23 Tetor, 2018 - 10:22 am
Dje para Komisionit Parlamentar për Arsim kanë raportuar anëtarët e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, kjo pas gjetjeve të Organizatës Integra që i kishte publikuar në raportin “Kriza në Akademi: Vlerësim i shoqërisë civile për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës”, shkruan KultPlus.
Pas raportit ‘Kriza në Akademi’, i botuar nga organizata ‘Integra’, me mbështetje nga programi ‘Promovimi i Shoqërisë Demokratike’, AShAK-u u detyrua të raportojë në Komisionin për Arsim në Kuvendin e Kosovës. Ndonëse ligjërisht AShAK-u është i obliguar t’i raportojë Kuvendit të Kosovës për punën e vet, deri më sot nuk i ka raportuar asnjëherë.
“Ligji për AShAK-un është në fuqi që nga janari i vitit 2016, por AShAK-u nuk ka raportuar as në fund të vitit 2016, as në fund të vitit 2017 e nuk do të raportonte as në fund të vitit 2018 po të mos ishte publikimi ‘Kriza në Akademi’. Prandaj, ky është një sukses, edhe pse raportimi i anëtarëve të AShAK-ut në Komisionin për Arsim të Kuvendit të Kosovës, bazuar në raportimet mediale, linte shumë për të dëshiruar”, shkruhet në njoftimin e “Integra”-s.
Gjatë raportimit në Komisionin për Arsim në Kuvendin e Kosovës, një nga përfaqësuesit e AShAK-ut kishte deklaruar se ajo që ua kishte zgjuar kureshtjen ishte se kush qëndron mbas atyre dy organizatave joqeveritare, duke marrë parasysh që financimi i tyre për ta është krejt i pa qartë, e edhe hulumtimi i tyre është tejet i cekët.
Lidhur me këtë organizata “Integra”, ka sqaruara edhe një herë se qysh në fillim të publikimit specifikohet qartë se ky raport është hartuar me mbështetje financiare nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe llogot e donatorëve veçse nuk bërtasin.
Ndërsa për vlerësimin e hulumtimit si të cekët “Integra” tha:
E dyta, hulumtimi ynë edhe mund të jetë tejet i cekët, por a ka mundësi të përgjigjeni në këto pyetje:
1. Pse gati të gjitha publikimet i keni të autorëve shqiptarë e në gjuhën shqipe dhe pse nuk e keni gati asnjë publikim në gjuhën angleze?
2. Pse që dhjetë vjet, ndonëse i keni marrë gati 10 milionë € nga buxheti i Kosovës – shtetit më të varfër në Europë – i keni finalizuar vetëm dy projekte të mëdha: Monografinë «Kosova – vështrim monografik» dhe «Fjalorin Enciklopedik të Kosovës» (për cilësinë e këtyre dy publikimeve një herë tjetër)?
3. Pse të gjitha projektet i keni projekte kombëtare, që do të thotë se për dallim nga akademitë përreth, nuk e keni asnjë projekt ndërkombëtar?
4. Pse prej 10 milionë € që keni marrë nga Buxheti i Kosovës, rreth 2/3 e këtij buxheti i keni çuar në paga dhe mëditje?
5. Pse honorari – për anëtarin e rregullt 1.429.54 €, e për anëtarin korrespodent 1.283.34 € – është trefish më shumë sesa i kolegëve tuaj nga vendet përreth, ndonëse Kosova është ndjeshëm më e varfër sesa vendet përreth?
6. Pse gati 90% e anëtarëve të rregullt të AShAK-ut nuk kanë pasë punime të publikuara në revista akademike ndërkombëtare, ndërkaq angazhime nëpër parti politike kanë pasë më shumë se gjysma e anëtarëve të rregullt të këtij institucioni?
7. Pse pranoni të udhëhiqeni nga një person i dënuar nga gjykata me 18 muaj burgim me kusht për shpërdorim të detyrës zyrtare?
8. Pse i pranoni në radhët tuaja të paktën tre plagjiatorë – Nexhat Daci, Sabri Hamiti e Arsim Morina – të akuzuar publikisht nga Musa Limani, nga Sali Bytyçi, e nga Talat Gjinolli, me dëshmi të forta, se veprat e tyre janë plagjiaturë?
9. Pse faqen zyrtare në internet e keni jofunksionale, të papërditësuar, dhe, mbi të gjitha, vetëm në gjuhën shqipe, e pothuajse asgjë në gjuhën angleze?
10. Pse prej 13 qëllimeve që ua përcakton ligji, ju e keni realizuar vetëm njërin: përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve të punës të anëtarëve të Akademisë?./ KultPlus.com