25 Maj, 2019 - 3:30 pm
Ardit Çalaj
Jusuf Buxhovi: “Dushkaja”, “Faik Konica”, Prishtinë, 2018)
“Dushkaja” një roman mjaft kompleks ku brenda vetes ngërthen tematika të ndryshme dhe shpërfaq ide të shumta që ndërlidhen qoftë me individin, me unin e tij, por edhe me realitetin, dhimbjen e jetën si përjetim.
Romani portretizon individin e humbur brenda një boteje imagjinative ku dukshëm shpërfaq: luftën, vuajtjen, vrasjen, armikun, kombin, nacionalen e implikimin e dhunës. Romani përbën një botë konfliktore, ku individi bashkëbisedon me vetveten, me alteregon e tij, ku në aspektin ideor i jep fuqi edhe më të madhe romanit.
Ekzsiton një luftë mes karakterit njeri dhe preokupimit të tij të brendshëm, konkretisht zërit të dytë të tij.
Dushkaja në aspektin etimologjik del si pyll, ndërsa dushku nënkuptonnjë lloj druri të lartë. Pra, titulli i romanit në kontekst figurativ mund të trajtojë një përgjithësim të jetës, dhimbjes, vuajtjes e të brengës. Gjithçka dhe çdogjë në atë pyll jetësor, shpreh një vuajtje të kahmotshme dhe ende ekzistuese. Fuqishëm krijohet një simbiozë mes dhimbjes, përhershmërisë dhe universalitetit të saj. Jeta në “ Dushkajë” synonte çlirimin, fundin e masakrës makabre dhe shpresën për një të ardhme ideale.
Në aspektin filozofik përçohet ideja e vullnetit të lirë. Gjithnjë mes një errësire gotike dhe në një rrugë të pakthimtë, karakteri ynë sheh shpresë, rrugëdalje e zgjidhje.
“ Bota nuk mund të lirohet nga vrasësit, tha Piktori, por Dushkaja ime e harruar, e kapluar nga therra e murriza, po…”
Në qendër të rrëfimit është Piktori dhe Zëri dhe nëse këta dy i shohim si personazhe, atëherë është mjaft interesante mënyra se si përshkruhen ata, me probleme, me thyerje, me kriza dhe me mënyra se si i qasen ata shoqërisë duke shpërfytyruar një tablo të saj prej nga bëhet demaskimi i njerëzve e i shoqërisë si totalitet.
I pari shpreh jetesën e aktualitetin, ndërsa i dyti shpreh troç irealitetn, mendimin e botën fiktive. Mënyra se si dialogojnë këta dy protagonistë t’lë të nënkuptosh se evidentohet njeriu si qenie dyanësore, ku në njërën anë është ai që zgjedh të jetë dhe në tjetrën ai që ëndërron të jetë.
Romani shihet në premisë morale, psikologjike e filozofike, ku pretendon të shpreh ide e shqetësim. Psikologjia ndërlidhet me parimet frojdiane, ku e brendshmja si brengë reflekton edhe në realcionin e protagonistëve tanë, njëri si konkretësi ndërsa tjetri si imagjinatë e si iluzion.
Që në fillim të romanit vërehet revoltimi i Piktorit në raport me mendimet e të “huajit”, duke vazhduar deri në fund të romanit me po të njejtin ritëm.
Lufta e tillë shtjellon edhe idetë antike të projektuara në roman, atë platoniane e atë aristoteliane. E para ka të bëjë me deformimin apo shtrembërimin e asaj që merret nga realiteti e trajtohet në vepër, ide kjo e shpalosur nga Zëri, kurse e dyta projektohet nga Piktori, çka ka të bëjë me lirinë e krijimit, me fantazinë, me artistiken e me formimin e një efekti estetik.
“ Edhe pse krijimtaria shfrytëzon idetë, pamjet shoqërore dhe politike dhe faktet madje, ajo merret me imazhe, ku nënkuptohen pyetjet, me dilema të fshehura ose të hapura, krejt një dhe assesi me qendrime…”
Sa i përket ndërtimit strukturor, romani është i ndarë në disa pjesë të titulluara me orë, konkretisht bëhet një lloj rrëfimi prej orës tetë të natës deri në orën katër të natës. Topika e rrëfmit konsiderohet dhoma e mbushur me piktura, ndërsa ngjarja zhvillohet në një periudhë disa orëshe. Tik – taku i orës shpreh një botë sado të errët e të mjeruar, por edhe të lëvizshme e dinamike.
Rrëfimtari qëndron në kohën e tashme, ndërsa imagjinata e tij bën shëtitje në kohë të ndryshme. E kaluara identifikohet me kujtime, e tashmja me ngrysje e me dhimbje si dhe e ardhmja me shpresë e me një idealitet të synuar.
Vetë loja e cicmicit që luajnë protagonistët tanë, të shpie drejt një imagjinimi e një fantazie prej nga ndeshen, luftojnë e goditen dy ide të kundërta. Loja e tillë del si e imponuar që shpreh izolim dhe urrejtje tek Piktori ynë.
Zëri bën presion të vazhdueshëm në psikën e Piktorit, ndërsa Piktori sado që goditet nga një krizë psikike, ai nuk dorëzohet, lufton me idenë idealiste e të drejtë të mendjes së tij deri në fund të romanit. Ekziston njëfarë kontradikte mes dy pikëpamjeve të ndryshme, ku“ i ftuari” i mbrëmjes ka tendencë të “shkatërrimit” të heroit tonë.
Me një theks të veçantë potencohet historia si përgjithësim ku determinohet robëria, lufta, vrasja, pushtimi e dhuna, nga të cilat rrjedh: mjerimi, ligësia, cinizmi, egoizmi, negativiteti e hipokrizimi.
Romani ka një pikënisje reale që ndërlidhet me historicizmin e me faktet si ndodhi. Në një mënyrë koha e hedh hijen e vet mbi vepër dhe krijohen situata të tilla me problematika jetësore.
Me zhvillimin e lojës në roman, realiteti merr diskurs imagjinar dhe krijon simbolika të ndryshme që mundësojnë laramaninë e qasjeve në tekst.
Evidentohet kalueshmëria prej diskursit real në atë letrar, artistik e estetik. Binomi i dy botësh elaborohet në romanin në fjalë, ku bota reale gërshetohet me atë fiktive dhe krijohet metafora e “izolimit” me praninë e koloriteve, vijave, hijeve, brushave e nuancave të ndryshme që secila prej tyre posedon një veçanti që aludon një katrahurë shpirtërore, psikologjike e shoqërore.
Autori, tekstin e ka kthyer në alegori dhe ka krijuar mundësi të një leximi simbolik, ku kërkon tipin e lexuesit model. Tërë tekstin e përshkon një rrugë e imagjinuar në mënyrë artistike e lineara, ku përfitojmë kuptime të reja e konotacione dhe intepretime të ndryshme që shndërrohen në shenja e që përcjellin kumtime të fshehta./KultPlus.com