Ines Murzaku rrëfen librin e saj “Nënë Tereza, shenjtorja e periferive”

19 Maj, 2021 - 2:33 pm

Ines Murzaku, profesore e Historisë Kishtare, Drejtoreshë e Programit të Studimeve Katolike dhe Themeluese e Departamentit të Studimeve Katolike në Universitetin Seton Hall në New Jersey në një rrëfim dhënë për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra në New York, rrëfen për publikun librin e saj më të ri kushtuar Shenjtores shqiptare Nënë Terezës në përmbledhjen studimore “Shën Tereza, Shenjtorja e Periferive”.

Libri është një libër teologjik, përdor metodat teologjike, filozofike e misionare për të kuptuar e interpretuar figurën e Nënë Terezës dhe veprën e saj që e tejkalon bamirësinë. Libri është i bazuar në teologjinë e periferive të Papa Françeskut, një periferi që manifestohet në forma të ndryshme, me dimensione të ndryshme, me aktorë të ndryshëm.

SHËN TEREZA, SHENJTORJA E PERIFERIVE

Libri nuk është një tjetër biografi mbi jetën dhe veprën bamirëse të Nënë Terezës. Ka shumë libra të tillë. Nënë Tereza është një figurë që ka tërhequr shumë shkrimtarë, biografë dhe kjo ka bërë që të kemi një “letërsi” të tërë mbi Nënë Terezën. Libri është një studim shkencor mbi Nënë Terezën, i bazuar në dokumenta origjinale, letra të shkruara nga dora e Nënës. Libri është një libër teologjik, përdor metodat teologjike, filozofike e misionare për të kuptuar e interpretuar figurën e Nënë Terezës dhe veprën e saj që e tejkalon bamirësinë. Libri është i bazuar në teologjinë e periferive të Papa Françeskut, një periferi që manifestohet në forma të ndryshme, me dimensione të ndryshme, me aktorë të ndryshëm. Nënë Tereza dhe Papa Françesku janë takuar në periferi, e kanë bërë periferinë pjesë të jetës, të misionit dhe identitetit të tyre.

Ata të dy, kanë sjellë dhe sjellin periferinë dhe problemet e periferikëve, atyre njerëzve që shoqëria i ka mohuar, larguar e izoluar, në qëndër të vëmendjes. Nënë Tereza me zërin e saj i dha zë atyre që nuk kishin zë, i dha sy të verbërve duke perdorur popullaritetin e saj në media për shembull. Qëllimi i librit është për të argumentuar se periferia e periferikët, kombet në periferi siç është rasti i kombit Shqiptar, kanë shumë për të ofruar, qendra mund të mësojë nga periferia. Nënë Tereza vjen nga një popull i vogël por me vlera të mëdha, një popull që ka kontribuar dhe kontribon akoma. Për Nënë Terezën Zoti, besa-nderi, mikpritja janë të gjitha cilësi të cilat vijnë natyrshëm për një Shqiptar dhe këto ajo diti me zgjuarsi e vetëmohim t’ja transmetojë gjithë botës.

NËNË TEREZA NJË FIGURE HUMANITARE, FETARE, SHQIPTARE QË LARTËSOI KOMBIN SHQIPTAR

Nënë Tereza dhe kombi ynë janë një binom. Ajo i ka bërë truallit Shqiptar një shërbesë, pa e ditur dhe pa e kuptuar. Ajo është prezantimi me i mirë i vlerave të një populli të vogël, periferik, ndoshta dhe të harruar por që ka kontribuar duke i dhënë botës një bijë besnike, të mençur, heroike e shumë njerëzore dhe për këtë shoqëria ka shumë nevojë.

PERIFERIKËT E NËNË TEREZËS: TË SEMURET, TË VETMUARIT, TË PAMUNDURIT NË VËMENDJEN E KISHËS KATOLIKE

Periferikët pra të sëmurët, të vetmuarit, të pamundurit kanë qënë gjithnjë në vëmëndjen e Kishës Katolike si një klasë e preferuar, që misionaret i shërbenin pa pritur shpërblim. Kuptohet, ky është një parim biblik e teologjik.

PËRCEPTIMI I HARMONISË FETARE NË SHQIPËRI, SHQIPËRIA RAST I VEÇANTË 

Kjo temë do shumë kërkime e dokumenta për tu vërtetuar e vlerësuar si e tillë nga bota akademike. Pastaj janë edhe periudhat, për kë periudhë po flasim në historinë e Shqipërisë? Mendoj se është një temë shumë e rëndësishme por ka ende shumë për tu studiuar.

ZHDUKJA E FESË NË SHQIPËRI MË 1967, REFLEKTIMI EDHE SOT NË KRIM, KORRUPSION DHE VESE NË SHOQËRINË SHQIPTARE

Unë kam më shumë se dy dekada që jam larguar nga Shqipëria. Nuk mund të gjykoj për këtë. Mendoj se nuk është vetëm feja që ndikon në moralin e shoqërisë, është edhe familja, shkolla etj. Çfarë ka ndodhur e po ndodh me familjen shqiptare? Familja është baza e shoqërisë, shtylla kurrizore.

FOKUSI, SYNIMET DHE PUNA NË SHOQATËN E STUDIMEVE SHQIPTARE

Unë jam historiane me fokus në historinë kishtare, sidomos historinë e murgjeve Italo-Grekë në periudhën mesjetare. Në Shoqatë sjell këtë dimension, teologjik, historik.

KUSH ËSHTË PROF. INES MURZAKU 

Ines Murzaku është Profesore (Full Professor) e Historisë Kishtare, Drejtoreshë e Programit të Studimeve Katolike dhe Themeluese e Departamentit të Studimeve Katolike në Universitetin Seton Hall në New Jersey. Ka një doktoraturë kërkimi nga Pontifical Oriental Institute në Romë, pjesë e Konsorciumit Pontifikal Gregorian University, dhe ka mbajtur pozita vizituese (visiting profesor) në Universitetet e Bolonjës dhe Kalabrisë në Itali dhe Universitetin e Münster në Gjermani. Ka fituar grante prestigjioze qeveritare, duke përfshirë Alexander von Humboldt për Studiuesit me përvojë (Gjermani) dhe Grantin e Këshillit të Kërkimeve të Shkencave Sociale dhe Humanitare të Kanadasë (SSHRC-Kanada) dhe ka fituar Fulbright Senior Research Scholars (USA) në Itali dhe Slloveni. Kërkimet e saja shkencore janë botuar në artikuj të shumtë dhe në 8 libra. Librat janë: Mother Teresa, Saint of the Peripheries (Paulist Press 2021); Life of St Neilos of Rossano (1004) (Dumbarton Oaks, Harvard University Press 2018); Italo-Greek Monasticism from St Neilos to Bessarion (Ashgate-Routledge 2018); Monasticism in Eastern Europe and the Former Soviet Republics (Routledge 2016); Monastic Tradition in Eastern Christianity and the Outside World: A Call for Dialogue (Peeters University of Leuven 2013); Returning Home to Rome? The Monks of Grottaferrata in Albania (Analekta Kryptopherres 2009); Quo Vadis Eastern Europe? Religion, State and Society after Communism (Longo University of Bologna 2009); dhe Catholicism, Culture and Conversion: The History of the Jesuits in Albania (1841-1946) (Orientalia Christiana Analecta, Pontifical Oriental Institute 2006). Ka shërbyer si nënkryetare e Association for the Study of Nationalities (ASN) dhe si përfaqësuese e akredituar e Kombeve të Bashkuara për organizatën Christian Associated for Relations with Eastern Europe. Është komentatore e rregullt në mediat Amerikane për çështje fetare dhe ka punuar ose ka bashkëpunuar me Associated Press, CNN, Catholic World Report, National Catholic Register, Voice of America, Relevant Radio, The Catholic Thing, Crux – Taking the Catholic Pulse, The Record, The Stream, Vatican Radio (Vatican City), and EWTN (Rome)./ Gazeta Dielli / KultPlus.com

Të ngjajshme