13 Maj, 2020 - 5:00 pm
Recension nga Bujar Meholli për romanin “Dëshmon Pereira” të Antonio Tabukit
Sistemet totalitare e kanë ndrydhur individin dhe e kanë shndërruar në një marionetë që do t’iu bindet rregullave që sistemi i vendos, ndryshe ai qe bërë copë e thërrime. Një jete të tillë nën presion dhe censurë a mund t’i thuhet jetë? Definitivisht, jo!
Gjatë këtyre sistemeve, më së vështiri e kanë pasur artistët, sepse ata është dashur në të shumtën e herëve të shpërfytyrohen, pra të dalin nga vetja e tyre për t’iu përshtatur sistemit.
S’ka se si të përshkruhet më mirë kjo sesa në romanin e autorit italian Tabuki “Dëshmon Pereira”, i botuar në vitin 1994. Tabuki arrin mjeshtërisht ta krijojë një tablo të asaj kohe të zymtë të Portugalisë fashiste nën regjimin e Salazarit. (Kryeministri autoritar portugez).
Si një shkrimtar me prirje antifashiste, Tabuki, përmes një ironie të hollë që shndërrohet në sarkazëm, skalit personazhe herë-herë tragjikomike si drejtori i gazetës “Lisboa”, një ndjekës i pushtetit i cili mendon së gjërat “e huaja” nuk i bëjnë mirë Portugalisë.
Pereira, një gazetar me përvojë të gjatë, pajtohet në gazetën “Lisboa” si drejtues i faqeve të kulturës. Ai bën punën e tij në një zyrë të vogël, me ajër të zënë e të mundimshëm, i vetëm. Për këtë aq i bën drejtorit i cili ka vajtur për pushime në një ishull të bukur, dhe s’i intereson për kushtet në të cilat Pereria punon, ai s’merr fort erë në letërsi dhe art, mjaft që në gazetën e tij të botohen shkrimtarët me ide pro-pushtetit salazarist.
Tabuçi provon të eksperimentojë me gjuhën dhe strukturën e romanit, ai nuk i ndan fare dialogët që janë të shumtë në roman, derisa në fund të çdo kapitulli përsëritet fraza “Dëshmon Pereira”.
Kjo frazë është interesante sepse në mendjen e lexuesit krijohet një përfytyrim i Pereiras, sikurse të ishte para dikujt duke e rrëfyer historinë e tij gjatë atyre ditëve të vështira që i ka jetuar. Me pak fjalë, Pereira mbetet pa gruan, ajo vdes nga tuberkulozi, dhe ai gjithçka mund të bëjë është ta mbaj portretin e saj dhe t’i flas për çkado që i ndodh në punë e gjetkë.
Situata e rëndë sa vjen e përshkallëzohet, njerëzit vriten, policët ushtrojnë dhunë, Pereira gjendet para një situate të vështirë. Njohja me shkrimtarin e ri Monterio Rosi shënon kthesën e jetës së tij. I riu Rosi nis të shkruajë për gazetën “Lisboa”, njoftohet me Pereiran dhe diskutojnë për ringjalljen e trupit për të cilën Pereira është dyshues.
Shkrimet e Rosit nuk i boton Pereira për shkak të censurës fashiste. Sepse shkrimtarët që përzgjedh Rosi janë anti-regjim, rrjedhimisht armiq të sistemit. Gazeta ku punonte Pereira ishte konservatore katolike që nuk boton asgjë “të huaj” kundër regjimit. Kjo e fut në siklet gazetarin e vjetër i cili nga njëra anë s’do të përzihet në asgjë që lidhet me politikën, nga ana tjetër e mbështet të riun Rosi i cili angazhohet në luftën kundër fashizmit.
Pas punësimit të Rosit, ata takohen shpesh në kafene. E bukura Marta, e dashura e Rosit, është nxitësja kryesore e përfshirjes së Rosit në Brigadën Ndërkombëtare kundër Frankos. Ajo madje përpiqet ta nxisë edhe vetë Pereiran në këtë “kauzë”. Pereiras i duhet t’i paguajë nga xhepi i vetë shpenzimet e të riut, i cili shpeshherë mbetet i uritur teksa bredh nëpër qytet. Lisbona e përfshirë nga nxehtësia e madhe, bëhet mjaft e vështirë për Pereirain i cili shkon për të bërë banjë deti dhe atje takohet me doktor Kardoson i cili bëhet personi i parë pas vdekjes së gruas me të cilin Pereira flet haptas për gjërat që e preokupojnë. Kardoso përveçse doktor, është edhe shërues i shpirtit të Pereiras. Ata takohen shpesh. Doktori ka studiuar filozofinë mjekësore në Francë. Doktor Kardoso i thotë Pereiras se qeniet njerëzore kanë më shumë se një shpirt dhe se super-egoja mbizotëron. Pereira kaplohet nga një guxim i jashtëzakonshëm që deri atëherë s’kishte qenë në karakterin e tij. Në këtë roman kemi të bëjmë me konfliktin midis jetës dhe vdekjes, siç e thekson personazhi i djaloshit Rosi: “Nuk mund të shkruaj për vdekjen Dr. Pereira, sepse ajo që dua është jeta”.
Gazetari veteran që deri atëherë përkthente shkrimtarë francezë të shekullit 19, (bile kritikohej pse kishte përkthyer një tregim të Alfons Dodesë, kur kishte mjaft shkrimtarë portugez që ishin të përshtatshëm për sistemin), tani i përfshirë nga guximi kërkon që gradualisht të gjejë një mënyrë për të jetuar ndershëm. Ai vazhdon t’i hajë omëletat në kafenenë e tij të preferuar ku dhe pi lëng portokalli dhe mëson zhvillimet nga kamerieri Manuel i cili i shpjegon se regjimi po i mbështet fashistët në Spanjë sikurse Hitlerin dhe Musolinin. Kryeredaktori ultra-konservator duket hapur se po e injoron kur ky përktheu një histori anti-gjermane të shekullit 19 në fund të së cilës shkruante “Vive la France!” (Rroftë Franca!) e cila kishte kaluar censurën fashiste. Kryeredaktori ia bën me dije se tash e tutje në faqet e kulturës do të botoheshin vetëm shkrimtarë portugez. Kjo është një goditje për gazetarin babaxhan, i cili s’i vlerësonte ata shkrimtarë që ia propozonin. Gradualisht Pereira tërhiqet nga jeta dhe vendosmëria e Rosit, kushëririt të së cilit i gjen një hotel për të qëndruar pasi që ai po kërkohej nga policia për aktivizimin e tij politik.
Fundi i romanit është tejet interesant. Ai nuk ndihet fare fajtor pse e përkrahi Rosin të cilin megjithatë e zunë dhe e vranë. Me të arritur fshehtas në apartamentin e tij, Rosi çlodhet dhe përpiqet t’i telefonojë Martës. Befasia e pakëndshme ndodh kur policia sekrete e arrin atë, dhe i gjen pasaportat e tij të cilat Pereira i kishte lënë pas fotografisë së bashkëshortes, ku mendonte se s’do të gjendeshin. Ata e vrasin Rosin në dhomën e gjumit, inspektori e godet në fytyrë Pereiran pas një konfrontimi. Pereira ndodhet para konfliktit me kryeredaktorin e gazetës dhe përfundimisht gjendet në konflikt me regjimin fashist.
Pas kësaj ngjarjeje të tmerrshme, Pereira ulet dhe shkruan një artikull të detajuar për mizorinë që i kishte ndodhur në apartamentin e tij dhe e shpie për botim, duke vënë në funksion një plan dinak për t’i ikur censurës. Dhe pastaj telefonon doktor Kardoson. Niset te ai.
Antonio Tabuki me këtë rrëfim të jashtëzakonshëm policor na vë përballë një realiteti të hidhur të regjimit salazarist, ku individi shtypej dhe kufizohej çdo veprim i tij. Me thurjen e këtyre konflikteve brenda këtij romani, Tabuki na dëshmon se kurrë nuk është mjaft për të luftuar për lirinë. Sepse jeta nën presion dhe e kufizuar nuk është jetë. “Dëshmon Pereira” është vepër e jashtëzakonshme letrare që me përshkrimin e jetëve njerëzore gjatë një periudhe të caktuar, shfaq kundërshtinë ndaj gjërave të këqija. Me mjeshtërinë e tij të të rrëfyerit që të grish dhe me bindjet e palëkundura politike, Antonio Tabuki dëshmohet si mjeshtër i artit të fjalës. /KultPlus.com