1 Tetor, 2019 - 11:50 am
“Çdo ditë është një fletë e bardhë për të shkruar nota muzikore, nota të ardhura nga thellësia e shpirtit. Një fletë për të shpalosur një buzëqeshje që dhuron jetë…”
-“Në rast se doni që ta zotëroni vërtet një femër, duhet të mendoni si ajo, e pikësëpari t’i pushtoni shpirtin. Pjesa e mbetur, mbështjella e ëmbël dhe e butë që t’i prish mendtë e virtytet, vjen më pas si garniturë”
-“Dikush dikur ka thënë se, kur rri e mendon nëse e dashuron dikë, dashuria ka marrë fund”.
-“Në botën tonë, të fundit që vdesin janë paragjykimet”
-“Sapo që hyn në lojë vdekja, te të gjithë njerëzit zgjohen ndjenjat më të forta. Kur kemi përpara arkivolin, shohim aty vetëm të mirën ose atë që duam të shikojmë”.
– “Leximi është një art që po vjen duke u shuar dhe librat janë pasqyra ku gjejmë vetëm atë që kemi brenda nesh, se leximi përfshin mendjen dhe zemrën, dy sende që po bëhen gjithmonë e më të rralla”.
“Fati nuk bën vizita në shtëpi, duhet shkuar në kërkim të tij !”
“Tani që të humba, e di se kam humbur gjithçka. Pavarësish kësaj, s’mund t’ia lejoj vetes që të zhdukesh nga jeta ime dhe të më harrosh pa e ditur se s’të mbaj mëri, se që në fillim e ndieja se do të të humbisja dhe se ti s’do të shihje kurrë tek unë atë që unë shihja tek ti.”
“Çdo libër ka shpirt. Shpirtin e njeriut që e ka shkruar dhe te atyre qe e kanë lexuar dhe ënderruar për të. Sa herë që dikush e shfleton, sa herë që dikush hedh sytë nëpër faqet e tij, shpirti i tij rritet dhe forcohet.”
“Asgjë nuk ndodh rastësisht nuk mendon? Gjithcka, në fund, është e drejtuar nga një inteligjencë e errët.Gjithcka është pjesë e dickaje që nuk arrijmë ta kuptojmë, por që na ka në dorë…”
“Librat janë pasqyra: në to sheh vetëm ato që ke në vetvete.”
“Mënyra më e mirë për t’i bërë të varfërit të padëmshëm, është t’u mësosh atyre se si t’i imitojnë të pasurit. Ky është helmi me të cilin kapitalizmi verbon.”
“- Dhe si më sheh ti ?
– Si një mister.
– Është një kompliment i çuditshëm. Më i çuditshmi që mund të kem marr ndonjëherë.
– Nuk është një kompliment. Është një kërcënim.
– Ç’do të thotë?
– Misteret zbulohen.
– Mund të të zhgënjej.
– Ose ndoshta të më befasosh.”
“U magjepsa derisa vesa e agut lëpiu xhamat e dritareve dhe sytë e mi të lodhur u mbështetën në faqen e fundit të librit. Atëherë, u shtriva në krevat, me librin mbi kraharor dhe dëgjova tingujt e qytetit të përgjumur që kullonin mbi çatitë e laruara nga ngjyra e purpurt. Gjumi dhe lodhja trokisnin në portën time, por unë nuk dorëzohesha.
Nuk doja ta braktisja magjinë e asaj historie, as t’u thoja lamtumirë personazheve të saj. Një ditë, e kapa veten duke i thënë një klienti në librari, se të pakta janë ato gjëra që lënë mbresa aq të mëdha, sa libri i parë që ka prekur zemrën tënde.
Jehona e fjalëve që mendojmë se i kemi harruar na shoqëron gjithë jetën dhe ngre në kujtesën tonë një pallat tek i cili, megjithë librat e tjerë që do të lexojmë, megjithë gjërat e tjera që do të mësojme apo do të harrojmë, herët apo vonë do të rikthehemi.”
“…U kthyem me hap të vendosur andej dhe ecëm me hap të rregullt në kurorat e pemëve, për t’u mbrojtur nga shiu i imtë, ndoshta edhe për t’iu ruajtur vështrimit të njëri – tjetrit. Më dukej sikur Bea ecte gjithmonë e më shpejt, sikur më tërhiqte edhe mua pas vetes. Për një çast mendova se po t’ia lëshoja dorën, ajo do të rendte vrap. Fantazia ime, ende e mbushur përplot me prekjen dhe shijen e trupit të saj, digjej për t’i pëshpëritur gjithë marrëzitë që një të huaji do t’i dukeshin tepër të çuditshme…” /KultPlus.com
Carlos Ruiz Zafon