12 Shkurt, 2020 - 1:26 pm
Immanuel Kant, kunguesi i “Kritikës së arsyes së kulluar” në mendimin filozofik, mëtuesi i postulatit: “Qielli me yje mbi mua, ligji moral në mua”
Mbi jetën e Immnauel Kant
Immanuel Kant (1724 — 1804) ishte një filozof i madh gjerman dhe një ndër filozofët më të shquar. Vepra e tij “Kritikë e arsyes së kulluar” shënon pikë-kthesën qendrore në historinë e filozofisë dhe fillimin e filozofisë moderne. Lindi në vitin 1724 në Kënigsberg, Prusi (sot Kaliningrad, Rusi) si fëmija i katërt nga nëntë fëmijë. Ai e kaloi gjithë jetën e tij në qytetin e tij të lindjes, aso kohe kryeqytet i Prusisë Lindore. Kanti ishte një nxënës i mirë, megjithëse jo i shkëlqyer. Ai u rrit në një shtëpi pietiste, një Lëvizje pas Luteriane që dallohej për një përkushtim të fortë, dhe një lexim të hollësishëm të Biblës. Për pasojë, Kanti mori një edukim të ashpër dhe të rreptë, ndëshkues dhe disiplinor gjë që e ndihmoi atë në mësimin fetar, të latinishtes, dhe rreth shkencave dhe matematikës. Kanti ishte i pari i cili predikoi dhe hodhi hipotezën se planetët formoheshin nga mjegullnaja grimcash dhe pluhuri, kundrejt idesë teologjike fetare, e cila ishte akoma ideja dominante në kohën e kur ai jetoi, se planetet janë të krijuar nga fuqia hyjnore. Ai gjithashtu do të predikonte për ekzistencën e galaktikave të tjera përveç galaktikës tonë.
Filozofia e Kantit pati një ndikim të jashtëzakonshëm në mendimin perëndimor. Gjatë jetës së tij, mendimi i tij pati një vëmendje të madhe, shumica kritikë, megjithëse ai pati një ndikim pozitiv të Fishte, Shelingu, Hegeli dhe Novalisi gjatë viteve 1780 dhe 1790. Nga studimet e rëndësishme të periudhës parakritike është interesante sidomos vepra e Emanuel Kantit “Historia e përgjithshme e natyrës dhe teoria e qiellit”, në të cilën paraqiti hipotezën e njohur të tij mbi krijimin e botës nga thërrmijat materiale të panumërta kaotike që bashkohen atje ku ekziston forca më e madhe e tërheqëse. Sistemi ynë diellor është, ndërkaq, vetëm një pjesë e universumit, thotë Immanuel Kant. Duke dalluar në këtë studim të madhërishmen dhe të bukurën, Kanti konsideronte se e madhërishmja duhet gjithmonë të jetë e madhe, ndërsa e bukura mund të jetë edhe e vogël. Immanuel Kant vdiq ne 12 Shkurt, 1804, ndërkohë që shumë nga veprat e tij i gjejmë dhe sot, e janë ende të vlefshme.
Disa nga thëniet më të njohura të Imanuel Kantit që përbejnë veprimtarinë e tij:
1. Me ligj, njeriu është fajtor nëse shkel të drejtat e të tjerëve. Me etikë, ai është fajtor qoftë edhe vetëm kur e mendon këtë.
2. Shkenca është dije e organizuar. Urtësia është jetë e organizuar.
3. Mendimet pa përmbajtje janë boshe, intuita pa koncept është e verbër.
4. M’u desh të eleminoja dijen, me qëllim që t’i bëja vend besimit.
5. Lumturia nuk është një ideal i arsyes, por i imagjinatës.
6. Moraliteti nuk është doktrina se si ne e bëjmë veten të lumtur, por se si mund ta bëjmë veten që ta meritojë lumturinë.
7. Prano gjithmonë se individët njerëzorë janë qëllime, dhe mos i përdor si mjete për qëllimin tend.
8. Jetoje jetën sikur çdo akt i yti, do të shndërrohej në një ligj universal.
9. Nuk është e domosdoshme që ndërkohë që jetoj, të jetoj i lumtur; por është e domosdoshme që sa kohë që jetoj, ta bëj me nder.
10. E gjithë dija jonë nis me shqisat, vazhdon me kuptimin dhe përfundon me arsyen. Nuk ka asgjë më të lartë se sa arsyeja.
11. Me një gënjeshtër, njeriu e asgjëson dinjitetin e tij si njeri.
12. Mosmirënjohja është esenca e poshtërsisë.
13. Vetëm i ndriçuari nuk ka frikë nga hijet!
14. Shiko nga afër. E bukura mund të jetë e vogël.
15. Vdekja e dogmës është lindja e moralitetit.
16. Nuk ka njeri me virtyt aq të madh, sa të jetë i sigurt prej tundimit.
17. E madhja dhe e vetmja dobi e shembujve është se ata rafinojnë gjykimin.
18. Kush është mizor ndaj kafshëve ,është po aq i pandjeshëm edhe ndaj njerëzve.
19. Arsyetimi i kthjellët është në vetvete praktik dhe i jep njeriut një ligj universal, që ne e quajmë ligji moral.
20. Askush nuk ka të drejtë të më mësojë, si do të jem i lumtur./KultPlus