20 Maj, 2020 - 1:08 pm
Komediani dhe shkrimtari i njohur, John Cleese, është bazuar në eksperiencat e karrierës së tij, për të ndarë këshilla me publikun e gjerë rreth mënyrës së si mund të bëheni më kreativ.
Të gjitha këto këshilla, ai i ka përmbledhur në një libër të ri, transmeton Koha.
Me titull “Creativity: A Short Cheerful Guide”, libri gjithashtu ju tregon si duhet ta përgatisni mendjen, si ta ndiqni një ide dhe çfarë të bëni nëse hasni në ndonjë pengesë gjatë procesit të kreativitetit.
“Shumë njerëz kanë shkruar për mënyrat se si mund të bëhemi kreativ, dhe pavarësisht se kanë qenë shumë të zgjuar, ata në fakt nuk janë treguar kreativ. Prandaj më pëlqen të mendoj se jam duke e shkruar këtë libër nga eksperiencat e mia,” citohet të ketë thënë 80-vjeçari Cleese.
Në librin cili do të publikohet nga shtëpia botuese “Hutchinson”, ylli i “Monty Python” thotë se ti mund të mësosh si të jesh më i mirë në të qenit kreativ.
Nigel Wilcockson, redaktor në shtëpinë botuese “Hutchinson”, citohet të ketë thënë: “Askush nuk di më shumë për kreativitetin sesa John Cleese. Bëhuni gati të mësoni nga këshillat e një mjeshtri.”
Libri “Creativity: A Short And Cheerful Guide” do të publikohet më 3 shtator. / KultPlus.com