10 Prill, 2019 - 2:31 pm
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, hapi sot edicionin e 17-të të veprimtarisë kulturore “Java e Bibliotekës në Kosovë”, shkruan KultPlus.
Fjalën e hapjes e bëri drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Fazli Gajraku, i cili tha se Java e Bibliotekës është një festë vjetore që përpiqet të jap mesazhin pse bibliotekat kanë rëndësi, dhe si duhet përdorur bibliotekat për të treguar se sa shume dije ruhet brenda tyre.
“Java e Bibliotekës në Kosovë që mbahet në muajin prill përveç që hapë debatin për të trajtuar njohurit tona dhe dijet bibliotekare, përvojat tonë të përbashkëta dhe të veçanta deri aty sa edhe përdoruesit e bibliotekës na mësojnë ne bibliotekarëve është edhe një festë vjetore që përpiqet të jap mesazhin pse bibliotekat kanë rëndësi, një festë që flet për kultivimin e kureshtjes për ti përdorur bibliotekat për të treguar se sa shume dije ruhet brenda tyre nga ajo që nuk e dimë se sa mundësi ka për ta bërë përdoruesin të kënaqur për atë që kërkon e gjenë, poashtu për ta bërë edhe të mërzitur për atë që nuk mund të ia ofroj biblioteka“, tha Gajraku.
I pranishëm në këtë edicion ishte edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili në fjalimin përshëndetës u shfaqë tejet i mallëngjyer, duke u shprehur se biblioteka i ngjallte emocione duke ia kujtuar ditën e parë kur ka ardhur si 18-vjeçar.
“Për mua personalisht vërtetë është pjesë e emocioneve për vetë faktin se e kujtoj ditën e parë kur kam ardhur si 18-vjeçar. Në vitin e parë të studimeve jam futur në këtë ambient për herë të parë, nuk e di a ka ndërtesë që më bën më tepër përshtypje sesa kjo ndërtesë e Bibliotekës sonë Kombëtare. Kemi kaluar me mijëra orë duke lexuar pikërisht në këto ambiente. Kemi pasur momente gëzimi rinor, entuziazmi, por në të njëjtën kohë edhe sakrifice të cilat kanë qenë pjesë e sakrificës sonë kombëtare. Gjithë kjo kujtesë, gjithë këto emocione natyrisht e bartin me vete edhe pjesën e përgjegjësisë që kemi sot si njerëz, si qytetarë të këtij vendi të lirë, si përgjegjës institucional, të punojmë edhe më shumë për vendin tonë. Ta çojmë edhe më përpara vendin tonë”, është shprehur Veseli.
Për një fjalë rasti nuk mungoj as njëri nga bashkëpunëtorët kryesor të këtij projekti, e që ishte Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili tha se së bashku do të reflektojnë dhe të flasin për rolin e bibliotekës sfidat dhe mundësit e përkrahësve të këtij institucionit të rëndësishëm për ruajtjen dhe përpunimin e trashëgimisë së shkruar dhe jo të shkruar.
“Kam kënaqësinë dhe nderin të jem me ju në edicionin e 17-të të javës së Bibliotekës Kombëtare që së bashku të reflektojmë dhe të flasim për rolin e bibliotekës sfidat dhe mundësit e përkrahësve të këtij institucionit të rëndësishëm të grumbullimit të ruajtjes dhe të përpunimi të trashëgimisë së shkruar dhe jo të shkruar. Duhet të flasim zëshëm dhe ne po punojmë dhe po veprojmë në këtë drejtim që derisa revolucioni i informacionit i ka dhënë presion të madh bibliotekave tona ne duhet t’i ndihmojmë ato për të përgatitur infrastrukturën e përshtatshme që të gjejmë rrugën e tyre të duhur në këtë ndarje dramatike teknologjike”, ka thënë Gashi.
E pranishme në këtë edicion ishte edhe Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Persida Asllani e cila në një fjalë rasti tha se formimi dhe trajnimi bibliotekar në funksion të krijimit të një trupe të mirëfilltë profesionale është një domosdoshmëri e përhershme në kushtet e zhvillimit të rrjetit të bibliotekave të Kosovës dhe të Shqipërisë.
“Është detyrim i yni i përbashkët t’u përgjigjemi në nivel sa më të lartë profesional akumulimit ruajtjes dhe restaurimit të pasurisë sonë të shkruar, por aq sa edhe përpunimit, sistemimit, publikimit dhe qarkullimit të informacionit që ato paraqesin për përdoruesit e bibliotekave jo thjesht në nivel shtetëror, por kombëtar, rajonal e botëror”, është shprehur krejt për fund Asllani.
Ky aktivitet që do të mbahet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës do të zgjasë deri më 14 prill 2019./ Xh. Uka / KultPlus.com