23 Korrik, 2019 - 10:45 am
Shkrimtari shqiptar me famë botërore Ismail Kadare, është në garë për çmimin prestigjioz The Neustadt International Prize for Literature, që ndahet nga Universiteti i Oklahomës, shkruan KultPlus.
Ky çmim shpesh është krahasuar me çmimin “Nobel” për letërsi, madje gazeta e madhe njujorkeze New York Times e quajti çmimin si “Nobeli amerikan”.
Në të kaluarën çmimin e kanë fituar emra të njohur të letërsisë si Gabriel Garcia Marquez, Octavio Paz, Giuseppe Ungaretti, e të tjerë.
Kadare do të jetë në garë me shkrimtarë si Eduardo Halfon, Jessica Hagedorn, Emmanuel Carrere, Hoa Nguyen e të tjerë. Pritshmëritë janë të mëdha për shkrimtarin tonë, i cili ka korrur suksese të mëdha gjatë karrierës, duke fituar mes tjerash edhe një çmim prestigjioz, “Prince of Asturias” për letërsi.
“Ismail Kadare, është njëri nga shkrimtarët më të rëndësishëm në botë sot. I lindur në Shqipëri në vitin 1936, ai filloi të shkruajë poezi dhe prozë të shkurtër në vitet 60’, gjatë regjimit totalitar që mbretëronte në Shqipëri.
Veprat e tij të para janë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gur”, “Vajza e Agamemnonit”. Veprat që e bënë emër të veçantë në fushën e letrave janë “Prilli i thyer”, “Dosja H” e të tjera.
Krijimtaria e tij është përkthyer në dyzet gjuhë të botës. Në vitin 2005, ai u nderua me cimin “Man Booker International”, për “veprën që ka pasur ndikim të vërtet global”. Ai poashtu u laureua me çmimin e “Prince of Asturias” në vitin 2009” shkruhet në prezantimin e shkrimtarit shqiptar që i bën Neudtadt Prizes. /KultPlus.com