“Ishte me të vërtetë koha e dashurisë dhe e lumturisë”

8 Gusht, 2022 - 7:45 pm

…Më kujtoheshin shpesh fjalët e poetit vlonjat Ali Asllanit, mikut tim të shtrenjtë, që më thoshte plot gaz: ”Amore, felicita!”.

Ishte me të vërtetë koha e dashurisë dhe e lumturisë! Të nesërmen u nisëm për në Romë, ku ramë po në atë hotel ku kishim fjetur një natë bashkë si motër e vëlla. Ramë të flemë në orën dhjetë dhe u ngritëm nga shtrati të nesërmen mbrëma! –

Meqë Romën e njihnim mirë, si ajo, ashtu edhe unë, u nisëm për në Firence, ku qëndruam dy ditë dhe soditëm thesaret e këtij qyteti të lashtë dhe të famshëm për veprat e artit, si edhe bukurinë e Fiesolës. Nga Firencja në Bolonjë dhe andej në Venecie, që s’e kishim parë as ajo, as unë.

Sa zbritëm nga treni, hipëm në një gondolë dhe i thamë gondolierit të na shpinte në një hotel. Pas një vozitjeje të shkurtër në Kanal Grande, ai na shpuri në Albergon “Luna” që ishte, me sa duket, një nga hotelet më të mira të Kanal Grandes.

Ishte hera e parë që do të flinim në një hotel të tillë, mjaft të shtrenjtë për ne. Tiranasja, shumë më dorëlëshuar nga natyra se gjirokastriti, u tregua më e matur këtë radhë, duke thënë se një luks i tillë ishte i tepërt për ne, por ku i shpjegova se gjithë ai udhëtim nëpër Itali me tren të klasës së parë, na kishte rënë shumë lirë dhe se një pjesë e këtij fitimi, mund ta shtinim në punë për të kaluar tri a katër net në këtë hotel luksoz, ajo u ngushëllua dhe më dha të drejtë.

Kur hymë në dhomë me atë shtrat të gjerë të ngritur një pëllëmbë mbi dysheme e shtruar me qilim dhe të mbuluar me xhiblikun e madh rozë që binte me palë të gjëra dhe kur hapëm pastaj dritaren që na shpalosi para syve ujërat e Kanal Grandes, që shkreptinin në diell dhe ku vozitnin gondolat, sodisnim të habitur atë bukuri që kishin ëndërruar dhe shijuar, para nesh, shumë njerëz të dëgjuar të kësaj bote. Mos kish fjetur vallë këtu Bajroni, apo Zhorzh Sandi me Alfred de Mysenë?

P.S.
Çifti i ri do të shkojë edhe në Milano për të soditur bukurinë e Duomos, pastaj në Torino për të shëtitur në parkun Valentino dhe andej në Liqenin e bukur të Komos, për t’i dhënë fund në këtë qytet udhëtimit që do të mbante gjallë ëndrrat e tyre për më shumë se pesëdhjetë në Shqipërinë komuniste. Vetëm pesëdhjetë vjet më pas, ata do të udhëtonin sërish bashkë, për të mbërritur përmes detit në Bari.

Vedat Kokona / KultPlus.com

Të ngjajshme