20 Dhjetor, 2020 - 11:22 am
Shkruan Jusuf Buxhovi
Në vigjilje të 31 vjetorit të themelimit të LDK-së
Nga fillimi i vitit 1979 e deri në maj të vitit vijues, sëmundja e Titos do të bëhej çështje publike dhe, me të, në opinion legjitimitet do të fitojë edhe shqetësimi se çfarë do të bëhet me trashëgiminë e tij.
Televizioni, radioja dhe mbi të gjitha gazetat qendrore dhe revistat me autoritet si “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, “Die Zeit”, “Die Welt” dhe magazina “Der Spiegel”, secila rrihte telin në mënyrën e vet. E përbashkët e të gjithave megjithatë ishte se me vdekjen e Titos Jugosllavia nuk do të ishte më ajo që kishte qenë deri atëherë. Pra, do të kishte ndryshime, më shumë të papritura se të pritura, ku krahas qërimit historik të mundshëm të hesapeve midis kroatëve dhe serbëve, që jo rrallë shihej edhe si qërim hesapesh midis katolicizmit dhe ortodoksisë dhe Perëndimit e Lindjes dhe të ngjashme, shqetësim të përbashkët paraqiste Kosova, po edhe shqiptarët në përgjithësi të shpërndarë në tri njësi federative, me nivele të ndryshme të asaj që quhej barazi e kombësive, si një konstrukt ideologjik me të cilin duhej që t’i mbulohej dukja pabarazisë.
Këtu në të vërtetë fillonte edhe analiza e kundrimeve pse Kosova shfaqej si sfidë e mbijetimit të Jugosllavisë, por edhe si uverturë e rrënimit të saj, që nuk do të kalonte pa pasoja të mëdha në planin rajonal dhe atë më të gjerë ndërkombëtar ngaqë krijimi i saj ishte më tepër një sajesë e interesave të papajtueshme nga jashtë se sa zhvillim i natyrshëm nga brenda së cilës koha si duket nuk ishte e pirur t’i jepte të drejtë.
Meqë, tashmë ishte më se e qartë se Kosova nuk do të fitonte statusin e republikës në nivel të federatës jugosllave, sepse Titoja i sëmurë mund ta kishte bindjen, por edhe që të jetë këshilluar nga dikah, krejt një, se disa çështje duhej t’ua lente në përgjegjësi pasardhësve që me to të ecin përpara ose në të kundërtën të përmbysen fare dhe kjo t’u kthehet në mallkim të papërgjegjësisë së pafalshme, atëherë përcaktohej edhe arena ku do të zhvillohej lufta midis mbrojtësve të Jugosllavisë në njërën anë dhe të rrënuesve të saj në tjetrën anë, me “ Kosovën dhe problematika e saj “si arbitër”, që do të caktonte fituesit por edhe humbësit, të ardhmen po edhe fundin e shtetit të përbashkët, pikërisht ashtu siç e kishte thënë Milan Kuçan, kryetar i Lidhjes së Komunistëve të Sllovenisë, në janarin e vitit 1989 me rastin e grevës së madhe të minatorëve të “Trepçës” kundër trysnisë së Beogradit për pranimin e diktatit kushtetues se “në Kosovë zhvillohej beteja për Jugosllavinë”.
Por “beteja” e Kosovës dhe sfida e saj, që do t’i ngërthente aktorët e brendshëm në role të njëjta por edhe të ndryshme, që po ashtu do të ndiqen nga qëllime dhe interesa të ndryshme, njëherësh pashmangshëm nënkuptonte edhe ngatërrimin dhe ndërhyrjen edhe të faktorëve të jashtëm. Sepse, Jugosllavia nuk ishte një vend i shkëputur nga të tjerët dhe pa ndikim. Përkundrazi, pas largimit nga tutela e Stalinit në vitin 1949 ia kishte dalë të fitonte tretmanin e tampon-zonës midis blloqeve antagoniste dhe superfuqive, çrregullimi i së cilës njëherësh do të shkaktonte çekuilibrime botërore gjeopolitike dhe gjeostrategjike. Rëndësinë e një faktori të tillë e kishte shtuar edhe më shumë roli i liderit në lëvizjen e mosinkuadrimit, themelimi i saj në masë të madhe ishte iniciuar nga Josip Broz Tito, i cili ishte kthyer në lider të pakontestueshëm të grupimit të madh të vendeve të të ashtuquajturës “botë e tretë”, që brenda një kohe të shkurtë kishte mbledhur rreth vetes mbi njëqind shtete nga të gjitha kontinentet e botës, veçmas ato në zhvillim nga Afrika, Azia dhe Amerika Latine. Pa Jugosllavinë e Titos dhe kursin e saj të njohur, kërcënohej që ajo pa ndonjë mund të përvetësohej nga Bashkimi Sovjetik, i cili në samitin e të painkuadruarve në Havanë, nga goja e zëdhënësit të saj më besnik, Fidel Kastros, anëtarët e këtij grupimi ishin shpallur “miq të natyrshëm të socializmit”.
Krahas faktorëve me ndikime në njëfarë mënyre të parashikueshëm, me paqartësi shfaqej edhe rolit i Shqipërisë me dilemën e drejtë se nga do të sillej ajo?…
Parashikimet ishin të ndryshme nga ato që Shqipëria do të mundohej që Kosovën ta shfrytëzonte për ruajtjen federatës jugosllave pikërisht në përputhje me një deklaratë të Enver Hoxhës të bërë në vjeshtën e vitit 1968 kur pas ndërhyrjes së trupave sovjetike në Çekosllovaki, sulmi eventual rus ndaj Jugosllavisë do të thoshte edhe sulm ndaj Shqipërisë. Por, që kjo përkrahje do të mund të kushtëzohej me ngritjen e statusit të Kosovës në nivel të republikës së pavarur, siç do të deklarohet haptas disa ditë pas shpërthimit të demonstratave të marsit të vitit 1981, me çka në të njëjtën kohë do të thoshte rreshtim kah qëndrimi i perëndimorëve, integritetin territorial të së cilës e shikonin të pacenueshëm? Apo, edhe për të kundërtën. Që të përdorej për një hakmarrje tjetër të Enver Hoxhës ndaj Titos, me të cilin do t’i qëronte hesapet nga pikëpamjet ideologjike për të dëshmuar se kursi i socializmit centralist dhe i ekonomisë shtetërore ishte i drejtë dhe jo vetëqeverisja socialiste, të cilën ai e quante teori dhe praktikë reaksionare imperialiste. Mendim të cilin e kishte edhe Moska, por që nuk e thoshte haptas. Dhe e kishin edhe unitaristët serbë, të cilët ç’ prej kohësh ishin në kërkim të aleatëve për të rrënuar sa më shpejtë trashëgiminë pesëdhjetëvjeçare të Titos…
Vlen të theksohet se nxjerrja e këtij shqetësimi në opinion i kishte përngjarë një si ankandi publik, që nuk mund të shpjegohet ndryshe pos që nganjëherë të dukej si frustrim gjerman ndaj limiteve politike që i rrinin përmbi që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e tutje, ku krahas ndarjes gjermane në blloqe antagoniste, rol të rëndësishëm luante edhe të menduarit për ndryshimin apo edhe rrënimin e tyre me anën e faktorëve “të tjerë”, por që do të mund të kishin ndikim të madh zhvillimet që do të mund t’i inicionin ato në një fushë të gjerë, ku pa mëdyshje se Jugosllavia dhe rëndësia e saj luante rol të ndjeshëm. Kështu që edhe ato që në mediat kryesore gjermane mund të dukeshin spekulime, në të vërtetë paraqitnin një të menduar lidhur me opsionet e së ardhmes jashtë mbërthimit të koniukturave ndërkombëtare, prej nga mund ta kishte burimin edhe ajo bindja pesimiste se muri i Berlini dhe blloqet antagoniste ishin të pandryshueshme, një mallkim i përhershëm me të cilin duhej mësuar dhe jetuar madje, që po të ndiqte betimin siç do të dëgjohet të thuhet në shtatorin e vitit 1989 nga Erih Honekeri se “Muri i Berlinit nuk do të bjerë as nesër, as pas njëqind vjetësh e as kurrë”, sigurisht se do të sillte te një fatalizëm…
Dhe, që mund të ndryshonte diçka, qofshin edhe nga gjërat që në dukje të parë shfaqeshin si të paprekshme, këtë e qiti në pah shqetësimi për Jugosllavinë dhe të ardhmen e saj me Kosovën si pikën më neuralgjike të saj prej nga mund të fillonte kriza për t’u kthyer në një problem të madh ndërkombëtar që do të luajë dhe ndryshojë edhe klishetë e të drejtës ndërkombëtare dhe stereotipat mbi të cilat qëndronte, siç do të ndodhë në të vërtetë kur kriza e saj do të shkojë deri aty sa të kthehet në sprovë morale të ndërgjegjes njerëzore, së cilës i duhej ndërhyrja qoftë edhe humanitare që të mos kthehej në disfatë të plotë.
Shtypi analitik gjerman i kohës, nga vitet 1977 deri në vitin 1979, do të përqendrohet te dilema se a do ta përballojë Jugosllavia sfidën e ardhmërisë më lehtë me përcaktimin për ruajtjen e kursit të vetëqeverisjes socialiste, që edhe më tutje gëzonte përkrahjen e vendeve perëndimore, por që për çmim do të kishte koncesionet që do t’i bëheshin Serbisë që ajo sërish të vente nën kontroll Kosovën? Apo, që të kërkohej që Kosovës t’i jepej statusi i republikës, me kusht që asaj t’i ndalohej e drejta e deklarimit deri tek shkëputja, që për çmim do të kishte anëtarësimin e Jugosllavisë në Bashkimin Europian brenda një afati të shkurtër, që do të nënkuptonte derdhjen e mëtutjeshme të ndihmave financiare të perëndimit në arkën e Jugosllavisë pa qenë e sigurt për garancitë e këtij investimi?
E përditshmja konzervative “Die Welt”, shihte të vetmen mundësi që Kosova të ngrihej në shkallën e republikës së barabartë me të tjerat dhe kjo të ndodhte para se Tito të vdiste. Nga faktori ndërkombëtar kërkohej që në këtë drejtim të ushtrojë ndikim ndaj Beogradit para se të bëhet vonë. Gazeta liberale, “Frankfurter Allgemeine”, me ndikim të madh te elita intelektuale e vendit, por edhe në hapësirën tjetër gjermanofolëse, përkrahte kursin e Kosovës republikë të barabartë me njësitë e tjera të federatës, por këtë e shihte të realizueshme jo më nga Tito që ishte në shtratin e vdekjes, po nga faktori ndërkombëtar, i cili elitës jugosllave do t’ia shtronte dy kushte: ruajtjen e kursit të vetëqeverisjes socialiste dhe të marrjes së obligimit që menjëherë të iniciojë ndryshimet kushtetuese me anën e të cilave Kosovës duhet t’i jepet statusi i republikës së barabartë me të tjerët. Kërkohej po ashtu që konsensusi i udhëheqjes në federatë të precizohej ashtu që të përjashtojë çfarëdo përpjekjesh unitariste apo hegjemoniste.
Revista me ndikim “Der Spiegel”, megjithatë shfaqej me një qëndrim tjetër, atë të heqjes dorë fare nga Jugosllavia dhe roli i saj stabilizues midis blloqeve, ngaqë mendohej se ajo ngrinte pozicionet në dobi të lindjes. Hans Peter Rulman, korrespodent i dikurshëm i “Der Spiegelit” nga Beogradi, kur shkruante në këtë frymë, duket se shfaqte një mllef personal ndaj Jugosllavisë dhe Titos, ngaqë vite më parë kur atje punonte si gazetar, në Beograd ishte burgosur nën akuzën e veprimtarisë së spiunimit për shërbimet informative perëndimore kundër Jugosllavisë. Bashkë me Rulmanin do të burgosej edhe korrespodenti i “Rilindjes” në Beograd Hilmi Thaçi, të cilit i ishte veshur akuza e bashkëpunëtorit të huaj. Në një proces gjyqësor që ishte fund e krye i montuar me konstrukte policore, Rulman dhe Thaçi do të dënohen me heqje lirie shumëvjeçare, por në burg nuk do të mbeten gjatë, ngaqë Tito do t’i amnistojë që të dy, ndërkohë që Thaçit, me kthimin e të drejtës së ushtrimit të detyrës së gazetarit, do të rehabilitohet fare.
Sidoqoftë, kutisë jugosllave të Pandorës i parashihej hapja e kapakut, me çka asaj i shihej fundi, por që nuk dihej se sa do të zgjaste dhe çfarë do të ishte çmimi i saj nga brenda dhe nga jashtë, por që një të tillë do ta paguante doemos.
Në këtë përvijim, megjithatë, Kosova dhe roli i saj i paraprogramuar për krizën jugosllave tashmë shihej qartë. Këtë, madje, do ta pranojë edhe bashkëpunëtori i vetëm besnik i Titos nga ditët e hershme të luftës për Jugosllavinë e tretë, Vladimir Bakariç, anëtar i Kryesisë së Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve nga Kroacia, ende me ndikim të madh, që po mos të ishte i moshuar dhe i sëmurë prej kohësh, sigurisht do të merrej si i vetmi që do të mund të merrte frerët e drejtimit të vendit për të ecur binarëve të Titos.
Shkas, që të flasë me një gjuhë fare të drejtpërdrejtë rreth kësaj çështjeje, do të paraqesë botimi i librit të analistit të njohur gjerman Karl Gustav Shtrëm “Jugosllawien one Tito” (Jugosllavia pa Titon), që doli nga shtypi nga mesi i vitit 1979, pra kur edhe botërisht nga ana e kreut politik dhe shtetëror të Jugosllavisë u pranua se Tito ishte i sëmurë dhe ishte çështje se kur do të shkonte. Shtrëm, publicist, i cili gjatë gjithë karrierës së tij si gazetar ishte marrë me Ballkanin dhe në fokus kishte pasur Jugosllavinë e pasluftës si dhe zhvillimet në të, kishte bërë një studim të gjatë, ndryshe nga ato të shumtat që ishin botuar për Titon dhe Jugosllavinë për vite të tëra në Gjermani, ku rëndom ishte përkrahur kursi i tij, duke u parë si një mundësi që socializmi megjithatë të mos jetë vetëm koncept ideologjik, por edhe zhvillimor i një modeli të hapur të socializmit demokratik me ekonomi liberale.
Pra, Shtrëm merrej jo me perspektivën e vendit të lavdëruar, por me fundin e tij, dhe këtë e thoshte në mënyrë fare të qartë. Dhe, ky fund, dhe ky mbarim, që njëherësh do të thoshte përshëndetje nga një iluzion ideologjik, shfaqej me Kosovën, si pjesë e një krize më të thellë dhe më të gjerë, e cila ishte bartur nëpër të dy luftërat e mëdha botërore për të ardhur edhe deri te koha më e re, duke qitur në pah potencialin e madh të saj për të vepruar në kahe të ndryshme. Me një fjalë, Shtrëm do të vlerësojë se meqë Jugosllavia e Titos, për arsye të ndryshme çështjen e Kosovës nuk e ka zgjidhur deri në fund por është marrë me arnime; se meqë ajo ka mundur të jetë strumbullar i një zgjidhjeje të përgjithshme të çështjes së shqiptarëve në Jugosllavi dhe të shfrytëzohet për të mirë; se meqë problemet e shqiptarëve janë parë me kute të ndryshme, në përputhje me interesat e të tjerëve, por jo edhe të tyre dhe shumëçka tjetër që nuk ka korresponduar me parullën e shpallur të vëllazërim-bashkimit dhe shumë e shumë tjetër, atëherë është e natyrshme që një çështje me potencial të tillë të madh krize, siç është Kosova dhe shqiptarët, t’i kthehen në bumerang.
Me shumë argumente dhe analiza të ndryshme, Shtrëm do të ndërtojë qëndrimin se Jugosllavia e Titos ka mundur të shfrytëzojë shansin historik vetëm po qe se do t’i jepte përgjigje të drejtë çështjes së Kosovës, duke e ngritur në nivel të një republike të barabartë me të tjerat.
“As kursi i vetëqeverisjes socialiste, as pretendimet që të kthehej në një demokraci socialiste, e as oreoli i liderit të vendeve të paikuadruara nuk do të mund ta forconte të ardhmen e shtetit të përbashkët pa zgjidhjen e çështjes së Kosovës.”
Meqë libri kishte zgjuar shumë kërshëri në Gjermani dhe përreth, po edhe në Jugosllavi prej nga reagimet gjermane përcilleshin me vëmendje, e majta gjermane në pushtet, e vetëdijshme se gjithnjë e më shumë po i zbeheshin atutë për vetëqeverisjen jugosllave si model të socializmit demokratik në botë dhe të ngjashme, sigurisht se kishte qenë e interesuar që librin e Shtrëmit ta çojë në nivelin e një debati të gjerë, ku do të përfshihej edhe ana jugosllave, veçmas ndonjëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të Titos, që mund të thoshte diçka me peshë. Andaj, ishte shfrytëzuar rasti që promovimi të bëhej pikërisht kur njeriu më i besueshëm i Titos të gjendej mysafir i Fondacionit “Fridrih Erbert” në Bon, që paraqiste qendrën ideologjike të të majtës gjermane.
Se kjo ishte bërë me qëllim, kjo nuk do mend. Por, që edhe Vladimir Bakariçi aty nuk do të ishte rastësisht, e dhe kjo nuk duhej hequr nga mendja.
Por, çfarë do të thoshte Bakariç?…
Kjo tashmë preokuponte mediat. Preokuponte edhe elitën nga spektrit i gjerë politik gjerman. Spekulohej se ishte aty për të sjellë një mesazh të Titos perëndimit?…
Dhe, çfarë do të ishte mesazhi?… Qetësues?… Shqetësues?… Ose pak nga të gjitha?…
Fakti që në promovim nuk do të merrnin pjesë dy nga personalitet kryesore të të majtës gjermane Vil Brant dhe Helmut Shmit, të cilët një ditë më parë kishin pritur Bakariçin dhe sipas një kumtese thuhej se “kishin pasur shkëmbim të dobishëm mendimesh”, lente për të kuptuar se porosia e Bakariçit mund të mos ishte sipas shijes së të majtës gjermane?…
Vetë rrjedha e promovimit të librit dhe ato që do të thuhen në të do ta vërtetojnë këtë dyshim.
Por, çfarë ishte thënë në të vërtet në atë promovim, që ai të cilësohej si rrënim i iluzionit për Jugosllavinë e qëndrueshme edhe pas Titos, edhe pse nga Beogradi tashmë kishin filluar të vinin “betime” se edhe pas Titos mbetej Tito?…
Asgjë më shumë seç sillte libri. Pra, që e nesërmja e Jugosllavisë ishte e paqartë dhe e pasigurt. Do të thuhej se ajo do t’u nënshtrohej sfidave të ndryshme, që do të jenë të mëdha, ndër të cilat më shqetësuesja shfaqej Kosova për të vetmen arsye pse nuk ishte ngritur në nivelin e republikës së barabartë me të tjerat, dhe se me statusin gjysmak, ofronte mundësi të mira që të gjithë kundërshtarëve dhe armiqve të Jugosllavisë të viheshin në veprim secili për hesapet e veta, kjo tashmë dihej. Por, po ashtu nga ana tjetër, nuk dihej se betimi i asaj “pas Titos mbetej Tito”, ishte përnjëmend farsë, apo diçka që kishte përmbajtje, po që ajo duhej të dëshmohej në përputhje me sfidat me të cilat do të ballafaqohej?
Gjatë gjithë kohës sa ishin paraqitur referuesit kryesorë, pa marrë parasysh ato që thuheshin prej tyre, ku librit i bëheshin edhe vërejtje dhe quhej tendencioz madje pse shihte vetëm zi dhe jo edhe bardh dhe të ngjashme, vëmendja e të pranishmëve ishte drejtuar kah Vladimir Bakariçi dhe ato që do të thoshte në fund.
Dhe më në fund, fjala do t’i jepej edhe Bakariçit. I rrudhur nga vitet por edhe sëmundja, i bërë kruspull, nuk do të thotë tjetër pos që do të përshëndesë autorin për, si tha, “kundrimet interesante”.
Salla ngriu. Ishte vallë e mundur që ai të sillej aq me mospërfillje me audotiriumin tejet reprezentativ që e ishte aty për të pritur “kundërpërgjigjen” ndaj një libri që Jugosllavinë e shihte me dioptri tejet pesimiste?…
Mëdyshjet ishin ndër më të ndryshme, dhe ato edhe më tutje do të shtoheshin po mos të ishte një gazetar, i cili Bakariçit do t’ia drejtojë pyetjen se pse Kosova nuk mund të bëhej republikë, siç kishte thënë gjatë diskutimit zëvendës ambasadori jugosllav në Bon, Predrag Kostiq, i cili kishte derdhur shumë mllef ndaj autorit pse të ardhmen e Jugosllavisë e kishte lidhur me një problem që ishte i shpifur, kur si tha, kombësitë nuk mund të kenë shtet në shtet, meqë shqiptarët shtet amë kishin Shqipërinë!
Pa një pa dy, Bakariçi, me një buzëqeshje ironike tha se “ nuk e dinte as vetë pse Kosova nuk ishte republikë…”
Ironia e Bakariçit kishte qenë e mjaftueshme të kuptohej sa të drejta kishin qenë vlerësimet e autorit dhe njëherësh sa i madh shfaqej dëshpërimi i atyre që tek Jugosllavia dhe rruga e socializmit vetëqeverisës ishin munduar t’ i varnin shpresat si për një model të ardhmërisë.
Megjithatë, fjalët e Bakariçit, siç i kishin dhënë të drejtë shqetësimit për të ardhmen e pasigurt të Jugosllavisë, njëherësh kishin hapur dilemën si dhe sa ato mund të ishin përnjëmend pjesë e mesazhit që Tito ia jepte botës në atë mënyrë?…
Tre muaj më vonë, Josip Vërhovec, ministër i jashtëm i Jugosllavisë, me rastin e takimeve të rregullta vjetore gjermano-jugosllave në nivel të ministrave të jashtëm në Bajerot të Bavarisë, gazetarëve do t’u thotë se plakushi (Bakariçi) kishte ironizuar, siç e kishte zakon…
Por, që plakushi kroat nuk kishte ironizuar, kjo do të shihej me rastin e mbledhjes së Komitetit Qendror të Jugosllavisë më pesë maj të vitit 1981, kur Lazar Kolishevski në emër të grupit punues për të vlerësuar demonstratat e 11 marsit dhe të 2 e 4 prillit të atij viti, kishte propozuar kualifikimin e shpërthimit të ngjarjeve kundërrevolucionare në Kosovë, në mënyrë që në po atë mbledhje, pasi që do të pranohet ai kualifikim, organi më i lartë i komunistëve të Jugosllavisë të shpallte të ashtuquajturën Platformë politike për Kosovën, me të cilën do të fillonte diferencimi i egër shumëvjeçar në Kosovë, me pasoja tepër të rënda për popullatën shqiptare të Kosovës dhe më gjerë në hapësirat e ish Jugosllavisë, meqë kurban i parë i saj do të bjerë kreu më i lartë i udhëheqjes me Bakallin dhe të gjithë ata që shfaqeshin si elitë politike e saj me përcaktimin për barazinë me të tjerët, që asnjëherë nuk e kishin pasur opsion rrënimin e Jugosllavisë, por përkundrazi forcimin e saj mbi këto postulate, ku edhe shqiptarët të arrinin majat e saj.
Vladimir Bakariç kishte qenë i vetmi që në atë mbledhje kishte kundërshtuar kualifikimin për kundërrevolucionin në Kosovë dhe aprovimin e platformës së veçantë politike për Kosovën. Dhe kundërshtimin e “plakushit” madje kishin pasur rastin ta përcjellin që të gjithë shikuesit e programit televiziv gjerman ARD me atë që kishte thënë “ç’na duhet platforma për Kosovën kur kemi programin e partisë dhe kushtetutën!?…”, fjalë këto që kishin tumirur parashikimet e Shtrëmit se Jugosllavia mund të dështonte në Kosovës nëse do të rrënojë frymën e kushtetutës që e kishte forcuar dhe ngritur dhe nëse hiqte dorë nga programi partiak i barazisë kombëtare…
Po atë mbrëmje Ambasada e Jugosllavisë në Bon, për nder të Bakariçit do të organizojë një pritje në kështjellën e Bad Godesbegut, vend i dashur i kancelarit të parë gjerman Bizmakut, por edhe i një takimi pak të njohur të Çemberlenit me Hitlerin në prag të nënshkrimit të marrëveshjes së njohur të Munihut, të vitit 1939 kur Europa do të nënshkruajë kapitullimin para Hitlerit.
Në pritje ishte i pranishëm thuajse i gjithë kori diplomatik. Nga kreu i elitës politike gjermane merrte pjesë Vili Brant, Franc Jozef Shtraus, Hans Ditrih Gensher dhe personalitete të tjera të rëndësishme kulturore të vendit, përfshirë këtu edhe shkrimtarin e njohur Hanjrih Bëll, regjisorin Reiner Fasbinder dhe të tjerë.
Sikur të dëshironte të zhbënte atë që ishte thënë gjatë promovimit të librit të Karl Gustav Shtrëmit, zëvendës ambasadori jugosllav në Bon, Kostiq, i cili ato ditë kryente punët e ambasadorit në mungesë të ambasadorit që ishte i sëmurë, në fjalën përshëndetëse, foli me shumë optimizëm për Jugosllavinë dhe ardhmërinë e saj, që tha se ishte e garantuar “në saje të unitetit të kombeve dhe kombësive të saj, të përcaktuar të ecin bashkarisht drejt fitoreve të reja” dhe të ngjashme, që shumëkujt i tingëllonin me dyshim pas atyre që ishin dëgjuar të thuheshin nga Bakariç.
Bakariçi, me shikimin e lëshuar, rrinte i ulur midis Brantit dhe Shtrausit. Dukej i lodhur. Dhe kjo bëri që të mos rrijë deri në fund në pritje. Bashkë me të do të largohen edhe Branti dhe Shtrausi, por do të mbetej Gensheri dhe të tjerët. Të pranishmit i përshëndeti vetëm me ngritjen e gotës së shampanjës, që e preku vetëm me buzë.
Heshtja e Bakariçit dhe largimi i hershëm nuk pengoi atmosferën e muhabeteve që rëndom shpërthen në raste të tilla. Por, ato të shumtën morën kahun e hamendjeve se kah do të shkojë Jugosllavia?… Do të notojë ujërave të pasigurta, siç thoshte Shtrëmi, ngaqë nuk ia kishte dalë të jepte provimin historik pse nuk kishte çuar deri në fund as konceptin e shpallur të barazisë së kombeve dhe kombësive dhe, pse edhe vetëqeverisja jugosllave kishte filluar të tregonte shenjat e para të dobësive nga shkaku se kursi liberal i ekonomisë së tregut po ndeshej me limitet politike të ndërhyrjes së shtetit?… Apo, pse ajo, në frymën e detantit dhe të afrisë perëndim-lindje një ditë mund ta humbte rëndësinë e “zonës së sigurisë” midis blloqeve antagoniste, së cilës, gjithnjë e më shumë po i binte fryma konfrontuese nga shkaku i përparësive të mëdha amerikane në garën e armatimit dhe pamundësisë që kjo të përcillej nga sovjetikët, ekonomia e të cilëve tashmë kishte filluar t’i tregonte shenjat e bankrotit, realitet ky që përnjëmend do të pranohet nga Gorbaçovi dhe “Perestrojka” e tij me të cilën, nga mesi i viteve të tetëdhjeta do t’u hapen rrugët ndryshimeve të mëdha historike ku si do të shihet nuk do të kishte më vend për Jugosllavinë dhe rolin e saj?
Johan Raismyller, analitik i njohur i “Frankfurter Allgemeine” dhe njëri ndër botuesit e saj, kishte këtë bindje. Gjatë bisedës sonë, në të cilën do të marrë pjesë fillimisht historiani Jens Reuter, më vonë edhe drejtues i seksionit të historisë “Ost-West Institut” të Munihut, dhe në të do të merrte pjesë edhe nobelisti Hajnrih Bëll dhe filozofi von Vajzeker, që më vonë do të zgjidhet president i Gjermanisë. Raismyller tha se detantin dhe supremacionin amerikan në skenën politike botërore, e shihte si faktor të rëndësishëm, që nesër a pasnesër, Jugosllavinë do ta kthente ku ishte, një shtruherë të pambrojtur, dhe me këtë ajo saora u nënshtrohet rrymimeve që mund ta shpien kah shthurja e brendshme.
“Kështu e kanë krijesat artificiale dhe të destinuara për përdorim të përkohshëm. Të shpresojmë se nuk do të ketë shthurje të dhimbshme”.
Nobelisti Hajnrih Bëll sikur u zu i prekur nga ato që tha Raismyller. Edhe pse njihej si i prajshëm gjatë të folurit, dukej se ajo i kishte shqitur paksa. Tha se nuk ia merrte mendja se Jugosllavisë i kishte shkuar koha dhe as që ishte për përdorim të përkohshëm. Dhe nuk ia merrte mendja se ndonjëherë do të pushonin konfrontimet perëndim-lindje, ani pse këtë do ta dëshironte, ngaqë ato mbështeten në dy koncepte shoqërore thuajse të papajtueshme, të cilat do të vazhdojnë të mbesin në garën e tyre historike.
“Nuk do të dëshiroja që bota të mbetet me një pol force, sepse do të dukej si diçka e pambikëqyrur.”
Filozofi von Vajzeker, pa dëshiruar të hyjë në ato që i quajti “çështje ditore”, sikur u pajtua me ato që Hajnrih Bëll tha për polet e ndryshme të forcës, meqë ashtu u ruhet kahu zhvillimeve të natyrshme. Tha se edhe politikës dhe shoqërisë i duhej konkurrenca e brendshme.
Historiani dhe publicisti Jens Reuter, tërhoqi vërejtjen se historia njihte zhvillime të drejta, por shpesh herë edhe të zhdrejta. Jugosllavinë e quajti si fryt i zhvillimeve të drejta, ku ai nga këndvështrimi historik, si të tilla i shihte që të gjitha përpjekjet e sllavëve të jugut që të kenë shtetin e përbashkët, i cili është më i dobishëm si tërësi se sa me fragmentarizime të paqëndrueshme. Shtoi se pas Titos do të ketë vështirësi, por është vetëdija e përbashkësisë dhe siguria që afron ajo, që do ta mbajë dhe drejtojë kah kohezioni i brendshëm, si i vetmi mjet shpëtimi.
“Tek e fundit, askush nuk mund të ketë interes nga hapja e një çështjeje me shumë të panjohura…”
Ishte e qartë se Reuter, me ato që thoshte dëshironte t’i jepte më shumë të drejtë teorisë se sa praktikës, ndërkohë që Raismyller, fliste për pasojat konkrete të së dytës, gjithnjë duke i parë ato në përputhje me realitet e pashmangshme.
Përplasjeve midis Reuterit dhe Raismyllerit, që mund të shkonin edhe më tutje te planet teorike, ua ndali kahun von Veizeker pasi që kërkoi të dinte se çfarë mendoja rreth së ardhmes së Jugosllavisë.
Nga respekti që kisha për filozofin e njohur dhe sensibilietin intelektual që ai shprehte edhe për politikën dhe vlerësimin e saj shoqëror në përputhje me normat etike nga të cilat nuk duhej të hiqte dorë, sikur u zura ngushtë. Kërkohej të thuhej diçka rreth së ardhmes së Jugosllavisë par njerëzve që gjendja në një ambient bashkërisht më shumë paraqiste një rastësi tejet fatlume, mbase të papërsëritshme, se sa mundësi që mund të fitohej në çfarëdo mënyre?…
Por, a thua isha në gjendje ta thosha atë që në mendjet time tashmë shfaqej si limit, mëdyshje, shqetësim apo nga të gjitha nga pak përballë rrethanave të tilla?…
Edhe pse frikë nuk kisha, ishte frika e përgjegjësisë ajo që më trembte dhe madje më shqetësonte. Por, megjithatë duhej të flisja. Duhej të thosha diçka. Po jo çkado.
Në atë përpëlitje ngulmuese me vetveten ndër më shqetësueset nëpër të cilën kisha kaluar ndonjëherë, ndjeja trysninë e shikimeve të afërta që po më vinin nga të gjitha anët. Në atë kapërthim seç më përftoi në mendje ndjenja e barazisë, si diçka çliruese, që aty për aty m’u lidh për goje dhe e nxora jo pa mundim. Duke ndjekur përvijimin e atij refleksi shtova përkushtimin për barazinë, që thashë se ishte preokupim i yni kryesor…
“Barazia është pikënisja e të gjithave”, ndjeva që të më thoshte von Vajzeker, i cili e dinte fare mirë se folja në shumës paraqiste frikë të fshehur. Sikur të dëshironte të më trimëronte, ma rrahu krahun dhe më tha se pa barazi nuk ka liri e asgjë…
(Shkëputje nga “Kthesa historike 1 – Vitet e Gjermanisë dhe Epoka e LDK-së”, nga faqja e autorit: jusufbuxhovi.com. Libri është plotësuar enkas me dokumente nga themelimi i LDK-së, siç janë: procesverbali, Programi origjinal i partisë, lista e nismëtarëve të Partisë, si dhe me emrat e pjesëmarrësve në Kuvendin themelues më 23 dhjetor 1989. Libri mund të shfrytëzohet dhe zbarkohet falas) / KultPlus.com