17 Janar, 2019 - 11:40 pm
Erenestina Gjergji- Halili
Faqja e tretë e Jusuf Gërvallës
Një nga fushat e dashura të mia, të cilat shënjuan rritjen, ishte gazetaria. Koha shqiptare prodhoi histori, gjatë gjithë periudhës së ushtrimit tim të profesionit.Njoha vendin tim pëllëmbë për pëllëmbë, njoha njerëzit, bukuritë e dëshpërimin, u rrita udhëve të tij me shenja e dëshmi…Vite më pas, në auditor ligjëroj ende edhe për gazetarinë televizive, si një nga aplikimet e mëdha e më të dashura të këtij profesioni aq të dashur nga të rinjtë. Një nga lëndët e mia, ishte edhe Faqja e tretë, të cilën e kam përgatitur me dashuri e vëmendje të veçantë, nxitur edhe nga përkushtimi i Profesor Artan Fuga, atëbotë drejtues i Departamentit të Gazetarisë e Komunikimit.
Më ra në dorë reportazhi letrar Me kompleksin e Anteut, të Jusuf Gërvallës, të nr.3.Jehona. Shkup.1972.
Sot flitet shumë mbi raportin e narrativës në gazetari, mbi raportet e reales, lajmit, faktit dhe fiksionit në mjeshtërinë e gazetarisë, siç kemi dëgjuar se letërsia nuk është lexuar ende, ndërsa gazetaria është e palexueshme, thënë prej Ëajlld.
Rasti Ryszard Kapuściński, si rasti më I përfolur I ligjësive të reportazhit të udhëtimit, i dëshmuar edhe në librin e ish-nxënësit të tij, Artur Domoslaëski, Kapuściński non fiction ( titulli në original), si dhe polemikat mbi faktin,kanë përfshirë botën gazetareske e më gjerë. Të gjitha argumentet sillen rreth pyetjes- bosht: A informojmë përmes letërsisë, detajit si pjesë e tekstit letrar, nga ana tjetër a duhet të marrim kënaqësi estetike nga leximi i faktit gazetaresk? A mund të jenë bashkë këto dy fusha të shprehjes njerëzore? Në të gjitha pyetjet e gritura gjejmë shembuj autorësh, të cilët kanë eksploruar të dy kampet, si Balzak, Dikens, gjatë viteve 1800 e më vonë Zola e Matilde Serao, Passolini, Calvino, Orëell,i cili nisi polemikat e më pas solli veprën e tij Animals Farm, të paralajmëruar pikërisht në Faqen e tretë.
Termin reportazh, të lindur fillimisht në Itali e shohim të evoluojë edhe në terma si : non fiction ëriting e/o travel literature e më vonë me togfjalëshin Neë Giornalsm në SHBA, me përfaqësues si: si Truman Capote, Norman Mailer ose Gabriel García Marquez. Prej fillimit të konceptit të Faqes së tretë, faqes së dedikuar narracionit, romanit shtojcë, rubrikës me thelb të dukshëm letrar e deri në raportet konceptuale të përfshira në analiza transgjenerike, thelbi mbetet i njëjtë. Reportazhi dhe natyrat e tij, si dhe kërkimi i mjeteve, larg leksikut stereotipik, për të kapërcyer “paplotësinë” përmes letërsisë- si për të përligjur mendimin e Kapuściński -shkaktuar nga gjuha e shtypur e pamjaftueshme në krahasim me shumëllojshmërinë e realitetit të kulturave, traditave apo feve të huaj. Ndaj ende mbetet në këmbë përkufizimi i Clifford Geertz, referuar letërsisë së udhëtimit e reportazhit letrar, si zhanre konvergjence e vijave paralele. Gazetaria e Re amerikane, u cilësua pikërisht për përshkrimin e ngjarjeve dhe njerëzve në mënyrë autentike, përmes formave dhe stilit të asaj që ne e quajmë narrativë apo fiksion anglo-sakson.
Dhe duket se Jusuf Gërvalla ndjek këtë metodë përshkrimi…
Reportazhi i tij ka një pikënisje: Një stacion treni, ku toka lëviz nën rrota, me vete ka një hajmali që do ta ruajë nga qyteti më i madh i atyre anëvë, ku po shkonte si destinacion udhëtimi, kish një copë vendlindje të ndryrë në parzëm, si mit, si kompleksi i Anteut, birit te Geas( Perëndisë së tokës) e i Poseidonit ( perëndisë së ujrave), ani pse i vetëdijshëm për dobësinë e tij…
Me se ta peshonte një dridhmë, që ende nuk ia dinte shkakun?
Kësaj nuk ia doli as Anteu i madh…
Rëndë, rëndë, lehtë e ëmbël,
rrëmbyeshëm… kjo qenka masa !
I rri pranë e pandashmja, kitara, e dashura e shpirtit, ajo që i gëzon edhe askun erotik, ajo që i kupton dhimtën e shpirtit, e pagojta kur duhet, e gjithëdijshmja kur flet…
Mbërrin në Qytetin e Madh, me shushurima të rrëmbyeshme të çisternave që lajnë me vrer trotuaret, në dhomën 337 takon Ehat Musën, në fakt kujdeset të rrëfejë se e gjen në gjumë, një natë më pare, ai ka qenë në koncert. Ndërsa lë shokun të kotet, autorin e rrëmbejnë kujtimet, në retrospektivën autoriale, qyteti prej nga mori një copë Anteu nuk po fle, një burrë tjetër para tij ka shpejtuar me partitura nën sqetull, më pas një tjetër, një tjetër, që kanë shënjuar vlerat e vërteta të artit, po sikur nuk po dëgjohet më për ta…
Dhe dikur Ehati këndellet e miqtë flasin e flasin per muzikën, shokët, autorët e mëdhenj, duke u përpjekur të mos flasin për të arriturat personale, siç bëjnë në fakt miqtë…
Eh, ta shihje Ehatin duke nxjerrë nga këllëfi kitarën, duke mbështetur belin e saj mbi gjunjë, duke i ledhatuar lehtësisht gushën, duke i ngrohur me gishtërinj fijet e holla të zërit dhe ajo që nxirrte ofkëllima lozonjare, si mëz i llastuar duke u hedhur herë në gjymtyrët e parme e herë në të prapmet,,rëndë, rëndë, lehtë e ëmbël, rrëmbyeshëm…derisa triptikut i afrohet fundi.
Ndarja, miqtë duhet të ndahen, vetëm se nuk duhet bërë pyetja se si u dashurua me kitarë, ajo pyetje, jo.
Në kupenë e trenit, nën të cilën toka lëviste, ai e di një gjë: Eterin do ta shpojë edhe për një kohë tingulli i një kitare edhe pse qyteti mban shushurimën e çisternave që lajnë me vrer trotuaret, ligjërima e kitarës, paralajmërohet, se do të vijë në trojet e Jusuf Gërvallës. Jemi në vitin 1972…
Dhe do të vijë dendur, dendur, ëmbël e hareshëm, allegro con esperanza…
I gjithë arkivi i mjeteve që paraqitëm, duke dashur të risjellim në vëmendje falubën, konsiderohet i vlefshëm për të parë situatën fakt, por ndërkohë, ato qëndrojnë si pushka e Çehovit, koncept i njohur dramatik, si parakusht detajor, që sjell aksion e suspancë. Nga njëra anë kemi një rrëfim real, me koordinata të sakta e konkrete, me situate të udhëtimit, duke pasur para syve praninë e autorit, si dëshmi reale e faktit raportues, në anën tjetër, associimin me situata metaforike, që dëshmohen në retrospektivë e në kohën e tashme të rrëfimit të reporterit- shkrimtar, të cilat janë prodhim i ligjërimit fiksional. Si pasojë mbërrijmë në të ashtëquajturën Tregim i tregimit. Reportazhi i tij narrativ, shfaqet si një tipologji tekstuale, ku përshkruhet subjekti narrativ nga këndvështrimi subjektiv personal. Në të nuk kemi një rregjistrim të thjeshtë faktik të udhëtimit të tij, udhëtimi i tij nuk është më një justifikim realist, nuk është i mjaftueshëm dhe mbi të gjitha synim i selektimit të toposit, çka na jep tablonë e një zhanri hibrid, ku dallimi fiction – non fiction, nuk ka më kufij të saktë , po aq sa edhe raporti mimesis- invencion, apo subjektit që vëren dhe objektit të vëzhguar.
Aq sa dallojmë koordinata udhëtimi, aq shohim përsiatjen e trajtuar si fiktion, dialogët, përshkrimet realiste nga ana tjetër, por edhe figurat si metafora, epitete, krahasimet e bëjnë leximin të rrjedhshëm e imagjinativ si dhe konfirmon idenë e Bakhtin, rreth polifonisë karakteriale, që ndërton mozaikë të pasur socialë,pluralitetin e ideve, të cilat mbajnë raportin ide konsensuale- kundërshtinë e fuqisë, ku zërat, personazhet, teksti, autori, mbivendosen.Rrëfimi shndërrohen në një arenë, ku subjekti, diskursi dhe realitetet e botës konfrontohen.
Mjeshtri i fjalës si ai, synimit faktik i ka veshur gjithë aureolën e kënaqësisë estetike të leximit, duke synuar të kumtojë idenë e tij dhe të dekodohet për ata që kuptojnë.
Në ndarje me mikun, por në të njëjtin vend nga mbërriti për tu bashkuar, diktoi se po kthehej me një shqetësim më të vogël e një përshtypje më tëpër…
Ai pyet ekzistencialisht, gjatë udhëtimit triptik, ku shenjat shihen dendur, dendur…