11 Shtator, 2020 - 6:53 pm
Pak ditë më parë doli nga shtypi libri më i ri i shkrimtarit dhe historianit, Jusuf Buxhovi, ‘Dardania, Antika, Mesjeta’, shkruan KultPlus.
Libri është nën botimin e shtëpive botuese ‘Faik Konica në Prishtinë dhe ‘Jalifat Publishing’ në Huston të Amerikës. Ndërkaq, në libër trajtohen çështje të historiografisë së Dardanisë dhe antikitetit deri në mesjetë.
Sot në ambient të hapur e duke iu përshtatur kushteve pandemike, Buxhovi promovoi librin e tij në qytetin e Gjakovës.
I pranishëm ishte edhe Ruzhdi Sefa, Kryetari i Shoqatës së Intelektualëve ‘Jakova’, i cili e përgëzoi Buxhovin për librin në emër të tij dhe të shoqatës.
”Jusufi gjithmonë duket se është i qetë, por në fakt është një vullkan i cili herë pas here shpërthen me vepra të reja, të cilat ndoshta gjatë leximit janë të shkruara me një gjuhë të kapshme e të thjeshtë por që kanë një porosi shumë të thellë”, u shpreh tutje Sefa.
Fjalën sigurisht se e mori edhe Buxhovi i cili patjetër se falenderoi të pranishmit dhe botuesit për punën e palodhshme drejt botimit të kësaj vepre.
”Gjakova është njëri prej shembujve më të mirë të ndërtimit apo degradimit të një cështjeje të tillë. Ndërtimi i saj ekziston edhe si koncept politik e historik, kulturor që për fat të keq ka fillu të degradohet dhe barra bie mbi ne. Gjakova i ka të gjitha kushtet edhe në aspketin kulturor, veçmas historik që t’ia kthej trungut shqiptar vitalitetin e shkallmuar qëllimisht nga klasa e papërgjeshme politike këto 20 vjetët e fundit’‘, deklaroi Buxhovi.
Për të përfaqësuar shtëpinë botuese nga Huston i Amerikës, ‘Jalifat Publishing’, ishte Ramiz Tafilaj, i cili poashtu deklaroi se shumë shpejt librin e Buxhovit do ta propozojnë për çmimin Nobel. / KultPlus.com