Isabel Allende, shkrimtarja kiliane që mahniti botën me realizmin e saj magjik

4 Gusht, 2019 - 10:30 pm

Njohja jonë me të filloi me “Shtëpia e shpirtrave” dhe mbeti shpirtërore atë ditë e sot lidhja me krijimtarinë e bujarshme që ajo endi me fijet e holla të shpirtit të ndjeshëm të një gruaje që luftoi me zemër e me penë.

Isabel Allende sot është 77 vjeç. Galerinë e saj krijuese e përbëjnë 24 libra, të përkthyer në 35 gjuhë të ndryshme të botës. Numëron 70 milionë libra të shitur. Është vlerësuar plot 60 herë në 15 vende të botës. Mbi bazën e romaneve të saj janë realizuar dy filma të vleresuar nga publiku dhe kritika.

Allende, që i përket brezit të autorëve të realizmit magjik. Ajo është një nga autoret e para të suksesshme në Amerikën Latine. Romanet e Allende shpesh bazohen në përvojën e saj personale dhe ngjarjet historike dhe bëjnë homazhe për jetën e grave, ndërsa gërshetojnë elementë të mitit dhe realizmit. Ajo ka ligjëruar dhe ka vizituar shumë kolegje amerikane për të dhënë mësim letërsi. E rrjedhshme në anglisht si gjuhë e dytë, Allende iu dha nënshtetësia e Shteteve të Bashkuara në 1993, pasi jetoi në Kaliforni që nga viti 1989, së pari me burrin e saj amerikan (nga i cili tani është ndarë). Është thënë që “Ndikimi i Allende në letërsinë e Amerikës Latine dhe botërore nuk mund të mbivlerësohet.” “Los Angeles Times” e quajti Allende “një gjeni”, dhe ajo ka marrë shumë çmime ndërkombëtare, përfshirë Çmimin Dorothy dhe Lillian Gish , vlerësime që u bëhet shkrimtarëve “të cilët kanë kontribuar për bukurinë e botës”.

Isabel Allende lindi në 2 gusht 1942 në Lima, si bija më e madhe e një diplomati kilian. Meqenëse prindërit e saj qenë ndarë, ajo e kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë në shtëpinë e gjyshit të saj. Më vonë ajo jetoi në Bolivi dhe në Liban dhe pastaj u kthye në Kili. Atje ajo punoi si gazetare, u martua dhe bëri dy fëmijë – vajzën Paula dhe djalin Nicolas. Së bijës, e cila vdiq në moshën 28 vjeçare për shkak të një sëmundjeje metabolizmi, ajo i kushtoi në vitin 1992 romanin e saj me të njëjtin emër, shumë personal, i cili ka në qendër vdekjen e saj.

Forcimi i të drejtave të grave

Që herët u angazhua Allende për të drejtat e grave. Në vitin 1968 ajo themeloi revistën feministe “Paula”, në të cilën ajo mbështeste edhe xhaxhanë e madh të saj, Salvador Allende. Që atëherë ajo shkruante pjesë të ndryshme teatrale dhe fitoi famë si moderatore televizori. Meqenëse gjatë diktaturës ushtarake të Pinoçetit ajo nuk ndihej më e sigurtë, ajo emigroi me gjithë familjen e saj në Venezuelë, shkruan DË.

Në mërgim ajo nisi të shkruajë një letër imagjinare, drejtuar gjyshit të saj. Letra e gjatë u kthye në një dorëshkrim, dhe nga dorëshkrimi lindi romani “Shtëpia e Shpirtrave”. Që në veprën e saj të parë ra në sy stili i pazakontë tregimtar i Isabel Allendes, në të cilin fiksioni dhe realiteti janë të ndërthurur me njëri-tjetrin, i ashtuquajturi “realizëm magjik”. Vërtetësinë mizore ajo e lidhi me një botë fantazie plot magji, e cila herë pas here përmbante gjurmë shprese.

Që prej më shumë se dy dekadash Isabel Allende jeton në SHBA, ku u martua edhe për herë të dytë. Por Kili mbetet atdheu i saj, thotë ajo në intervistë me DË. “Unë vazhdoj të ndihem kiliane. Prindërit e mi janë kilianë, familja ime është kiliane dhe unë i kam jetuar vitet e para të jetës sime në Kili, vite që lënë gjurmë”. Në novelën e saj më të fundit, “Përtej dimrit” bëhet fjalë për një migrante illegale nga Guatemala dhe për një gazetare të guximshme dhe optimiste, në të cilën pasqyrohet qëndrimi i Isabel Allendes.

Këto janë faktet që ofron Isabel Allende në faqen e saj në internet në rubrikën “Biografi”. Me sa duket që për këtë të mos flitet më. Sepse në thelb, për të është irrituese që ta vështrosh jetën në këtë mënyrë: “Kemi të bëjmë vetëm me një listë të dhënash, ngjarjesh dhe arritjesh. Në realitet, gjërat e rëndësishme të jetës sime zhvillohen në dhomat e fshehta të zemrës sime dhe nuk kanë vend në një biografi”.

Nuk janë librat sukseset më të mëdha të saj, por dashuria, që e lidh atë me disa njerëz dhe momentet, në të cilat ajo është përpjekur të ndihmojë të tjerët. Për shembull kur u angazhua gjatë diktaturës ushtarake të Pinoçetit për të përndjekur politikë ose si feministe, për të luftuar deri sot për të drejtat e grave në fondacionin e saj “Isabelle Allende Foundation”.

“Shtëpia e Shpirtrave” – vepra e saj e famshme

“Shtëpia e shpirtrave”, është një sagë familjare ku pasqyrohet historia dhe fati i një populli të tërë, i popullit të Kilit, përmes rrëfimeve të grave të një familjeje të rëndësishme dhe ekstravagante. Një afresk i bukur që për nga joshja dhe emocioni i kujton lexuesit që adhuron realizmin magjik vetëm “100 vjet vetmi” te Márquez.

Është fitues i një numri të pafund çmimesh ndërkombëtare, është një libër i shkëlqyer i letërsisë bashkëkohore, i cilësuar si një ndër 100 më të lexuarit e letërsisë së sotme.

Në roman përshkruhen në mënyrë marramendëse ngjarjet e vërteta të historisë, fshehur pas një fasade letrare. Në këtë sfond historik, të mirëpërcaktuar, hap krahët ngjarja në formën e një legjende. Dhe rrëfimi brilant shpalos historinë në tre breza të familjes së Esteban Truebës, i cili bie në dashuri me Rozën e bukur. E këtu nis e gjithë historia e kësaj familjeje…

Fletoret e vjetra të Klarës, të shkruara gjatë periudhave të gjata të heshtjeve të saj, shpalosin historinë e familjes e të vendit, të komploteve, dashurive dhe urrejtjeve, fajeve dhe hakmarrjeve, paudhësive dhe mirësive. Ëndrrat, shpresat, dashuritë, trashëgimitë shpirtërore dhe lidhjet mes njëri-tjetrit, të cilat bëjnë që faqet e librit të fluturojnë njëra pas tjetrës.

Ky roman të lë gojëhapur për fuqinë shprehëse dhe bukurinë e përshkrimit. Pa dyshim ai është një roman që mban edhe peshën e përshkrimit të ngjarjeve historike të vendit, perms të njëjtit talent letrar që e bënë Isabel Allende-n shkrimtare të famshme.

Por megjithë angazhimin e saj, janë natyrisht librat e saj, që e kanë bërë të famshme në të gjithë botën autoren kiliane. Në radhë të parë, vepra e saj e parë “Shtëpia e Shpirtrave”. /Albert Vataj /KultPlus.com

Isabel Allende

Të ngjajshme