19 Mars, 2018 - 2:30 pm
Ibrahim Rugova, njihet si presidenti historik i Kosovës i cili krahas kësaj njihej edhe si Intelektual, akademik dhe shkrimtar shqiptar, shkruan KultPlus.
Në një intervistë për median gjermane, ai ishte pyetur për ndërlidhjen e politikës me letërsinë dhe se si bashkëjetojnë këto dy profesione . Ndërsa ai ishte përgjigjur se në politikë, ka hyrë duke e mbrojtur Shoqatën e Shkrimtarëve.
“Unë kam hyrë në politikë duke e mbrojtur Lidhjen e Shkrimtarëve, kur u prish Jugosllavia u sulmua edhe Lidhja e Shkrimtarëve, pastaj krijuam edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës ndërsa më 1992 u zgjodha president i Kosovës por unë jam edhe kritik letrar ndaj nuk e kam pasur të vështirë të futem në politikë”, ishte përgjigjur presidenti Rugova, i cili më pas kishte shtuar se këtë nuk e ka bërë për qëllime karrieriste por për të mbrojtur ekzistencën e tij dhe të popullit të Kosovës, si dhe për të krijuar një bazë të re të bashkëjetesës së Kosovës me Evropën dhe me botën.
“Është një politikë e ekzistencës dhe mbijetesës, që na është dashur ta zgjidhnim. Kam mësuar shumë nga kritika letrare edhe për marrëdhëniet e pushtetit në një vend të caktuar”, ishte përgjigjur tutje presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova.
KultPlus ju sjellë videon e kësaj interviste./ KultPlus.com