Ilirët dhe etnogjeneza kroate

4 Shtator, 2023 - 12:00 pm

-Miško Erak: “Ilirski krugovi života“ (Rrathët e jetës ilire), boti „Školska Knjiga“, Zagreb, 2021, faqe 357.

Jusuf Buxhovi

Etnogjeneza e kroatëve është e lidhur me Ilirët. Këtë përfundim sjell libri i Mishko Erakut “Ilirski krugovi zivota” (Rrathët e jetës ilire), duke u përqendruar te mbretëria e Ardëve (nga shekulli IV para erës sonë deri te shekulli I i erës sonë), ajo e Doarsëve, e Autoriatëve, Dalmatëve dhe e Gencit. Autori Erak, këtë vlerësim e mbështet mbi faktet arkeologjike, siç i quan ai Gradinat (fortifikata guri – katër sosh) në hapësirën e Plinit, Ploçe dhe Neretvës së poshtme. Me shumë ilustrime, skica dhe artefakte, Erak bën përpjekje që të paraqesë pikëpjekjen e mbretërisë së Ardëve me Doarsët, Autoriatët po edhe me atë të Dalmatëve në një hapësirë jetësrore çfarë ishte ajo e lumit Neretva për në Adriatik si strehë jetike e fiseve të njohura ilire, ku ato kanë ndërtuar fuqinë e tyre ekonomike dhe politike të lidhur ngushtë me ambientin që lidh hinterlandin me detin, e prej nga kalonin rrugët e furnizimeve me mallra veçmas me krip deti. Pjesa e Ploçës dhe e Neretvës së poshtme është mbikëqyrur nga mbretëria e Ardëve, por bazuar në dy gradinat (qytet-fortesa në pjesën e epërme në drejtim të Mostarit, që u takonin mbretërisë së fuqishme Doarse), gradina e Ardëve në hyrje të Plinit, ka qenë strategjike, ngaqë ka mbikëqyrë hyrjet nga toka për në det, të një rëndësie të madhe për tri mbretëritë ilire në këtë hapësirë. Duke elaboruar artiktektonisht infrastrukturën e këtyre qyteteve të fortifikuara si dhe lidhjet e tyre rrugove (ujore dhe tokësore), nxirret përfundimin se ato ishin qendra të rëndësishme ekonomike, kulturore dhe ushtarake. Si të tilla zgjuan apetitet e romakëve për t’i pushtuar, meqë nëpërmes rrugëve ujore dhe atyre tokëlsore mundësohej depërtimi në pjesën qendrore, atë perëndimore dhe lindore të Ilirikut, që mundësonte shtrirje perandorake.

Por, ajo që bie në sy në këtë libër, është përpjekja e autorit që të rishqyrtojë raportet historike dhe etnike të kroatëve me ilirët, me ç’rast nxjerrët përfundimi se kroatët gjenetikisht, kulturalisht dhe etnikisht janë të lidhur me ilirët dhe fare pak me sllavët. Me këtë rast rikonfirmohet qëndrimi i historianit të njohur kroat Mate Suviq që thotë se populli kroat mbështetet mbi substratin ilir. Kjo ilustrohet me të dhëna nga studimet më të reja gjenetike nga disa institute të njohura amerikane, nga analizat e të cilave del se në Kroaci, bazuar në faktorin Y-Haplogrup, (gjen që tregon vjetërsinë prej mbi 10 mijë vitesh),50 % e popullatës, lidhet me këtë faktor, i cili mbështetet edhe nga faktori 12a1. Ndërsa 25% e popullatës, lidhet me origjinën prej një mijë vitesh, e përafërt me dyndjet sllave në Ilirik. Këto të dhëna përmbysin qëndrimet e historiografisë së shekullit XIX (kryesisht të shkollës sllaviste vieneze) e cila faktorin ilir thuajse e përjashton nga origjina kroate, duke e ndërlidhur atë tërësisht me atë sllave. Autori, thekson se eliminimin i ilirizmit dhe të “Lëvizjes ilire” lidhet me shkaqe politike të krijuara nga aneksimi i Bosnjes dhe Hercegovinës nga Austro-Hungaria, me ç’rast është zëvendësuar me “Lëvizjen sllave”, si platformë e re e jugosllavizmit, mbi të cilln do të krijohet edhe shteti jugosllav pas luftës së parë botërore. Sipas Erakut, eliminimi i “Lëvizjs kroate” dhe zëvendësimi i saj me “Lëvizje sllave”, ishte një veprim antihistorik dhe antishkencor, meqë origjinën kroate anbllok e zhvendosi në kuadër të familjes sllave, gjë që nuk përkon me realitetin. Me këtë rast, duke u mbështetur mbi qytetërimin e zhvilluar ilir në Dallmaci, Bosnje dhe Sllavoni, autori kërkon që Akadia e Shkencave Kroate të rikthejë vëmendjen kah trashëgimia e pasur materiale dhe shpirtërore ilire në Kroaci në mënyrë që të rishqyrtojë lidhjet etnike dhe kulturore me të si pjesë e qytetërimit antik. Qëndrimi që të rikthehet lidhja kroate me ilirët nuk është i ri. Në shekullin XVIII ishte dominues tek studiuesit kroatë në kuadër të perandorisë Austro-hungareze. Jugosllavizmi i Shtrosmajerit si dhe Jugosllavia e Versajes bashkë me atë të AVNOJ-it, e margjinalizoi apo e hoqi fare, duke u lidhur me sllavët. Mbas shpalljes së shtetit kroat, historiografia kroate ka filluar t’i kthehet tezës së origjinës ilire. Akademia e Shkencave të Kroacisë, gjatë dhjetë viteve të fundit, ka iniciuar projekte që mbështesin këtë tezë, edhe pse e ka të vështirë ngaqë mbi njëqind vjet jugosllavizmi i ndikuar nga politika hegjemoniste serbomadhe, politikisht ka luftuar çfarëdo përpjekje të tillë.

Krahas kësaj përpjekje të historiografisë kroate që të rishqyrtohen lidhjet gjenetike, etnike dhe kulturore me Ilirët, libri i Mishko Erakut, është me interes edhe për historiografinë shqiptare, meqë fokusimi i tij te fortifikimet ilire në pjesën e Ploçës deri te Neretva e poshtme, nxjerr në pah një pjesë të rëndësishme nga mozaikut ilir i shtrirë në një hapësirë të gjerë euro-aziatike, ku etnia shqiptare, në pjesën e tri mbretërive të dikurshme antike: Dardanisë, Maqedonisë dhe Epirit, ruan vazhdimësinë historike të etnisë së vet. / KultPlus.com

Të ngjajshme