21 Gusht, 2022 - 4:00 pm
Posa ka dalë në qarkullim numri i dytë për këtë vit i revistës letrare të traditës “Jeta e re”. Revista hapet me një in memoriam për poetin e mirënjohur Xhevdet Bajrajn, i cili ndërroi jetë sivjet. Bajraj në këtë numër të revistës është përfaqësuar me një cikël poezish përzgjedhur nga opusi i tij poetik dhe me intervistën me titullin “Të shkruash në dritë të zezë”.
Në rubrikën e prozës janë prezentuar: Gëzim Aliu me tregimin “Ligësia”, Gazmend Krasniqi me “Gruaja e shën Gjon Gojartit”, Agron Y. Gashi me “Gjaku”, Bajram Sefaj me “Kërroçja” dhe Sevdail Zejnullahu me “Pengu i kthimit”, ndërkaq nga të huajt me tregime vijnë dy klasikë të letërsisë- Alberto Moravia me “Nuk dinë të flasin”, kurse Gi de Mapsam me “Flozofi” dhe “A ishte ëndër” .
Në rubrikën e poezisë me nga një cikël poezish vijnë autorë të njohur shqiptarë dhe të huaj, si Sali Bashota, Rudolf Marku, Arbër Selmani, Vislava Simborska, Serhij Zhadan, Ilya Kaminsky dhe Silvia Bre.
Ndërkaq, në rubrikën qendrore Dossier, në një hapësirë prej katërdhjetë prej faqesh, këtë herë vjen shkrimtari argjentinas Orasio Kiroga. Ai është përfaqësuar me tregimet “Rrjedhës teposhtë”, “Huan Darien” dhe “I vdekuri”, pastaj me intervistën me titullin “Historitë personale janë shtysa për të shkruar”, “Dekalogu i tregimtarit të përsosur”, “Kiroga: mjeshtri i përkores” nga Ricardo Sevilla dhe “Orasio Kiroga: klasiku i së ankthshmes”.
Rubrika e kritikës fillon me studimin “Kryevepra e Fishtës” të Kujtim M. Shalës, për të vazhduar me “A i duhen Austen-it rrëfimtarët? A i duhen rrëfimtarët ndokujt?” të Brian Boyd-it, “Simulakra dhe simulimet” të Jean Baudrillard-it, “Qasja në veprat letrare: një problem në teorinë dhe praktikën e klasifikimit” të Clare Breghtol-it, “Gjaku i papastër” (i Borisav Stankoviçit) si reflektimi i një romani mbi traditën, konvencionet e aktualitetit dhe dromcat moderniste në shoqërinë serbe” të Rrezart Morinajt dhe “Zorba-filozofia e një jete” të Eriola Çoçajt.
Përkthyesit që kontribuan në këtë numër janë: Alket Çani, Arben Idrizi, Bajram Karabolli, Erion Karabolli, Alfred Beka, Arta Hallaçi, Ilir Breca, Valon Veliqi dhe Jehona Shala./ KultPlus.com