11 Tetor, 2018 - 9:28 pm
Pas vdekjes së shkrimtarit Fatos Arapi, të shumta kanë qenë mesazhet plor dhimbje për këtë humbje të madhe për letërsinë shqipe.
Një mesazh plot dhimbje e krenari e ka përcjellë edhe shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare. Ai ka vlerësuar jetën dhe veprën e Fatos Arapit si “një jetë dhe krijimtari dramatike të shtrirë në dy epoka” e cila sipas tij “do të jetë e veçantë dhe e çmuar në kroniken e gjatë të letërsisë shqipe”.
Mesazhi i plotë i shkrimtarit Ismail Kadare:
“Pas ikjes së Dritëro Agollit, letërsia shqipe i ka gjithmonë e më të vështira humbjet e tjera, të dhimbshme si kjo e Fatos Arapit.
Shkrimtar i rëndësishëm, me një jetë dhe krijimtari dramatike të shtrirë në dy epoka, Fatos Arapi, mik dhe koleg i dashur, u bë pjesë e pandarë e kalendarit letrar shqiptar të shekujve XX e XXI. Dëshmia e tij artistike do të jetë e veçantë dhe e çmuar në kronikën e gjatë të letërsisë shqipe”.
Fatos Arapi u nda sot nga jeta në moshën 89 vjeçare. Ai i përket brezit të shkrimtarëve të shquar të shekullit të 20, një poet dhe prozator i thellë, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në letërsinë shqiptare. /KultPlus.com