11 Prill, 2018 - 9:10 am
“Pas romaneve “Dosja e hapur” dhe “Dosja B”, të cilat merren me dukuritë dhe ngjarjet politike në Kosovën e paluftës, Jusuf Buxhovi po të njëjtin preokupim e vazhdon edhe në romanin më të ri “Dushkaja…”, që doli këto ditë nga shtypi, përcjell KultPlus.
Kritiku letrar, Ramadan Musliu, vlerëson se romani më i ri, për dallim nga dy romanet e përmendura, bën një qasje ndryshe të realitetit, përvojave të hidhura, gjendjeve irracionale, krimit të luftës sa dhe pasojave të tij, në të vërtetë bën një autopsi të brendshme të këtyre përvojave, duke e vënë krimin në një rrafsh refleksioni. E gjithë drama e realitetit, ku krimi bëhet alfa dhe omega e jetës në një hapësirë çfarë është Dushkaja, gjen pasqyrimin në ndërdijen e piktorit, cili përmes një dialogimi më Zërin, alteregon e tij, shpalos fatin e njeriut në zgripc të ekzistencës, të cilit i mungon e tashmja po se po, por e më shumë se e tashmja atij i mungon e ardhmja.
Musliu thotë se forma eseizuese e rrëfimit kushtëzon gjithsesi edhe formën e receptimit sa që mund të thuhet se është një tekst për një lexues të kultivuar.
“Dushkaja” është botuar nga Faik Konica Prishtinë dhe Jalifat Publishing Huston dhe përmban gjithsej 165 faqe./ KultPlus.com