e kaluar për ta bërë bashkë tani duhet të jenë përpjeke për ta përmbushur pa e tundur themelin e saj. Përparimi ynë si shtet bazohet në dije, shkencë e arsim. Jetëgjatësia më ka ofruar këtë privilegj, të qenit dëshmitarë i rrjedhave të historisë”, ka thënë për fund profesori i nderuar Idriz Ajeti.

Akademik, Idriz Ajeti ishte edhe anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, andaj në raste të tilla, përvjetorë të mëdha ka edhe vlerësime të tjera dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë, kishte organizuar për herë të parë dhënien e çmimeve shkencore kombëtare për kontribute në fushat e shkencave albanologjike, dhe juria e këtij çmimi, ka nderuar akademik Idriz Ajeti me Çmimin e Karrierës, i cili jepej për herë të parë nga kjo Akademi. Këtë çmim dhe diplomën përkatëse, Muzafer Korkuti ia dha profesorit Ajeti, duke u përcjellë me duartrokitje të shumta.

Kjo konferencë do të mbahet mend si një ngjarje ku profesori Idriz Ajeti u nderua për së gjalli me dy çmime dhe dëgjoi kumtesat e shumë miqve e kolegëve për jetën dhe veprën e tij të shquar. /KultPlus.com

Të ngjajshme