Instituti Albanologjik solli tryezë shkencore mbi problemet në letërsinë shqipe

26 Tetor, 2017 - 6:22 pm

Për problemet e veçanta të cilat i dalin përpara shkencës dhe letërsisë, sot në Institutin Albanologjik është organizuar një tryezë shkencore në të cilën kanë referuar Arben Hoxha nga Instituti Albanologjik, Muharrem Jakupi nga Universiteti “Aleksandër Mojsiu” në Durrës, Sali Bytyçi nga Instituti Albanologjik në Prishtinë dhe Kristaq Jorgo nga Universiteti i Tiranës.

Fadil Graiqevci, shef i Degës së Letërsisë në Institutin Albanologjik, tregoi për disa problemet që paraqiten në shkencën e letërsisë po ashtu si dhe shkencat e tjera.

“Kohëve të fundit kemi shumë vepra, shumë krijues që shkruajnë në të folmen e zonave të ndryshme ku flitet shqipja andaj sot ndeshemi me shumë probleme në vërshimin e dijeve teorike letrare të krijimit të metodave të ndryshme të cilat nuk dihet a e ndihmojnë apo e ngatërrojnë lexuesin për të kuptuar mesazhin e veprës”, tha Grajqevci.

Arben Hoxha nga Instituti Albanologjik, në anën tjetër, paraqiti kumtesën e tij me titull “Gjendja e arsyes vetrefleksive e shkencës letrare shqiptare”, ku sipas tij ndryshimet socio-politike që solli fundi i shekullit XX dhe fillimi i shekullit XXI ishin sfiduese për mendimin shkencor letrar për qëllimet dhe mjetet njohëse të shkencës letrare.
“Marrëdhënia ontologjike njohëse midis shkencës dhe letërsisë si objekt të refleksionit të saj bazohet në tri shtylla në idenë për veten, në idenë jo vetëm për veten e shkencës por edhe të vetes tonë si subjekt njohës i cili mishërohet me shkencën letrare. Duhet te jenë tri shtylla: në idenë për veten, për të vërtetën dhe interesin njohës”, ka thënë Hoxha, shkruan KultPlus.

Ndërsa Muharrem Jakupi nga Universiteti “Aleksandër Mojsiu” nga Durrësi, ngriti disa çështje konkrete ku tregoi për artikuj dhe studime të natyrës shkencore ku nuk njihen as teoria as letërsia. Ai mes tjerash tregoi se po bie një kambanë e alarmit për atë çfarë po prodhojmë, me ç’rast edhe prezantoi analizimin që i ka bërë programit të letërsisë në shkollën e gjimnazit në Shqipëri.

“Unë kam shkruar shumë herë dhe e kam marrë me shumë seriozitet analizën e programit të letërsisë së shkollave të mesme: programet e letërsisë që kanë qenë nga 2008 deri në 2014-ën synonin ta vinin lëndën e letërsisë në funksion të aftësimit të nxënësve në pesë aftësi, mes tyre të lexuarit, të shkruarit e të dëgjuarit, aftësi që janë si për shkollë të shurdhmemecëve. Unë reagova me një letër te ministri dhe kryeministri dhe u bënë disa programe të reja që e vunë letërsinë përsëri në rend të kompetencës. Por ështe e tmerrshme kur e mendon se këto programe janë hartuar nga akademikë dhe shkencëtarë të albanologjisë”, tregoi Jakupi.

Sali Bytyçi nga Instituti Albanologjik solli kumtesën për “Pseudoteoritë dhe pseudomonografitë” dhe tregoi se në fushën e shkencave albanologjike në dekadën e fundit janë shfaqur si kurrë më parë fenomene negative si plagjiatura, pseudoteoritë, se në mungesë të një kodi etik bartësit e këtyre prirjeve devijante antishkencore veprojnë lirisht sepse ata jo rrallë kanë pozita të larta në poste drejtuese, jo vetëm në ato shkencore por edhe ato politike.

Sipas Kristaq Jorgos nga Universiteti i Tiranës, problemi themelor në fushën e studimit të letërsisë shqipe me të cilin ka lindur studimi i letërsisë shqipe që e ndjekë që nga fillesat deri më sot është vështirësia e vendosjes së një raporti të drejtë e të duhur midis individuales me pjesën, gjininë, qarkun letrar me të tërën.
“Sa i takon raportit të individuales me pjesën, zotëron në një pjesë të mirë të traditës e letërsisë shqipe shpesh individualja. Sa i takon raportit të letërsisë shqipe me të gjithëmbarshmen, letërsia në raportin rajonal dhe kontinental është e vonuar dhe e prapambetur me procesin e letërsive të mëdha botërore. Pika e katërt është sundimi i kaosit mbi rendin është vështirësia për identifikimin e ligjësive të procesit letrar shqiptar”, u shpreh Kristaq Jorgo. G.H / KultPlus.com

Të ngjajshme