Isabel Allende mbushi 75 vjeç, ‘Shtëpia e shpirtrave’ mbetet suksesi më i madh i saj

2 Gusht, 2017 - 11:05 pm

Isabel Allende është njëra prej autoreve më të lexuara në gjuhën spanjolle. Të paktë janë atë që e dinë se autorja kiliane lufton si feministe aktive për të drejtat e grave.

Ajo ka shkruar 23 libra, të përkthyer në 35 gjuhë dhe ajo ka shitur rreth 70 milionë prej tyre. 60 herë është dekoruar ajo në 15 vende për veprën e saj dhe dy filma ndërkombëtarë bazohen në romanet e saj.

Këto janë faktet që ofron Isabel Allende në faqen e saj në internet në rubrikën “Biografi”. Me sa duket që për këtë të mos flitet më. Sepse në thelb, për të është irrituese që ta vështrosh jetën në këtë mënyrë: “Kemi të bëjmë vetëm me një listë të dhënash, ngjarjesh dhe arritjesh. Në realitet, gjërat e rëndësishme të jetës sime zhvillohen në dhomat e fshehta të zemrës sime dhe nuk kanë vend në një biografi”.

Nuk janë librat sukseset më të mëdha të saj, por dashuria, që e lidh atë me disa njerëz dhe momentet, në të cilat ajo është përpjekur të ndihmojë të tjerët. Për shembull kur u angazhua gjatë diktaturës ushtarake të Pinoçetit për të përndjekur politikë ose si feministe, për të luftuar deri sot për të drejtat e grave në fondacionin e saj “Isabelle Allende Foundation”.

Isabel Allende, që festoi datëlindjen e 75-të në 2 gusht, vazhdon të jetë e interesuar politikisht dhe aktive. Presidentin e ri të atdheut që ka zgjedhur, SHBA ajo e sheh në mënyrë tepër kritike. Në një intervistë me Deutsche Wellen, ajo e quajti atë një biznesmen me pak skrupuj: “Nuk e di nëse institucionet amerikane janë aq të forta, për t’i rezistuar ndikimit të këtij demi të egërsuar, i cili nuk e di si mund të qeveriset”. Donald Trump është më e keqja, që mund t’i ndodhte Amerikës, shkruan DW.

Por megjithë angazhimin e saj, janë natyrisht librat e saj, që e kanë bërë të famshme në të gjithë botën autoren kiliane. Në radhë të parë, vepra e saj e parë “Shtëpia e Shpirtrave”. Kur Isabel Allende e shkroi sagën familjare në vitin 1982, ajo ndodhej tashmë në mërgim, në Venezuelë. Ushtria nën Pinoçetin e pati rrëzuar në Kili xhaxhanë e madh të saj, Presidentin socialist, Salvador Allende në vitin 1973. Pak kohë më vonë pas kësaj ai vrau veten. Që prej atij momenti, autorja, gazetarja dhe feministja nuk ndihej më e sigurt në vendin e saj.

Isabel Allende lindi në 2 gusht 1942 në Lima, si bija më e madhe e një diplomati kilian. Meqenëse prindërit e saj qenë ndarë, ajo e kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë së saj në shtëpinë e gjyshit të saj. Më vonë ajo jetoi në Bolivi dhe në Liban dhe pastaj u kthye në Kili. Atje ajo punoi si gazetare, u martua dhe bëri dy fëmijë – vajzën Paula dhe djalin Nicolas. Së bijës, e cila vdiq në moshën 28 vjeçare për shkak të një sëmundjeje metabolizmi, ajo i kushtoi në vitin 1992 romanin e saj me të njëjtin emër, shumë personal, i cili ka në qendër vdekjen e saj.

Që herët u angazhua Allende për të drejtat e grave. Në vitin 1968 ajo themeloi revistën feministe “Paula”, në të cilën ajo mbështeste edhe xhaxhanë e madh të saj, Salvador Allende. Që atëherë ajo shkruante pjesë të ndryshme teatrale dhe fitoi famë si moderatore televizori. Meqenëse gjatë diktaturës ushtarake të Pinoçetit ajo nuk ndihej më e sigurt, ajo emigroi me gjithë familjen e saj në Venezuelë.

Në mërgim ajo nisi të shkruajë një letër imagjinare, drejtuar gjyshit të saj. Letra e gjatë u kthye në një dorëshkrim, dhe nga dorëshkrimi lindi romani “Shtëpia e Shpirtrave”. Që në veprën e saj të parë ra në sy stili i pazakontë tregimtar i Isabel Allendes, në të cilin fiksioni dhe realiteti janë të ndërthurur me njëri-tjetrin, i ashtuquajturi “realizëm magjik”. Vërtetësinë mizore ajo e lidhi me një botë fantazie plot magji, e cila herë pas here përmbante gjurmë shprese.

Që prej më shumë se dy dekadash Isabel Allende jeton në SHBA, ku u martua edhe për herë të dytë. Por Kili mbetet atdheu i saj, thotë ajo në intervistë me DW. “Unë vazhdoj të ndihem kiliane. Prindërit e mi janë kilianë, familja ime është kiliane dhe unë i kam jetuar vitet e para të jetës sime në Kili, vite që lënë gjurmë”. Në novelën e saj më të fundit, “Përtej dimrit” bëhet fjalë për një migrante ilegale nga Guatemala dhe për një gazetare të guximshme dhe optimiste, në të cilën pasqyrohet qëndrimi i Isabel Allendes./ KultPlus.com

Të ngjajshme