21 Nëntor, 2019 - 7:02 pm
Sekretari shkencor i Institutit Albanologjik, Lulzim Laçi, e ka kundërshtuar raportin e “Integras” që e cilësonte këtë institut si “të vetizoluar”.
Në “Express Intervistën” në KTV, Laçi ka thënë se “përmbajtja e raportit me këtë titull del se instituti nuk është i izoluar”. Ai ka thënë se në raport ka shumë pasaktësi.
Ai ka thënë se botimet e tyre janë publikuar online e jo siç thuhet në raport. Sipas tij, problemi i mungesë së përkthimeve është për shkak të buxhetit të kufizuar.
“Përmenden përkthimet por e dimë problemin. Kemi përkthyer para dy tre vjetësh dhe mjetet për këto na ka dalë ndihmë ambasada norvegjeze. Kemi problem t’i botojmë projektet tona, edhe pse marrim rrogë për to e lëre më të bisedojmë për botime në gjuhë të huaj. Janë shpenzime të mëdha. Dihet sa kushton përkthimi për 300-400 faqe. Ne s’kemi buxhet fare për botime shkencore. Kemi 93 mijë euro për një vit për mallra dhe shërbime. Në këto mjete ku hyjnë prej tonerit, letre, kompjuterë, servisimi tash duhet të hyjë edhe shkencë. Krejt çka ka nevojë instituti hyjnë këto. Me këto ne mundohemi të bëjmë shkencë. Të botojmë libra, aktivitete jashtë Kosovës e të tjera”, ka thënë ai duke shtuar se ky institut publikon çdo vit nga 20 vëllime me rrethe 10 mijë faqe. “Përkthime në gjuhën angleze do të ishte mirë të kemi mjete më shumë e të përkthehen sa më shumë puna jonë në gjuhë të huaj. 93 mijë euro i kemi buxhet dhe me këto bëjmë shkencë, me 63 vjet traditë e i kemi as 100 mijë euro”.
Sipas tij, në këtë raport nuk është e saktë as ndarja siç ishte thënë për grada shkencore. Ai ka thënë se s’ka vëllim që kalon në këtë institut pa kaluar përmes filtrit të recensentëve.
Për kritikën e marrë nga Integra se këto punime duhet të vlerësohen nga dikush që nuk e di kush i ka bërë punimet, Laçi ka thënë se është e pamundur sepse “jemi tre-katër vetë që shkruajmë për mesjetën, hiqjani emrin secilit, menjëherë pas paragrafit të parë e di kush e ka shkruar”.
“S’kemi aq numër të madh të studimeve e kuadrove që të angazhojmë të tjerë”, ka shtuar ai.
Për mungesën e komunikimit me Kuvendin, Laçi ka thënë se është ankuar te deputetët për mungesën e ligjit.
Në fund ai ka shtuar se për t’u punësuar dikush në këtë institut, ose duhet të presë që dikush të pensionohet ose që të vdesë. “Një del një hyn, është fakt i dhimbshëm”, ka deklaruar ai. /KultPlus.com