9 Nëntor, 2023 - 11:59 pm
Vjollca Duraku
Informacione dhe shumë histori, nga rrafshi diplomatik, artistik, kulturor dhe ai i trashëgimisë u paraqitën edhe të enjten mbrëma, në kuadër të javës kulturore “Prishtina e Artit dhe Kulturës” të organizuar nga PEN Qendra e Kosovës, shkruan KultPlus.
Rrëfime, fakte dhe shumë detaje të tjera shumë interesante për kryeqytetin, në natën e tretë me radhë, para publikut i paraqitën Avni Spahiu (Kryeqyteti i maturuar në histori), Naime Beqiraj (Rrëfimet për Prishtinën), Binak Kelmendi (Institucionet e kulturës dhe të artit në Prishtinë), dhe Sami Piraj (Arti muzikor në Prishtinë).
Këtë mbrëmje mjaft të këndshme, e shpalli të hapur moderuesi Sali Bashota, rreth orës pesë. Me qetësinë e personalitetit të tij, ftoi për vëmendje të pranishmit të cilët deri në ato qaste po bashkëbisedonin mes vete. Pas një falënderimi për pjesëmarrje ai ftoi për prezantim panelistin e parë të mbrëmjes, Avni Spahiun, i cili e tregoi rëndësinë që qyteti i Prishtinës pati në sfidat e Kosovës gjatë viteve të 90-ta.
Panelisti Spahiu, Prishtinën në atë kohë e përshkruante si të zymtë, e cila shfaqej para syve të botës me imazhe dhunuese, e cila nga domosdoshmëria u shëndrrua në një qendër që niste të gjitha iniciativat për t’iu kundërvënë pushtimit dhe dhunës.
“Ajo ishte një epiqendër e organizimit të luftës paqësore për liri, përmes organizimit politik dhe formave të tjera, angazhimit intelektual, qëndresës përmes gazetarisë gjysmë-klandestine, kulturës e artit dhe një kohezioni të fuqishëm të të giitha niveleve të popullsisë”, tha ai.
Por, sipas Spahiut, Prishtina mbi të gjitha u bë një vatër e veprimit diplomatik të Kosovës, ku intelektualët u vunë në krye të këtij angazhimi për t’u nisur drejt qendrave të tjera evropiane, për t’i dhënë zë kauzës së Kosovës. Sipas tij ky angazhim i intelektualëve pati jehonë në mbarë botën, nga ku u mor edhe vëmendja e shteteve të fuqishme për të parë padrejtësitë që po i bëheshin popullit shqiptar.
“Çdo skutë e qytetit vepronte si një organizëm që luftonte mbi të keqen që i kanosej. Restorantet dhe kafenetë u bënë galeri arti e kulture, që në kushte të pamundshme ruanin shpirtin krijues të artistëve, madje me porosi për botën demokratike nga forca e mendjes dhe e atdhetarisë, hotelet e qendrave ishin vende përurimesh librash, performancash artistike e letrare, por edhe skena të hapura të aktrimit”, shtoi Spahiu duke theksuar rëndësinë ndër të tjera diplomatike që pati restorant-galeria ‘Hani i Dy Robertëve’ në të cilin qarkullonin artistët, poetët, piktorët, gazetarët e politikanët, elitat intelektuale të kryeqytetit, emra të gazetarisë botërore, vëzhguesit ndërkombëtarë.
Ndërsa, si çast shpresëdhënës panelisti Spahiu e përmend Hapjen e Zyrës Amerikane nga ShBA-të, përmes së cilës vendet perëndimore shtuan prezencën diplomatike dhe interesimin e tyre për Kosovën.
Më tej radha i takonte panelistes Naime Beqiri, e cila me mjeshtërinë e poetes, rrëfeu disa nga kujtimet të fëmijërisë, të rinisë, dhe jetës së realizuar në atë kohë në Prishtinë të protagonistes Sabile Bashës. Kryeqyteti atëherë karakterizohej me rrugica të ngushta, dyqane të vogla, e me një korzo që shërbente si vendtakim për biseda të këndshme mes miqsh, përderisa kinematë në Prishtinë frekuentoheshin nga rinia, filma në gjuhën serbe. Sipas Bashës, në një mënyrë shumë unike realizohej edhe mësimi në atë kohë në Prishtinë.
“Librat shqipe kanë qenë të pakta. Edhe ato që i dinim se ishin, disa nga ato ishin të ndaluara. Hetuesit e UDB-ës, bënin kontrolle dhe i arrestonin më të mirët. Megjithatë, edhe kjo nuk na ndalte. Dëshira për të lexuar ishte tepër e madhe. Romanin “Gjarpinjtë e gjakut” e Adem Demaçit, tërë klasa ime e pat lexuar edhe pse ishte i ndaluar. Poezitë e Fishtës i shkruanim në fletore dhe i përcillnim dorë më dorë.”, citoi Beqiri.
Rreth kësaj teme, Beqiri ka intervistuar disa persona. Ndër ta edhe Ismail Blakaj, mjek në pension por që vazhdon të punojë në fushën për të cilën është specializuar në Beograd dhe ka magjistruar në Zagreb. Blakaj jep një pasqyrë të fund viteve ’60 si student i brezit të parë në Fakultetin e Mjeksisë në UP.
Sa u përket jetës së natës dhe ngjarjeve në Prishtinë, ai shquan ndjekjen e ndeshjeve të futbollit e boksit, ndërsa nga fusha e kulturës përcjelljen në kinema të filmave që vinin nga Shqipëria si dhe shfaqjet në teatër.
Sa i përket mënyrës së jetesës së të rinjëve asokohe, ai e kujton një konvikt e disa baraka dhe gjithashtu tregon se si pjesa më me tollovi ishin mëngjeset e hershme për të zënë një vend në bibliotekë, ndërkaq kujton edhe ҁizmet e llastikut kur kishte borë, shi e baltë dhe i ndërronin me këpucët e tyre të lira para se të hynin ne fakultet. “Ishim edhe në ndikim të veshjeve të modeleve të rockut të kohës, të pamjes së tyre, kuptohet sipas mundësive tona”.
Panelistja Beqiri solli edhe disa kujtime autentike për Prishtinën të Shpresa Jusufit, e cila tash si 33 vjeçare, është Ambasadore e Maqedonisë së Veriut në Kosovë, flet për jetën studentore të asaj kohe.
“Shpresa e quan Prishtinën e rinisë së saj si mentalitet më i ngritur shoqëror, krejt ndryshe nga mentalitetet e vendeve shqiptare e edhe të vendit të saj. Isha e inkurajuar me Prishtinën që me takimin e parë”, citoi më tuje Beqiri, e cila më pastaj radhën e prezantimit e kaloi te panelisti tjetër Binak Kelmendi.
Ky i fundit solli informacione mbi Institucionet e artit dhe kulturës në kryeqytet, duke filluar nga Rilindja (1945), Radio Kosovën (1945), Radio Televizioni i Prishtinës (1975), RTK(1999), Biblioteka Kombëtare (1945), Teatri (1945), Teatri Dodona (1986), Rilindja (1950), Instituti Albanologjik (1953), Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës (1950), Univeristeti i Prishtinës (1970), Kosova Filmi (1922-1994), Akademia e Shkencave (1975), Akademia e Arteve (1973), Galeria Kombëtare ( 1979) dhe PEN Qendra e Kosovës (2004).
Binaku shtoi se të gjitha institucionet kryesore pothuajse kishin vitin e njejtë të themelimit, dhe se më pastaj në krye të tyre viheshin serbët, pasi “me udhëheqje të tilla, pra serbe të imponohej një kulturë dhe një art tjetër, i ashtuquajtur socialist dhe ai i vëllazërim bashkimit që nuk ishte gjë tjetër veçse egërsi e vrazhdësi që manifestohej haptas me mbisundim të gjithanshëm të serbëve ndaj shqiptarëve. Në këtë rast edhe me kulturë”, tha Binaku duke bërë të ditur se kjo vazhdoi deri në fillim të viteve të gjashtëdhjeta, në kohën kur kishte përfunduar faza më e re e rezistencës shqiptare për barazi në Kosovë e Serbi dhe për emancipimin kulturor të shqiptarëve.
Si ngjaje me shumë rëndësi Binaku në fund përmend edhe protestat e studentëve më 1981, të cilat brenda pak ditësh u masivizuan në demonstrata gjithëpopullore. Këto demonstrata u shëndrruan në pretekst të Serbisë kundër të gjitha të arriturave dhe popullit shqiptar, duke ua ndaluar veprimin e institucioneve kryesore të vendit që mbyllja e tyre vazhdoi deri më 1999.
Rrjedha e mbrëmjes më tej, vazhdoi me panelistin Sami Piraj, me temën Arti muzikor në Prishtinë, i cili tha se rrënjët e arit muzikor në Kosovë lidhen me formimin e shkollave muzikore në Prishtinë dhe Prizren, prej nga vazhduan edhe akademitë Muzikore në ish-Jugosllavi.
Sipas tij nevoja për të performuar në Radio Prishtinë, shtroi rrugën e profesionistëve të kësaj fushe për t’u marrë më muzikë, përderisa formimi i Produksionit Muzikorë, kishte krijuar parakushte për themelimin e festivaleve muzikore.
“Rreth vitit 1960 fillon mbajtja dhe organizimi i festivalit Akordet e Kosovës”. Formimi i “Akordeve” përveç muzikës krijuese të autorëve të këtij profili që vë në pah gjithsesi ishte një tentativë për të ngritur këngën e kompozuar në nivele më të larta”, tha Piraj.
Ai më tutje shtoi se jeta muzikore në Kosovë, ishte e lidhur ngushtë me qytetin e Prishtinës, ku janë organizuar dhe kanë rrjedhur festivalet si : Skena Muzikore e Prishtinës, Ditët e Muzikës Kosovare, Festivali i Muzikës së Lehtë, Zambaku i Prizrenit, Kënga e Rinisë, Festivali i Drenasit, Kosovarja këndon etj.
“Hapja e Akademisë së Muzikës më 1975 ishte hallkë shumë e rëndësishme për t’i dhënë një dimension tjetër muzikës dhe aktiviteteve të këtij arti, ku jeta kulturore në prishtinë krahas arsimit të përgjithshëm ishte shumë më optimiste, profesionale. Filluan të funksionojnë dendur ansamblet profesionale: Orkestra Simfonike e RTP-së, kori gjysmëprofesional “Collegum Cantorum” dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve ‘Shota’” ka thënë Piraj. Kështu vazhduan krijimi i artit në përgjuesi deri tek ataku kulturocid i decenjes ‘90-’99 ku me mbylljen e institucioneve sfida të mëdha pati edhe arti në Kosovë, ku ndodhi tëhuajësimi i vlerave i cili ndikoi në shijen për vlerën muzikore, që po vazhdon edhe në ditët e sotme.
Për fund panelisti Piraj u shpreh optimist se mbase Festivali i Radio Televizionit të Kosovës me orkestrën Simfonike që filloi këtë vit, do të jetë embrion për rikthimin e muzikës serioze në Kosovë.
Pas përfundimit të prezantimeve u shpall i hapur debati me publikun, ku ndër të tjera u përmendën Korzat dhe Fontana si elemente identifikuese të kryeqytetit. Pas debatit u dha njoftimi se nesër është mbrëmja e katërt, dhe e fundit e kësaj jave kulturore pjesë e të cilës do të jenë: Sali Bashota, Ardianë Pajaziti/KultPlus.com