2 Qershor, 2018 - 1:54 pm
Alberina Haxhijaj
Libraria dhe Galeria “Monet” ka mirëpritur dje shkrimtarin slloven Jurij Hudolin i cili diskutoi më shumë për punën e tij.
Shkrimtari Jurij Hudolin njihet nga publiku në Kosovë dhe Shqipëri nga dy librat e tij të publikuar nga Qendra Multimedia – “Revulocionarët e ri” përkthyer nga Fadil Bajraj dhe “Thjeshtri” përkthyer nga Nikollë Berishaj. Hudolin ka qenë edhe pjesëmarrës në disa festivale letrare në Shqipëri e Kosovë.
Në fillim të diskutimit shkrimtari tregoi se kur kishte filluar të shkruante është ndjerë si poet ndërsa tash e ka më shumë ndjesinë e një prozatori.
“Është vështirë ta kalkuloj dozën e autobiografisë në punimet e mia por mbi të gjitha e shoh të nevojshme që në të gjitha punimet e mia të shkruaj edhe autobiografinë dhe mundohem të shikoj nga prizma kulturore në punimet e mia. Po ashtu nëpër veprat e mia shkruaj edhe nga aspekti im personal filozofik. Mbi të gjitha më duhet të kaloj nëpër disa faza në jetë dhe ti përjetoj disa gjëra në jetë në mënyrë që krijimtaria ime apo e shkrimtarit brenda meje të jetë më konkrete”, tha ai.
Sipas Jurij Hudolin gjeneratat e reja në të gjitha trevat e ish-Jugosllavisë janë duke u rinovuar, çka nënkupton se edhe kontaktet do të rinovohen e ripërtërihen.
“Gjeneratat e reja nuk mbajnë mend asgjë rreth luftës. Mirëpo, gjenerata ime është gjenerata e fundit e cila e mbanë mend aromën e Jugosllavisë. Shpirtin e njëjtë e kam vërejtur edhe gjatë qëndrimit në Prishtinë duke filluar nga fakti se të rinjtë në Prishtinë flasin më mirë anglisht se unë dhe nuk i njohin fare gjuhët e ish-Jugosllavisë. Po ashtu për këto gjenerata shpirti i Jugosllavisë ka vdekur”, tha ai.
Ai po ashtu bisedoi edhe për përkrahjen që marrin shkrimtarët në Slloveni nga Agjencioni Slloven i Botimit, pjesë e të cilit është edhe ai.
“Agjencioni Publik Slloven ka arritur progres deri në atë masë sa nëse e sheh se ka interes që ta përkthejë edhe një autor të jashtëm atëherë atë do ta bëjë. Unë e vlerësoj mënyrën e përkrahjes së tyre duke marrë parasysh që Sllovenia është një shtet i vogël njëjtë sikur Kosova dhe ky agjencion e ka paraqitur një anë të kulturës sllovene” shtoi Hudolin.
Shkrimtari Hudolin njihet edhe për përkthimin e shkrimtarëve të rinj shqiptarë në sllovenisht. Kështu ai zbuloi më shumë se çfarë i karakterizon ata të cilët i ka përkthyer dhe të veçantat e tyre.
“Edhe kur kam qenë i ri kam thënë se arti nuk ka barriera gjuhësore. Kuptohet se edhe letërsia shqiptare i ka zenitet e veta sepse ne si njerëz nuk mund ti shmangemi kulturës me të cilën jemi rritur apo formësuar. Mirëpo si anëtar i një kulture tjetër e shoh në letërsinë kosovare një karakter të veçantë për dallim nga shkrimet e ish-Jugosllavisë apo edhe të Ballkanit. Ajo e ka një dozë të fortë, një rezistencë. Në anën tjetër, e ndjej edhe një lloj keqardhje pikërisht për autorët kosovarë sepse e shoh një padrejtësi nga ana e Bashkimit Evropian e cila e trajton Kosovën sikur një koloni të fundit. Është e pashmangshme dhe vërehet ky ndikimi politik”, tha ai duke shtuar se personalisht nuk ka asnjë lidhje me politikën.
Jurij Hudolin (1973) është poet, shkrimtar dhe përkthyes slloven. Ka botuar një numër të përmbledhjeve me poezi dhe disa romane. Është i njohur për gjuhën e pasur që përdor dhe për qëndrimin e tij rebel dhe refuzues ndaj botës.
Vepra e tij është përkthyer në anglisht, gjermanisht, kroatisht, maqedonisht dhe në disa gjuhë të tjera. Në vitin 2015 ka botuar përmbledhjen me poezi “Ditari i Prishtinës” gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë si pjesë e rezidencës letrare “Prishtina nuk ka lum”. / KultPlus.com