7 Maj, 2021 - 9:01 pm
Jani Minga, veprimtar i Lëvizjes Kombëtare, pedagog, iluminist e luftëtar kundër analfabetizmit, u nda nga jeta 74 vjet më parë, më 7 maj të vitit 1947. Minga lindi në fshatin Shënpjetër të Fierit më 1 gusht 1872. I ati, Kostandini, qe mësues i shqipes në Manastirin e Apollonisë.
Shkollën fillore e kreu në Berat, ndërsa të mesmen në shkollën “Koto Hoxhi” në Qestorat. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Athinës, fakulteti filologjik. Njihte greqishten e vjetër dhe të renë, latinishten, italishten dhe frëngjishten.
Jani Minga mori pjesë në të gjitha kongreset arsimore. Ishte nismëtar për krijimin e klubit atdhetar “Labëria” më 1889 dhe i hapjes së shkollës së parë shqipe në Kaninë më 1909, ndërkohë hartoi edhe tekstet shkollore: “Abetare kombëtare shqip përgatitore”, “Abetare shqip këndimore”, “Gramatikë e gjuhës shqipe” etj.
Në korrik të vitit 1911 mori pjesë në Kuvendin e Drashovicës, në mbështetje të Memorandumit të Gërçës. Ndërsa, në vitin 1912 fitoi të drejtën e të dhënit lëndën e historisë dhe gjeografi së, pas një konkursi në Janinë.
Më 1912 Minga mori pjesë në Kuvendin Kombëtar që shpalli pavarësinë. Me hapjen e shkollës së Vlorës, u emërua drejtor i saj. Së bashku me një çetë të Semanit, luftoi në luftën e Vlorës së vitit 1920. Pati nderin të mbante fjalën e fitores në sheshin “Pavarësia”. Më 1922 mori pjesë në kongresin e arsimtarëve në Tiranë. Ishte përkrah Nolit gjatë kryengritjes së qershorit 1924 dhe mbajti fjalën e rastit kur trupat kryengritëse hynë në Tiranë. Vite më vonë iu përkushtua arsimit, si mësues e inspektor dhe kohë më kohë organizonte aktivitete me frymë patriotike. / KultPlus.com