26 Korrik, 2020 - 6:58 pm
Nga: Feride Papleka
Në tetor të vitit ’36 të shekullit që shkoi, udhëtonte nga Shqipëria në një universitet të Francës, një djalosh elbasanas, poet, tepër i hijshëm, me sy tërë dritë e ëndërrues. Në fytyrën e tij të menduar, me ca tipare të harmonishme, herë pas here binte një hije melankolie përzier me nostalgji, sepse kishte braktisur një dashuri që mosha e adoleshencës ia jep dhuratë thuajse të gjithëve, por edhe pse po e merrte malli për vendin ende pa u larguar. Flokët e dendur e të valëzuar, të ndarë me vijë në mes, bënin t’i shquhej një ballë i lartë. I shëndetshëm dhe plot energji, i veshur si në perëndim me kostum të errët, ai dallohej për një sjellje aristokratike. Kishte mbaruar Liceun Francez të Korçës.
Ai që shkruante se qe “andërrtar i penduam”, ishte edhe komunist i ri. Kishte botuar dy libra poetikë dhe ishte vetëm 21 vjeç. Quhej Dhimitër Shuteriqi. Në dy librat poetikë “Kangët e rinis së parë” (1935) dhe “Kangë?” (1936) emrit dhe mbiemrit të tij i kishte shtuar edhe një S të madhe në mes, domethënë Simon, emri i të atit. Në universitet ai po shkonte me shpenzimet e familjes. Edhe pse kishte dalë me nota të shkëlqyera, qeveria e Zogut nuk mund t’i jepte bursë një revolucionari, ashtu si u dha disa të tjerëve. Simoni, i ati, i premtoi se do t’i jepte çdo muaj gjysmën e rrogës së vet mujore, si mësues, dhe kështu u bë. Qyteti që ka zgjedhur Dhimitri për të bërë studimet është Grënobla. Profesori i filozofisë në Liceun Francez të Korçës, pozitivisti Meyer, ia pati lavdëruar shumë universitetin e atjeshëm, si një qendër të madhe kulturore nga më të hershmet në Francë e në botë. Dhe, vërtet, atë vit që vajti ai, bëheshin festimet e 600-vjetorit të themelimit të universitetit.
Si rrëfimtar i madh që ishte, kur përshkruante Francën, Shuteriqi e niste gjithnjë me Tiranën. Gjatë ditëve që merrej me problemet e nisjes, ai njohu nga afër shkrimtarët e rinj që jetonin në kryeqytet: Aleks Çaçi, Nexhat Hakiu, Petro Marko, Shefqet Musaraj, Andrea Varfi e të tjerë. Mes tyre ai çmonte shumë Petro Markon, me të cilin ishte njohur në redaksinë e revistës “ABC”. Ndërsa, Andrea Varfi ishte edhe ai disi më i njohur se të tjerët, ngaqë kishte shkruar me dashamirësi për librin e tij të dytë. Ai u shoqërua kryesisht me Petro Markon dhe fjeti në shtëpinë e tij, në rrugën e Durrësit, pas centralit elektrik të dikurshëm. “Ishte një dhomë e varfër plot rrjeta merimange, me shtrat hekuri e me një karrige. Petroja ishte një djalë i gjallë, me flokë kaçurrela që i binin mbi ballë, përherë buzagaz. Ai shkruante e bënte jetë si poetët bohemë dhe kishte njohje të gjerë. Punonte redaktor te ‘Përpjekja shqiptare’ e Branko Merxhanit” (Bisedë, prill 1995). Edhe Petroja ishte me bindje komuniste.
Vërtet që poeti ynë ishte simbolist, bodlerian, por në botëkuptim kishte ndryshuar shumë qëkurse kishte hyrë në lidhje me idetë komuniste. Ato ditë ai dhe Petroja bënin diskutime, nëse mund të kishte një mendim filozofik shqiptar. Kur ndodheshin në redaksi, Brankoja futej në një mënyrë shumë interesante në diskutim, sa i bënte të rinjtë ta dëgjonin me vëmendje. Bisedonin pastaj për poezinë, për poetët, për përpjekjet e tyre nën regjimin censurues të Zogut. Sigurisht nëpër biseda kishte edhe çaste lirike si ai i ditës kur ai me Petron dhe Nexhatin, i kushtuan secili nga një poezi, një vajze në kafe Venecia. Në një nga ato ditë ai kishte pranuar që me këshillën e Petros të takonte edhe Etëhem Toton, megjithë mosbesimin që kishte ngjallur te të rinjtë revolucionarë. Por, sa ishte gjendur te dera e tij, i qe kthyer mendja. Dhe, të dy të rinjtë i kishin zbritur shkallët me vrap. Poeti i ri udhëton drejt Italisë me një vapor të vogël që niset nga Durrësi natën. Është si në balada, sepse në mëngjesin që gdhihet me diell, ai gjendet në Bari. Ka kapërcyer detin Adriatik dhe ngjan pak me personazhet mitikë që nisen në kërkim të fatit.
Në molo e pret shoku i liceut, Hajdar Delvina që kishte shkuar më parë dhe ishte regjistruar atje për farmaci. Bashkë me Hajdarin i uron mirëseardhjen edhe një shqiptar tjetër, një i mërguar politik i vitit 1924, Qamil Çela, shok i Avni Rustemit. Me Qamilin ai do të miqësohej më shumë, kur një vit më vonë, ai do të rimërgonte në Lion. Qamili kishte qenë edhe nxënës i Simonit. Do të dijë për shkollat shqipe dhe shumë gjëra të tjera, që i kujtonin mëmëdheun. Dhimitri i përgjigjet me krenari dhe ndihet edhe ai i lumtur që po njihet me një komunist të vjetër, i cili pas ardhjes në fuqi të Ahmet Zogut, ishte arratisur me demokratë të tjerë si: Zai Fundo, Selim Shpuza, Sejfulla Malëshova, Ali Kelmendi, Thanas Ziko e të tjerë. Ndërkohë pajtoni qëndron para hotelit “Moro” ku do të flejë. Rastësisht, ato ditë hoteli është plot me tregtarë elbasanas, që e shtojnë “ziafetin” kur vjen “çuni i zotit Simon”. Ata “jetonin si mos më keq, se gatuanin vetë dhe flinin disa vetë në një dhomë”.
Në Bari, Hajdari e shëtit në qytetin historik. Ndër të tjera ai viziton kishën e Shën Kollit, ndërtuar që në kohën e Normandëve në shekullin XI. Thuhej se aty ruhej gishti i Shën Jon Vladimirit, por ai nuk e pa. Një tempull mesjetar ishte i ruajtur mirë. Aty Mesjeta pati, si të thuash shfaqjen e saj të parë konkrete që më vonë ai do ta pasurojë shumë, megjithëse që në klasat e fundit të liceut, është njohur pjesërisht me poezinë mesjetare epike franceze, me disa këngë të kreshnikëve, si edhe me trubadurët. Ai kalon edhe nëpër shitoret që ndryshonin shumë nga tonat. Hajdari e ndihmoi të blinte një pardesy të mirë te një tregtar hebre, që në fillim u dha një çmim të lartë e pastaj e uli deri në gjysmë. Djali nuk i kupton ligjet e tregtisë, por ka marrë pak njohuri për sistemin e përfitimit në shoqërinë kapitaliste, kur lexonte në pranverë broshurat marksiste. Gjithashtu, Hajdari që e di poetin e ri “të virgjër”, një mbrëmje i bën një të papritur dhe e shpie në një shtëpi publike. Para tij del “një femër e bukur, e bardhë” që i hap krahët “e trëndafiltë” për ta pritur. Ai rri disa sekonda i shtangur para saj dhe befas kthehet mbrapsht e del me vrap jashtë “i tromaksur”. Hajdari që pret te dera, ngre supet i çuditur. Natën e dytë shkojnë në opera dhe shohin pjesën e famshme të Donizetti-t “Luçia di Lamermoor”.
“Italia ndryshonte krejtësisht nga Shqipëria. Në Itali bëhej jetë e gjallë kulturore. Ato ditë ishte hapur sezoni i fillimit të veprimtarive muzikore. Të nesërmen shkova në Romë bashkë me një shok që kishte qenë edhe ai student në lice dhe studionte mjekësi në Lion. Tomço e quanin. Në Romë u bëmë tre shqiptarë studentë dhe vizituam disa nga bukuritë arkitekturore të saj. Na la mbresa të pashlyeshme Koloseu dhe Katedralja e Shën Pjetrit. Kur po vizitonim Shën Pjetrin, para nesh kaloi një kor murgeshash që m’u dukën hyjnore dhe njëri nga shokët më pëshpëriste në vesh se Marksi nuk më linte të mendoja për Parajsë e për engjëj” (Bisedë, maj 1995).
Që nga Roma, rruga drejt Grënoblës përshkon bregdetin tirenian që atë mëngjes ishte derdhur në kaltri. Studenti i Lionit ndahet që në fillim të udhëtimit, se përgatitet për një provim, ndërsa Dhimitri rri me kokën në dritare, duke soditur peizazhet, tokën e qëndisur si me dorë, qytete të skalitura me bardhësi, fshatra si lule të shumëngjyrshme mes gjelbërimit. Djaloshi futet në ëndërrime, ashtu si ndodh me të gjithë poetët kur bien në hasje me bukurinë, por atij i tërheq shumë vëmendjen, një qytet që duket e zhduket duke u pasqyruar në një lumë, nën ca kodrina të mbjella me ullinj e limonë.
Pyet një udhëtar e ai i përgjigjet “Flloransë, monsieur, Flloransë” e zbret. Francezët i thonë Firences, Florence (Florans), por ai e shqiptonte me ll, dhe me ë në fund, i ndikuar nga dialekti i Jugut. Mbase ishte edhe francez që banonte në Firence, ku ta dish. Qyteti i Rilindjes, par excellence, Firencja, që ngrihet mbi lumin Arno, atë ditë shkëlqente dhe dukej sikur shqiptonte me zë melodioz emrat e mëdhenj Alighieri, Botticelli, Donatello e të tjerë. Dhe, sigurisht, në ajrin e qëruar mbase kishte zbritur nga parajsa Beatriçe Portinari, që e frymëzoi Danten për të shkruar një nga krijimet më të mëdha të njerëzimit. Shumë këngë të poemës “Komedia hyjnore” Dhimitri i ka lexuar në origjinal kur ishte në lice dhe po përpiqej të sillte ndër mend një strofë: “Ma dimmi: al tempo de’dolci sospiri, / a che e come concedette amore / che conosceste i dubbiosi disiri? (Më thuej, në koh’n e t’amblave psherëtime / si e në ç’rasë me njohë dashninë ju ra, / tue u përpëlitë n’dëshira e ndër dyshime (AligheriDante, Komedia Hyjnore, Ferri, përktheu Pashko Gjeçi, f.30).
Studenti që tashmë kishte ardhur në zemër të Evropës. Treni dukej sikur fluturonte. Para syve të tij vazhdonin të parakalonin qytete, fshatra, pyje me pisha, plantacione palmash, zona turistike, shkëmbinj si të vendosur me dorë. Një peizazh i mahnitshëm. Kaluan pastaj ca tunele të vegjël dhe papritur mes palmave doli në dritë një qytet i mermertë, si i mbirë nga ndonjë përrallë. Quhej Santa Margerita. Qyteti ishte vërtet ashtu si e kishte emrin, një Margaritë e gjallë, plot ngjyra jete dhe drite. Djali i ri mbërthen çantën dhe zbret nga treni “si era”. Shëtit gjer natën vonë si i magjepsur dhe të nesërmen që me natë niset për Torino. Paratë “e kanë pësuar” dhe ai herë pas here i heq sytë nga dritarja, se mos joshet për të zbritur prapë. Gjatë rrugës i ngjallen shumë kujtime, por Korça e kulturës, e poezisë dhe e dashurisë është si një pikë referimi në këtë udhëtim të gjatë.
Në stacionin kufitar, ndërron tren për të kaluar tunelin e Frejusit, që lidh Italinë me Francën. Në fillim djaloshi zmbrapset se mos ka gabuar klasin, se vagonët e veshur me pelush të kuq i duken të rinj dhe treni ndrin nga pastërtia, por fatorinoja e siguron se është në rregull. Ai ulet në trenin e rehatshëm francez dhe për një çast në trurin e tij kalon një mendim i errët: “Po sikur të vdiste në tokë të huaj?” Megjithatë, ai buzëqesh e pëshpërit heshtazi, se gjallë apo vdekur do të kthehej në atdhe. Në kabinën e ngushtë bisedohet diçka për Francën, jo ndonjë gjë e mirë, sepse burrat e ulin zërin kur shohin djaloshin që hap gazetën frënge “Le Temps “ (Koha), të cilën e pati blerë në Torino. Dikur njëri prej tyre e pyet. Kur djali i ri përgjigjet se është shqiptar dhe se shkon për të studiuar në Universitetin e Grënoblës, njëri prej tyre që me sa dukej ishte fashist, thotë me zë të lartë se Italia kishte me dhjetëra universitete dhe “shqiptarët nuk kanë pse shkojnë në Francë”.
Çudia e tyre shtohet kur djaloshi shton se në Shqipëri kishte vazhduar një lice francez. Por, ata zbresin në stacionin tjetër. Ai dëgjon aty një frëngjishte, që nuk i tingëllon si gjuha që fliste vetë ai, por me fjalë që kishin theks fundor e që shqiptoheshin në mënyrë të turbullt në rrokjet e para. Treni niset prapë dhe ecën me shpejtësi. Studenti shqiptar gjendet tashmë në atë tokë ku kishin jetuar Ronsard dhe Villon, Descartes e Pascal, Corneille dhe Racine, Voltaire e Hugo, Rousseau e Diderot, Danton e Luise Michel, Emilie du Chatelet e Marie Curie, Flaubert e Proust, Sarah Bernard e Paul Eluard dhe shumë të tjerë që i kanë dhënë dritë jetës dhe mendimit francez me veprën e tyre. Atdheu i tij i dytë, për të cilin kishte studiuar nëntë vjet dhe dinte për të gati më shumë se një francez, po i uronte mirëseardhjen. Ishte pajisur me një barrë dijesh, që do t’i pasuronte e zgjeronte. Kishte edhe një përvojë të re, një ëndërr utopike që priste të realizohej.
Në Grënobël treni mbërrin vonë. Qyteti që studenti italian në bisedë e kishte quajtur “mbreti i Alpeve”, ndriste nga dritat. I informuar nga ata me të cilët udhëtoi Dhimitri ndalet në hotelin pranë stacionit. Gjen një dhomë, papafingo që ka mbetur pa u zënë në katin e pestë dhe ngjitet menjëherë. Studenti i ri që tashmë ka ardhur në zemër të Evropës, pasi pushon pak nga rruga e gjatë, del në dritare dhe vështron qytetin që duket nga dritat si një qiell me yje i përmbysur. Një lumë me ujëra që shkëlqenin zgjatej tutje. Bie pastaj në një gjumë pa ëndrra dhe zgjohet herët me një bosh në shpirt. Në atë qytet të huaj ai ndien edhe gëzimin e një jete të re që do të nisë, por edhe trishtim. I duket vetja i vetmuar. Paguan dhe pas ca ditësh e merr vesh se aty flinte edhe një tjetër shqiptar, Petrit Dakli, student në inxhinieri, djalë i një patrioti të njohur elbasanas.
Njëri nga udhëtarët italianë, punëtori i cili i ka premtuar se do ta ndihmonte për të gjetur një dhomë me qira, e mban fjalën dhe vjen në hotel herët. Taksia ndalet ku thotë ai, në rrugën “Lieutenant Chanaron” numër 12. Derën ua hap një zonjë e moshuar. Dallohej, tek ajo, sjellja tipike aristokratike, kur i fton që të hyjnë. Marangozi mund të kishte punuar atje se zonja “ia lëvdoi punën”. Ai i kërkon një dhomë me qira dhe i flet me bindje për fisnikërinë e studentit shqiptar. Zonja as që e kishte dëgjuar ndonjëherë emrin Shqipëri. Dhimitri preket. Ai deshi të thotë se ne jemi të njohur si pasardhës të Ilirëve, por hesht se nuk është vendi dhe ndien një mëri ndaj historisë. Zonja pranoi t’i jepte një dhomë me një çmim të lirë dhe studenti i ri zgjohet nga përjetimet. Edhe pse ajo e quan lirë, atij prapë i duket shtrenjtë. Në të vërtetë, dhoma kishte qenë e lirë me 140 franga në muaj, por ai do ta mësojë më vonë këtë gjë.
Zonja i vë një kusht: Të mos sillte kënd në shtëpi, sepse bën mësime kantoje për vajzat e reja dhe i duhet qetësi. Ajo i tregon dhomën e tij, pianon që ishte në sallon, kopshtin dhe në çastin e ndarjes e fton për darkë, duke shprehur kështu mikpritjen tradicionale franceze. Kështu nis jeta e re e studentit shqiptar. Atë ditë ai gjen ndërtesën e fakultetit që është në qendër të qytetit dhe regjistrohet në dy fakultete njëherësh: drejtësi dhe filozofi. Këtë e bëri, siç thoshte, nga “dashuria për letërsinë”. Dhe, i riu mendon: “Si mund të jesh poet pa kaluar nëpër rrugët e filozofisë e të drejtësisë?”. Ai nuk mundi të regjistrohej për letërsi, sepse si kriter parësor ishte latinishtja që e braktisi dikur në lice. Gjithsesi, ai i premtoi vetes se do ta merrte si degë edhe letërsinë me kurse leksionesh të lira.
Në mbrëmje, gjatë darkës, zonja e pyet për udhëtimin. I bëhet qejfi që kishte të bënte me një djalë profesori. Ai nga krenaria i thotë se është poet, i tregon librin “Kangë?”. Nuk përmbahet dhe i thotë se i bie mandolinës: Në lice kishte qenë në grupin e mandolinistëve. Zonja tund kokën dhe i përgjigjet se do të ketë rast ta provojë sa virtuoz ishte. Ajo nuk u beson veshëve kur ai i flet për liceun francez në Shqipëri. Më në fund i jep një palë kufje për të dëgjuar muzikë. Kur shkon për të fjetur, ai dëgjon ende tingujt e veprave të Saint-Saëns, Debussy, Ravel e të tjerë.
Të nesërmen djaloshi nis leksionet. Jeta studentore hap siparin. Ky njeri me vullnet të hekurt dhe me pasion prej mistiku fillon të ndjekë leksione për filozofi e drejtësi, që i ka në program, por edhe leksione të lira për letërsi. I shkruan të atit dhe i shpjegon arsyet përse nuk u regjistrua fillimisht për letërsi. Ai bëhet menjëherë anëtar i bibliotekës së universitetit. “Ajo ishte një nga më të pasurat e Francës, me 300 mijë libra. Ishte parajsë e vërtetë” (Bisedë, prill 1995). Kurset e filozofisë janë thuajse të përditshme. Z. Chevallier, që ia kishte rekomanduar profesori i filozofisë në liceun e Korçës, zhvillonte leksione për filozofinë idealiste, që për djaloshin materialist nuk është edhe aq e këndshme. Dhimitri lexon dhe studion gjer në orët e vona të natës. Leximi është bërë natyrë e tij e dytë. Kuptohet që në universitet hapësira e leximeve bëhet e pafundme.
Pasi kalojnë dy javët e para, një ditë që nuk ka leksion paradite, ai i kushtohet njohjes së qytetit. Ka lexuar në një libër për historinë e tij: Në fillim qytet i Allobrozhëve (Allobroges, popullsi kelte në Galinë transalpine gjer në shekullin II p.e.s., kur u pushtua nga romakët, pastaj me emrin e perandorit romak Gratianus Gratianopolis). Në shekullin VIII dhe XI bënte pjesë në mbretërinë e Burgonjës dhe i bashkohet Francës në shekullin XIII. Në shekullin XIV, aty u ngrit një universitet i rëndësishëm, vazhdimësi e të cilit është universiteti që ndjek Shuteriqi në kohët moderne. Në qytet ka shumë ndërtesa klasike, si katedralja Notre Dame dhe porta e madhe Saint Laurent, të dyja ndërtime të shekullit XVII, por ka edhe ndërtime më të hershme, si kisha Saint-André dhe Saint Louis, të dyja të shekullit XIII, Pallati i Drejtësisë i shekullit XV dhe XVI etj., që ai i lë për një ditë tjetër dhe viziton muzetë.
Së pari hyn në Muzeun Bashkiak, një ndërtesë madhështore, e ngritur në kohën e mbretit Louis XIV dhe pastaj Muzeun e Arteve, muze i shquar, shumë i pasur; atë kohë i dyti në Francë pas atij të Luksemburgut. Dhimitri e shijon pikturën si profesionist, ai ka një dosje me qindra vizatime e skica të liceut, kur ishte nxënës i Vangjush Mios, por si njeri që vjen nga Shqipëria, një vend pa muzera, atij i bën përshtypje të fortë sidomos gërshetimi i traditës me bashkëkohësinë.
Dhe, atë ditë, paksa i nxituar se do që të vizitojë edhe një muze të vogël të piktorit Fantin-Latour para orës 14:00, ngatërron adresën dhe futet në një rrugicë të ngushtë, si rrugicat e Korçës. Aty i tërheq vëmendjen një tabelë me emrin “Coopé” (Restorant kooperativë për studentët e varfër, që e kishin ngritur çifutët polakë në fillim të viteve 1930) në katin e dytë e që kishte afishuar poshtë menynë për të ngrënë me çmime të lira. Ai ngjitet lart, ulet dhe porosit. Dreka i duket e mirë. Garsoni i premton se në darkë do të hante më mirë, se ngaqë ishte vonë “gjellët e drekës kanë mbaruar” dhe e shoqëron pastaj në kafe Glacière. Ai është student polak.
Dhimitri tani e zgjidh edhe problemin e të ngrënit. Të dielën, ai vazhdon vizitën në pjesën e vjetër të qytetit me ndërtime mesjetare. Muzeu Fantin-Latour i shekullit XIX ishte shtëpia e vetë piktorit. Atje mes të tjerash kishte një tablo për idhullin e tij Baudelaire, që e jep ulur në një kënd me libër në dorë e që poeti ynë e pëlqeu shumë.
Leksionet dhe seminaret vazhdojnë me ritme të reja. Z. Chevallier jep katër orë, pra dy herë në javë. Ditët e tjera ai i kalon në ndonjë universitet të Francës apo Evropës… Në universitet, atmosfera është e larmishme. Si njeri i shoqërueshëm që është, universitari i ri ka bërë menjëherë disa miq. I ka takuar pothuajse gjithë studentët shqiptarë. Madje, i pari fare e bëri të përballej me një qëndrim antisemit, kur i tregoi për pardesynë që kishte blerë te një shitës çifut në Bari. Me bllok në dorë, duke i bërë një portret, ai u largua atë ditë, pa i dhënë shpjegime. Nuk e takoi më.
Ai është i gllabëruar nga leximet filozofike e letrare, por duke qenë i angazhuar lexon edhe shkrime të majta në të përjavshmen “L’Humanité”, që ishte gazetë e seksionit francez të internacionales. Si komunist i ri, informohet se viti 1936 në Francë kishte ardhur edhe me vijën e ndarjes së qartë midis së majtës dhe të djathtës. E djathta ekstreme përpiqej t’i kundërvihej së majtës, që ishte bashkuar me qeverinë e Frontit Popullor (Front Populaire), drejtuar nga socialisti Léon Bloom, që ka ardhur në pushtet, me idenë e ndryshimit të kushteve të jetës dhe punës së punëtorëve. Kjo ide ishte shfaqur në luftën e tij si politikan, që më 1904 kur kishte filluar bashkëpunimin me Jean Jaurès (1859-1914), filozof dhe politikan, themelues i gazetës “L’Humanité” (1904), deputet i së majtës që më 1885, anëtar i partisë punëtore franceze, drejtues dhe udhëheqës i partisë socialiste që ishte për bashkimin e lëvizjes së majtë. Ka zhvilluar betejat socialiste me ligjin për një shkollë laike dhe për përmirësimin e jetës së klasës punëtore. U vra nga një nacionalist më 1914…
Në ditët e para të vajtjes në Grënobël studenti shqiptar është njohur dhe ka lidhur miqësi me studentin ukrainas, Alik Fichtenreich. Aliku ishte komunist i vendosur. Dy të rinjtë bëhen shokë ideali. Ata dëgjojnë së bashku me mallëngjim për parakalimet e rinisë në mbrojtje të Republikës dhe paraqiten në Komitetin Krahinor të Partisë Komuniste Franceze për t’u regjistruar si vullnetarë për në Luftën e Spanjës. Mbrojtja e Republikës ishte si “karta e identitetit” të një revolucionari të vërtetë. Spanja ishte shndërruar në simbol. Dhe të ishe student në atë kohë, do të thoshte ta kishe pjesë shpirtërore frymën e zjarrtë revolucionare.
Por, kur djemtë shkojnë përsëri në Komitet në ditën e caktuar të marrin njoftim për datën e nisjes, u kthejnë përgjigje negative. Për Alikun thonë se ishte sovjetik, kurse Dhimitrit nuk ia tregojnë arsyen. Duhej të priste. Dhimitri i shkruan edhe njërit prej shokëve të tij të ngushtë, ish-liceistit Gani Narazani, që tashmë ishte në Turqi, revolucionar, komunist me të cilin qe arrestuar në shkurt, por ai nuk i kthen përgjigje. Ndoshta nuk i vete letra. “Kur vonoheshin përgjigjet e Dhimitrit, babës i shkonte mendja se kishte ikur në luftën e Spanjës” (Bisedë me motrën e Shuteriqit, Lumnije Baba Shuteriqi, shtator 1998)…
Në këtë atmosferë të ndezur, meqë përpjekja për të shkuar në Spanjë dështon, Dhimitri e shton edhe më tepër zellin ndaj studimeve. Ai është lidhur me Partinë Komuniste Franceze që në fillim dhe merr pjesë nëpër mbledhje ku përgjithësisht diskutohet politika e ditës dhe shpallen direktivat e partisë. Është zgjedhur edhe sekretar i rinisë komuniste për kuotat në organizatën ku bën pjesë, duke patur njëkohësisht si detyrë të punojë me të rinjtë e lagjes së vjetër, të quajtur Lagjja Italiane. Dhimitri i zgjeron njohjet me revolucionarë edhe gjatë drekave apo darkave në “Coope”… Djali i ri vazhdon i qetë studimet. “ Bursa” e vogël që i ka dhënë Simoni, i mundëson që të bëjë një jetë të rregullt. Ai ndjek edhe leksionet e lira. Një fotografi e auditorit ku zhvillon leksione letërsie profesori Jacoubet, e tregon studentin shqiptar të përqendruar…
Studentin Shuteriqi e tërheq edhe një kurs për Edgar Poe-n dhe Baudelaire-in. Emri Baudelaire ka një kuptim të veçantë për të. Një profesor tjetër, Monglond quhej, ishte specialist i pararomantizmit. Ai jep leksione për dy përfaqësues të shquar të kësaj rryme: Benjamin Constant dhe Madame de Stael, e cila ishte një ndër gratë e ditura të kohës në Francë dhe kishte qenë e dashura e Constant-it. Duke zgjeruar njohuritë, ai i rizbulon romantikët Musset, Sand, Lamartine apo Goethe, që i jepnin një pasqyrë ideale melankolisë së tij natyrore. Ai mban shënime sistematike dhe lexon shumë. Në letrat që i dërgon të atit vihet re përpjekja për ta bindur se i ka hyrë shkollës seriozisht. Në një letër të datës 7 nëntor 1936, ai ndër të tjera shkruan: “ […] Po mos u trembni se do të mësoj fare mirë” (Arkivi familjar). Mos kanë shprehur ndonjë lëkundje prindërit e tij? Është disi e pabesueshme të kesh dyshim për një student që ka dalë i shkëlqyer në lice. Por, arsyen përse “tremben” ata e sqaron letra tjetër e pas tri javëve që mban datën 27 nëntor e që shpreh synime të qarta: “I dashur babë, punën e kam nisur me qejf e do t’ia dal në krye. Sivjet do të përgatis edhe një tjetër certifikatë […] Deri tani kam blerë tre libra latinishteje. Në orët e frëngjishtes kam edhe linguistikën frange; linguistikën romane dhe atë të gjuhës së vjetër franceze; certifikatën që duhet të bëj në vend të greqishtes së vjetër, do ta zgjedh më vonë”. (Arkivi familjar).
Fillimisht, leksionet e z. Chevallier iu dukën shumë të pasura Dhimitrit. Vërtet, z. Chevallier ishte pedagog i shkëlqyer, por ligjërata e tij ishte e mbrujtur aq shumë me teologji sa studentit materialist ndonjëherë i bëhet i padurueshëm. Po ta kishte ditur këtë gjë që në fillim nuk do t’i ndiqte leksionet e tij. Përveç mistikëve që i mbante si provë të ekzistencës së Zotit, ai edhe Platonin e quante provë të tillë. E quante “një i krishterë, të cilit i mungon hiri i shenjtë”. Njëherë studenti shqiptar debaton me profesorin e i thotë: “Platoni vështirë të futet në rrethin hyjnor, sepse ka jetuar disa shekuj përpara se të lindte krishterimi”. Profesori e argumenton me filozofinë idealiste që është e lidhur me paraekzistencën e ideve dhe që e tregon realiteti ynë mistik. Salla kthen kokën të shohë atë të huaj që e flet aq rrjedhshëm frëngjishten…
Ai nuk i lë pas dore leximet për letërsinë. Në Francë lexon poetët grekë, por edhe latinët, Virgjilin, Plautin, Terencin, Juvenalin, pastaj autorë të tjerë, spanjollë, anglezë , sidomos Shekspirin, poezinë skandinave, gjermane.
Kohën e lirë ai e kalon duke lexuar poezi, duke ndjekur jetën e pasur artistike të qytetit, atë që nuk ishte e kushtueshme, por edhe duke bërë flirte platonike me vajza. Te shtëpia e zonjës vijnë përditë çupa të bukura që ushtrohen në piano. Ndonjëherë vjen edhe një prift katolik, abati Fernand, i cili në rininë e vet kishte qenë poet i njohur. Ai donte të pajtonte pianisten me të birin që nuk fliste. “Si për ironi, hasja ime e parë me krijimtarinë e grënobleze, ishin poezitë e këtij prifti katolik” (Bisedë, nëntor 1995). Zonja ia prezanton si poet shqiptar. Abati e njeh pastaj me një poet të ri, njeri me kulturë që kishte dhënë ca kohë frëngjishten në universitetin e Abeerdenit në Angli, Louis e quanin. Ai foli për letërsinë shqipe në radion e Grënoblës dhe lexoi frëngjisht dy-tre poezi të Shuteriqit. Madje, një ditë nëntori, ai iu lut ta shoqëronte në Lion ku ishte laureuar nga Shoqata e Poeteshave Lamartiniane.
Shuteriqit i kujtohej befasia e tij kur priste të shihte vajza ta reja dhe u ndodh në mes ca zonjave flokëbardha. Klubi i tyre ishte një ndërtesë baroke e shekullit XVII. Ato qenë mbledhur në një sallon të madh dhe i pritën dy të rinjtë me duartrokitje. Ata zunë vend pranë kryetares dhe Roberti e paraqiti Dhimitrin si poet shqiptar. Zonjat bëhen shumë kureshtare. Mes tyre shumica e dëgjojnë për herë të parë emrin Shqipëri. Gjatë ceremonisë kur iu dha fjala të recitonte një poezi, të cilën e përktheu frëngjisht vetë në çast, kryetarja i bëri lëvdatë dhe e pyeti nëse kishin erotikë poezitë e tij. Djaloshi iu përgjigj se kishin edhe lirikë. Zonjat qeshën. Njëra i tha se ai duhej të ishte më i guximshëm si poet, sepse poezia që recitoi ishte e zhveshur nga erotizmi.
Ai zbulon edhe rrethinat me male të larta. Një shkrep në lindje, gati kërcënues për atë që e sheh për herë të parë, quhej “Le Casque de Neron” (Përkrenarja e Neronit). Dhimitrin e tërheq natyra në çdo kohë. Ai merret edhe me sport. Në Alpet e Grënoblës kishte pika për ski që njihen në të gjithë botën. Dimri me borë sillte gjallëri dhe bukuri nëpër lartësira. Në nëntor, një fundjave, ai shkon për ski me një grup djemsh e vajzash që ishin miq. E kalojnë natën në një lokal me qira. Dhimitrin e pëlqejnë vajzat, ngaqë ka sjellje të kulturuar, por edhe se është i pashëm. Pikërisht kjo gjë e bën pak të druajtur. /KultPlus.com