23 Maj, 2023 - 10:51 am
Biblioteka Kombëtare ”Pjetër Bogdani”, hapi mbrëmë edicionin e 20-të të ”Javës së Bibliotekës në Kosovë”.
Ky organizim i veçantë, gjatë javës pritet të sjell për publikun një mori ligjërata, diskutime dhe debate lidhur me temën kryesore të këtij viti, e cila është ”Biblioteka dhe shërbimi i referencave”. Nga krejt kjo, të pranishmit pritet të përfitojnë njohuri mbi fushën tematike, aftësi komunikimi dhe kompetencë në përzgjedhjen dhe zgjedhjen e materialeve, shkruan KultPlus.
Teksa mbrëmë, u mbajt edhe ceremonia hapëse e cila rreth vetës kishte mbledhur një numër të madh, dashamir libri dhe jo vetëm. Këtë ceremoni e nisi me fjalimin e tij, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i cili i dha atribute të larta bibliotekës, kulturës, dijes dhe librit në përgjithësi.
”Normalisht, që biblioteka do shkoj edhe më tej në modernizimin e mjeteve në shërbim të lexuesit, në digjitalizim të vetvetes së saj, por më së pari ajo do përpiqet të mbaj afër brezin e teknologjisë me atë të intimitetit të dijes dhe të kolektivit të kërkimit”, tha kryeministri Kurti i cili tutje ju drejtua brezit të ri, duke kërkuar nga ta, ta duan librin dhe përmes tij ta zgjojnë imagjinatën.
”Teknologjia na sjell lajmet nga çdo cep i botës, por libri na sjell reflektimet mbi ngjarjet nga çdo cep i kokës”, u shpreh kryeministri.
Kurti gjithashtu kërkoi leximin e librave të Adem Demaçit dhe librave që ai kishte lexuar gjatë qëndrimit të tij në burg. Gjithashtu propozoi tituj librash për lexim, si ”Dashuri kuantike e filanit”, ”Libër për vetëmohimin” dhe ”Gjarpërinjtë e gjakut”.
Kryeministri e përfundoi fjalimin me bindje në jetëgjatësinë e Bibliotekës së veprimtarit Adem Demaçi e cila u inaugurua mbrëmë.
Ceremonia vazhdoi me një fjalim nga Shqiptar Demaçi, djali i Adem Demaçit me rastin e dhurimit të bibliotekës së të atit.
Ai lexoi një ide origjinale të babit të tij për lëvizjen politike “Harmonia”, të shkruar më 11 gusht 2014. Nga ky shkrim i shkurtër u lexuan premtime rreth jetës në harmoni, zhvillimin e prirjeve individuale, largimin e varfërisë e padijes dhe zhvillimin e përgjithshëm të vendit. Shkrim origjinal ky, i cili gjithashtu ju dhurua bibliotekës.
Kryetari i Këshillit Drejtues të Bibliotekës, Bardh Rugova tregoi se ajo çka na dallon është aftësia për të shkëmbyer ide dhe se trashëgimia u takon atyre që vijnë pas.
”Gjersa kremtojmë të arriturat ndër shekuj, luftojmë për rezultate edhe më të mira në të ardhmen”, u shpreh Rugova i cili tutje tha se kjo nuk arrihet vetëm nga idetë por duhen investime dhe vullnet institucional.
Ndërsa rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi tha se kjo ngjarje na lidh me kujtesën kolektive kulturore dhe karakterin universal të librit. Ai përmendi dhe pamjen e përfolur të Bibliotekës Kombëtare, e cila mbet nën hijen e vlerës së saj.
”Biblioteka është burimi ekzistencial i dijes, mbetet e vlefshme dhe në kohën kur biblioteka po transformohet dhe mund të transformohet.”
Ai tregoi për bashkëpunimin me partner ndërkombëtar, ngritjen e cilësisë së shërbimeve në bibliotekat universitare dhe modernizimin e tyre. Qerimi bëri thirrje për lexim, duke cilësuar librin element të pazëvendësueshëm në formimin e individit dhe shoqërisë.
E pranishme ishte dhe zëvendësdrejtorja e Bibliotekës Kombëtarë të Shqipërisë, Etleva Domi. Ajo tregoi se po e priste me padurim këtë ceremoni në Prishtinë, për shkak të dy dekadave bashkëpunimi me partnerët nga Kosova, në fushën e bibliotekonomisë, botimeve te përbashkëta, trajnimeve, ekspozitave etj.
Domi shtroi pyetjen se a është e mundur që me zhvillimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, biblioteka të mos jetë e nevojshme në të ardhmen.
”…Edhe në kohën kur po rritet një gjeneratë elektronike, bibliotekat vazhdojnë të mbeten vatrat kryesore të reflektimit të kulturës së vërtetë librore dhe libri bartësi më i mirë i dijes”, ju përgjigj ajo kësaj pyetje retorike.
Krejt në fund të këtyre fjalimeve, fjalën e mori edhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku i cili u shpreh se gjatë ”Javës së Bibliotekës” do te këtë organizime të ekspozitave, të librit, artikujve, katalogëve, posterëve, fotografive dhe bëri thirrje për pjesëmarrje.
Ai përmendi se gjatë këtij viti pritet konvertimi i invertarit ekzistues në të dhëna të lexueshme nga makina në të gjitha bibliotekat publike, automatizimi i rrjedhës së punës në bibliotekat publike, ndërtimi i faqes së brendshme të përdoruesit, burime digjitale e elektronike, huazime ndërbiblotekare e kështu me radhë.
Ceremonia përfundoi me disa video-mesazhe nga specialistët amerikanë. Ata shprehën lidhjen e tyre me Kosovën dhe uruan Bibliotekën Kombëtare të Kosovës për të arriturat e saj.
Të pranishmit më pas u drejtuan drejt Bibliotekës tejet të veçantë të veprimtarit Adem Demaçi e cila u inaugurua mbrëmë.
Në këtë bibliotekë e cila nga mbrëmë ka hapur dyert për lexuesit, përveç librit, kishin zënë vend shumë nga gjërat personale të Demaçit duke përfshirë, fletore me shënime, stilolapsi i tij, certifikata e mirënjohje të ndryshme, telefoni personal, fotografi, syzet e shumë e shumë gjëra t tjera tejet të çmuara për familjen dhe jo vetëm.
Kjo veprimtari kulturore e cila nisi mbrëmë, pritet të zgjas deri më 28 maj për të ju shpalosur edhe shumë aktivitete të tjera të cilat nuk duhet t’i humbisni.
Ju kujtojmë që ”Java e Bibliotekës” përfshinë të gjitha bibliotekat e Kosovës dhe organizohet nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com