2 Nëntor, 2018 - 10:22 am
Nga Mihai Firică
Poeti shqiptar Jeton Kelmendi është një udhëtar i dashuruar në largësitë, i joshur nga nostalgjia e puthjes së fundit të dashnores dhe magjia e dheut të vendlindjes. Vargjet e tij janë të rrumbullakëta, duke treguar një burrë që e dashuron lirinë dhe nuk heziton të depërtojë në fshehtësitë e shpirtit për përfitimin e majave më të larta të ndjeshmërisë.
Lexuesit rumunë janë të etshëm për të shijuar forcën krijuese të poezisë shqipe. Mos të harrojmë se proza nga kjo gjuhë ballkanike është bërë një hapësirë e njohur nëpërmjet Ismail Kadaresë.
Kam bindjen se ky poet, ekzistenca e të cilit ndahet ndërmjet Pejës (vendlindja e tij), Prishtinës dhe Brukselit, shkon duke u bërë simboli i gjeneratës së re të krijuesve kosovarë. I përkthyer në rreth 30 gjuhë, me një numër të konsideruar botimesh dhe bashkëpunimesh me revista letrare nga e gjithë bota, Jeton Kelmendi konfirmon dëshminë se të lindësh poet në ambientin e një kulture të reduktuar përmes numrit të njohësve të vlerave apo të bllokuar nga kanxhat politike, nuk është një rrezik në rrugën e bekuar të afirmimit.
Në vëllimin „Prescurtarea depărtărilor” („Shkurtimi i largësive”, Editura Revers, 2016), kemi një odë të vërtetë dedikuar nostalgjisë. Asgjë nga ajo që mund të presim, nuk mund ta pranojmë nga kush tjetër veçse nga ana e një poeti të ri, vëllimi i të cilit na befason dhe na përvetëson që nga poezitë e para. Si një titull i inspiruar, vëllimit ia shton vlerën përkthimi i mrekullueshëm i poetit të eksperimentuar Baki Ymeri, jo ndoshta, por me siguri përkthyesi më i famshëm i poezisë shqipe në gjuhën rumune dhe anasjelltas, një arkitekt konstruktiv urash kulturore ndërmjet letërsisë rumune dhe asaj shqiptare.
Influenca, respektivisht ndikimi i poezisë orientale, me aromat e distiluara në qindra vite bashkëjetese dhe gërshetimesh kulturore, vërehet në pjesën dërmuese të poemave të Jeton Kelmendit. Kjo vërehet edhe në poezinë „Shkurtimi i largësive”, ku bashkëpërkimet e dashurisë i zvogëlojnë distancat dhe kohën: „Presim e presim njëri-tjetrin/ derisa na ikën vetvetja./ Kështu na shikon koha,/ teksa na e mat largësinë/ me ditë e netë.” Poeti zotëron mjeshtërinë dhe forcën e fjalës, njësoj si argjendari që e modelon metalin sipas dëshirës së zemrës dhe aftësisë së përfituar nga përvoja.
Nuk dyshoj në të vërtetën e shprehur nga Ion Deaconescu në parathënien e vëllimit, sipas të cilit „Jeton Kelmendi është njëri nga poetët më interesantë të Europës së sotme.” Një argument i fuqishëm janë çmimet e rëndësishme me të cilat ka qenë i nderuar, si dhe me prezencën e tij në mbi 100 antologji nacionale dhe universale ku e gjejmë emrin e tij. Deri te botimi i sipërpërmendur, Jeton Kelmendit i janë botuar edhe dy vëllime në gjuhën rumune („Sa shumë janë rralluar letrat” dhe „Mendimet e shpirtit” – „Ce mult s-au rărit scrisorile”, „Gândurile sufletului”). Kam besim të patundur në destinin letrar të Jeton Kelmendit, një shkrimtar që promovon vlerat shqiptare dhe rumune në hapësirat ballkanike dhe i ofron dy popuj me një histori në të cilën guximi dhe kreativiteti i ka ndihmuar t’i tejkalojnë momentet e vështira historike. /KultPlus.com