26 Janar, 2018 - 5:59 pm
Ajo ishte vetëm 9 vjeçare kur familja e saj i shpëtoi Gjermanisë Naziste, duke u larguar për në Shqipëri.
Johanna Neumann ka qëndruar gjashtë vite në Shqipëri, nga një familje në tjetrën, nga myslimanët e asaj kohe të cilët e shpëtuan dhe po e ruanin nga dora makabre e Evropës e cila lejoi Holokaustin dhe tmerrin.
Neumann e kujton sidomos familjen Pilku, aty ku ajo gjeti ngrohtësinë.
Në një intervistë me United States Holocaust Memorial Museum, Neumann tregon se i kujtohet edhe xhamia ku shqiptarët asokohe luteshin, pesë herë në ditë, dhe se tingulli i lutjeve dhe xhamisë ende ngërthejnë në vete emocion të veçantë.
Tregimin e Neumann po e sjellim pak sot, një ditë para se të shënohet 27 janari, Dita Ndërkombëtare për të kujtuar Holokaustin, shkruan KultPlus.
“Nëna ime e takoi zonjën Pilku, familjen që na shpëtoi gjatë okupimit gjerman. Zonja Pilku ishte gjermane dhe mendoj se kësisoj ato të dyja u takuan mes vete. Zotëri Pilku ishte mysliman. Nëse zonja Pilku është kthyer në myslimane, as që më ka interesuar ndonjëherë. Ajo, si gjermane, e donte Hitlerin dhe kishte fotografinë e tij në dhomë. Por ajo u tha anëtarëve të familjes se ne ishim kushërinj të saj, dhe ishim të mirëpritur aty” tregon Neumann.
Ajo tregon se megjithatë është përjetë falënderuese për miqësinë dhe mikpritjen që shqiptarët i kanë bërë hebrenjve që po largoheshin nga Gjermania për ti shpëtuar Holokaustit.
Situata do të ndryshonte në vitin 1943 kur Gjermania e okupoi Shqipërinë.
(Johanna Neumann ka lindur më 1930 në Gjermani dhe ka ndërruar jetë në prill të vitit 2017, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës)