11 Maj, 2020 - 11:00 am
Nga Jusuf Buxhovi
Seç m’u lidh në mendje pamja e akullt e Harun Xhaferit dhe shikimi i tij zhbirues gjatë takimit me Kajmekamin kur po na shikonte si kufoma. Si i tillë, nuk m’u hoq as kur po kaloja nëpër Çarshi të Madhe skaj tezgave të shkreta. E nuk m’u hoq as kur dola në pjesën e Rrypës që soste te Ura e Tabakut, e mbyllur nga zabitët në të dy anët e saj. Haruni nuk m’u hoq as kur po bëhesha gati për uratën e mbrëmjes. Në atë përndjekje Haruni i sertë sikur po më thoshte diçka se me grithje kishim nxjerrë një kashtë dhe kishin dalë njëzet e gjashtë…
“ Nuk keni si t’i ikni asaj që ju pret… Kajmekami me të vetën… Shefqet Aga me të vetën… Dhe, ndonjë tjetër, që nuk e vëreni fare, u sillet përreth për me i vu kapak hesapit…”
Nga kërcënimet më shkëputi për pak Padër Coli që po më priste për uratën. U ngrita si i shkallmuar dhe iu vuna mbas me shpresën se do t’i ikja fjalëve të Harun Xhaferit. Por, ato nuk po më ndaheshin edhe kur zbritëm shkallët e drunjta, e as kur dola para altarit. Në atë gjendje të rëndë, mezi nxora nga goja fjalët e uratës, sikur të ishin fjalë morti…
Për t’i ikur atij ligështimi, fare i hallakatun dola jashtë. Këmbët më çuan te plemet e Rremë Kusarit. Burri azgan, sapo më pa ashtu dyfish dhe i dalë syretit, më tha se me jetë mbrohet jeta dhe jo me frikën e vdekjes dhe ulëritjet për të…Ato të çmendin…
“Jetën e kemi dhuratë nga Perëndia… Për këtë duhet me luftue deri në dakikun e fundit dhe me ju gëzua asaj gjithnjë…”
Fjalët e Rremë Kusarit sikur ma hoqën nga koka Harun Xhaferin…
“Të paçim”, i thashë. “Ketë kemi për detyrë”.
(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”) / KultPlus.com